E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama të dorëzojë planin urbanistik, sepse nuk është pronë e EDIL dhe Edvinit

Vijojnë akuzat e qeverisë kundër aferave të kryebashkiakut Rama
Kryeministri Berisha ka vazhduar sulmin e tij politik ndaj kreut të Bashkisë të Tiranës, Edi Rama, edhe gjatë Ditës së Verës. Si një vit elektoral, ku fushata ka ndezur tashmë tonet e saj, edhe kjo vizitë është shfrytëzuar nga kreu i ekzekutivit për të akuzuar rivalin e tij Rama, se po mban peng planin urbanistik të Tiranës. Studimet urbanistike janë një kusht vendimtar si për zhvillimin e qendrave urbanistike, ashtu dhe për luftën pa kompromis kundër korrupsionit. Ata që bllokojnë studimet urbanistike, ata vetëm dëshmojnë se territorin e qytetit të tyre, siç është rasti i Tiranës, e duan për ta mjelë dhe për vjelë. Ndaj, dua tu bëj thirrje për ditë feste kryetarit të Bashkisë së Tiranës, si dhe të kryetarëve të gjitha qyteteve të mëdha, por në mënyrë të veçantë atij të Tiranës sepse ai përfunduar dhe e ka ndryrë në sirtar, të dorëzojë planin urbanistik sepse nuk është pronë as e EDIL- it dhe as e Edvinit, por është pronë dhe pasuri e qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, theksoi kryeministri i vendit. Këto sulme politike, fillin e tyre e kanë të hershme, por kohët e fundit ato sa po vijnë e po bëhen më të theksuara. Sulmi ndaj kreut të Bashkisë Tiranë, për buxhetin e këtij viti, është bërë edhe ditën e premte nga Kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij në qytetin e Shkodrës. Sipas kreut të qeverisë, Rama po mban peng planin, pasi nuk do që qytetarët e Tiranës të zhvillojnë qytetin e tyre në përputhje me një plan të miratuar, por do ta përdorë llokma për kompanitë e tij të mediave dhe kompani të tjera me të cilat ndan fitimin. Edhe njëherë nga Shkodra i kërkoj në mënyrë të prerë të dorëzojë Planin e Përgjithshëm Urbanistik të kryeqytetit. Plani urbanistik nuk është pronë as plaçkë e tij, por është pronë e qytetarëve të Tiranës dhe e mbarë shqiptarëve që kanë në Tiranë kryeqendrën e vendit, vlerësoi Kryeministri.
Berisha, premtime lumë për biznesmenët elbasanas
Kreu i ekzekutivit theksoi se kriza financiare nuk do të rëndojë ekonominë e vendit dhe gjithashtu ka siguruar biznesmenët e Elbasanit se qeveria do të mbështes përpjekjet e tyre. Siguroj biznesmenët e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë, se qeveria do të mbështesë fuqishëm përpjekjet e tyre për suksesin e bizneseve, qeveria do vazhdojë krijimin e lehtësirave për biznesin dhe se do marrë çdo masë në mënyrë që kriza e rëndë ekonomike botërore të ketë pasojë sa më të vogla në ekonominë shqiptare, ka theksuar Berisha gjatë vizitës së tij në qytetin e Elbasanit. Gjithashtu, këto deklarata Berisha i përforcoi edhe gjatë inaugurimit të sistemit të ri, të filtrave në uzinën e "Kurum". Kreu i ekzekutivit shfrytëzoi këtë vizitë për të premtuar ndërtimin e parkut të gjelbër të qytetit si dhe nisjen së shpejti të punimeve për rrugën e re Elbasan-Tiranë. Qeveria ka punuar dhe do të punojë për parkun industrial të qytetit. Ne inaugurojmë sot impiantin e pastrimit të ajrit në furrnaltën e shkritores, një kusht i domosdoshëm për ndërtimin e parkut dhe një kusht i domosdoshëm për pastërtinë e këtij qyteti shumë të rëndësishëm për vendin. Qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet që brenda këtij viti të përcaktojë rrugën tjetër të lidhjes së Elbasanit dhe Tiranën. Dua ti jap fjalën qytetarëve të Elbasanit, se rruga do të ndërtohet më fonde private apo të buxhetit, ka theksuar kreu i qeverisë. Rruga do të ndërtohet dhe Elbasanit do të ketë rrugën tjetër, të sheshtë dhe fushore, me të cilën do të komunikojë me Tiranën. Kryeministri Berisha vizitoi qytetin e Elbasanit, me rastin e Ditën e Verës, festë tradicionale kombëtare e simbolizmit të ardhjes së pranverës. Ai vizitoi panairin e Ditës së Verës, një aktivitet i përvitshëm në këtë ditë, në stendën e Qarkut të Elbasanit, Kryeministri Berisha u njoh nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Ardian Turku me planit urbanistik të këtij qyteti. Në këtë vizitë, Kryeministri morri pjesë në inaugurimin e Furrës së re Elektrike të Impiantit të Filtrimit në fabrikën e prodhimit të çelikut " KURUM, e cila festoi dje edhe 10 vjetorin e fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri. Megjithëse është vit i krizës ekonomike botërore, inaugurimi është dëshmi e qartë e soliditetit të ekonomisë shqiptare dhe besimit në rritje të bankave te biznesi, është antidoti më i shkëlqyer për parandalimin e krizës në Shqipëri, u shpreh kryeministri Berisha gjatë inaugurimit, ku ndër të tjera shtoi se Shqipëria, është vendi i besimit për investimet e huaja dhe Qeveria sipas tij do të bëje çdo përpjekje për të kontribuar në suksesin e këtyre investimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›