E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama të lerë praktikat e bojkotit e të kthehet në kuvend

TIRANE- Në mbledhjen e qeverisë kryeministri Berisha ka përsëritur për të disatën herë kërkesën drejtuar kreut të opozitës Edi Rama, ti lerë praktikat e bojkotit dhe të kthehet në kuvend. Gjate fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se opozita duhet të luajë një rol pozitiv dhe jo të nxijë vendimin historik të BE duke protestuar ashtu si veproi më tre prill kur Shqipëria u anëtarësua në NATO.

“Edhe njëherë gjej rastin të ftoj opozitën për bashkëpunim. Po më rikujton mitingun e datës 4 prill kur vendi anëtarësohej në NATO. Në vend që të festojmë, sic e ftova të dalim sëbashku ta përshëndesim këtë akt, Rama shpërndan trakte tek Komuna e Parisit.” theksoi Kryeministri.

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha foli edhe për programin buxhetor afat mesëm 2010-2012. Sipas kreut të qeverisë, ky buxhet është më i madhi që ka njohur ndonjëherë vendi dhe se parashikon plotësimin e të gjitha kërkesave që rrjedhin nga detyrimet e vendosura nga Bashkimi Europian.

Qeveria gjithashtu miratoi edhe legalizimin e 5 mijë banesave në Kamëz duke e përmyllur në këtë mënyrë procesin në këtë zonë. Sipas Berishës, Agjensia e Legalizimit ka në dispozicion 9 milionë euro për kompensimin e ish-pronarëve në Kamëz.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›