E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Rama te mos guxoje nje puc te dyte

Shefi i qeverisë paralajmëron Edi Ramën se do të jetë i vetmi që do penalizohet në rast se i afrohet sërisht kryeministrisë. Në një mbledhje qeverie urgjente, Berisha premtoi amnisti për të gjithë bashkëpunëtorët e kryesocialistit, por jo për këtë të fundit. “Në një rast të dytë do ta garantoj se kurrë më s’do mund ta mendojë, se çdo tentativë e tij për dhunë ndaj institucioneve do të marrë ndëshkim ekzemplar dhe askush tjetër përveç atij. Kjo nuk është absolutisht kërcënim. Çdokush tjetër është i amnistuar përveç atij” tha Berisha.

Por në mbledhjen e cila zgjati pothuajse një orë, kreu i qeverisë nuk kurseu akuzat për prokuroren e përgjithshme, e cila po abuzon me detyrën sipas tij në mbrojtej të Edi Ramës.

“Prokuroria e shtetit pa as edhe një hetim të vetëm, pas as dhe një analizë balistike, lëshon urdhra- arresti për të gjithë zinxhirin komandues të gardës. Kjo zonjë, që kur është emëruar me votën time, të të gjithë maxhorancës, nuk ka hapur qoftë edhe një çështje të vetme penale për të çuar në gjykatë asnjë eksponent të qeverisë së mëparshme, të qeverisë vendore aktuale. Ka hapur me qindra dosje ndaj maxhorancës, administratës së saj. Ajo që është tërësisht e papranueshme është anësimi i saj total, për qëllime që do të qartësohen. Cila ishte arsyeja që prokuroja i raportonte Ramës, kjo do të sqarohet” tha Berisha.

Kryeministri njoftoi shtyrjen e mitingut demokrat paqsor të së mërkurës për shtunën. Arsyeja sipas tij do të jetë një udhëtim drejt Strazburgut të enjten për raportin e Dik Martit.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›