E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama të mos kërcënojë, ta dërgojë çështjen në Apel

10/04/2012  Kreu i mazhorancës: Gjon Bardhi po shkel Kushtetutën

Kreu i mazhorancës, Sali Berisha, komentoi dje për herë të parë çështjen e deputetit të munguar të Partisë Socialiste në Kuvend, i cili është kthyer në mollë sherri mes mazhorancës dhe opozitës. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së Kryeministri Berisha iu përgjigj sulmeve të opozitës, e cila pretendon se po i vidhet mandati. Nga ana e tij Berisha sqaroi se Partia Demokratike nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë qëllimin për ti marrë Partisë Socialiste mandatin e lënë nga deputetja Seseri. Ai u shpreh me bindje se pasardhësi në listën e deputetëve socialistë, kryetari i Bashkisë së Fushë-Krujës Gjon Bardhi, gjendet aktualisht në një pozicion antikushtetues me dy mandate. “Rama e bën në mënyrë të paskrupullt, pasi e ka të qartë se mandati nuk mund ti merret kurrë dhe se mazhoranca nuk ka dhe nuk do të ketë synim të përvetësojë një mandat që si takon. E serviri zonjën Seseri si star dhe kur ajo e la, ngeli. Qytetarët duhen sqaruar si qëndron e vërteta. Më 13.01. 2012 me vendimin nr. 2 të marrë në orën 11:00 KQZ-ja i ka dhënë mandatin e zonjës Seseri zotit deputet të Durrësit Gjon Bardhi. Zoti Bardhi, duke qenë deputet në listën e PS-së, pa paraqitur dorëheqjen nga kjo listë, ka garuar dhe fituar për kryetar bashkie të Fushë-Krujës. Zoti Bardhi nuk kishte asnjë pengesë mbi tokë për të bërë atë që bëri, pasi edhe ish-ministri Basha dorëzoi mandatin dhe garoi për kryetar bashkie. Po ashtu Ferdinat Xhaferri, që kishte mandatin e ministrit, apo Ardian Kollozi, që la mandatin e deputetit. Zoti Bardhi nuk kishte pengesë ti bënte me shkrim KQZ-së kërkesën se unë po garonte për kryetar bashkie, ndaj jap dorëheqjen si kandidat për deputet. Më 13 janar KQZ-ja votoi mandatin e zotit Bardhi. Ai e paraqiti dorëheqjen, por tani është me dy mandate: me atë të kryetarit të bashkisë dhe me atë që i ka akorduar KQZ-ja”, - deklaroi Berisha, i cili e ftoi kryesocialistin Rama ti drejtohet Gjykatës së Apelit, në vend që të kërcënojë me bllokimin e reformave. Duke hedhur poshtë atë që e quajti rolin e supergjykatës që opozita kërkon ti japë Këshillit të Mandateve, Kryeministri fajësoi socialistët për inskenim të qëllimshëm të kësaj situate të paqartë. “Qëllimshëm lanë të digjen të gjitha afatet për tiu drejtuar Gjykatës së Apelit, në qoftë se i ishte bërë një padrejtësi nga KQZ-ja dhe kërkojnë të bëjnë gjykatës Komisionin e Rregulloreve të parlamentit, i cili nuk ka asnjë tagër tjetër përveçse për tiu drejtuar parlamentit me mendimin e tij, sepse nuk ka atribute gjykate; kërkojnë të bëjnë kryegjykatëse Kryetaren e Kuvendit vetëm për akuza politike”, - tha Berisha. Ai i cilësoi të pavërteta edhe qëndrimet se çështja e mandatit të një deputeti socialist ka të bëjë me numrat për zgjedhjen e presidentit të ri. Në fund Berisha siguroi edhe një herë se mazhoranca nuk do të cenojë mandatin e asnjë force politike.

Reagon kreu i opozitës, Rama, për vendin e Seserit

“Berisha pa alibi as për pengmarrjen e mandatit të PS-së”

Kryetari i PS-së, Edi Rama, në përgjigje të deklaratave të Kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së ka thënë se ai kërkon alibi për tu konfliktuar me opozitën. Rama tha se kreu i mazhorancës qeverisëse nuk e ka të parin mandat atë të Seserit që mban peng. “Mandati ynë i është shtuar një vandaku mandatesh për Gjykatën Kushtetuese dhe për Gjykatën e Lartë, të cilat mbahen peng arbitrarisht, duke shpërdoruar pushtetin jashtë të gjitha afateve të shqyrtimit nga Kuvendi i Shqipërisë. Ashtu siç mbahen të pazëvendësuar në kundërshtim me ligjin edhe përfaqësuesit e palëve në bordin e TVSH-së dhe të KKRT-së, pavarësisht se u ka mbaruar mandati për të ushtruar funksionet publike të paguar nga taksat e qytetarëve”, - tha kreu i socialistëve. Ai ka kundërshtuar me radhë të gjitha argumentet e kreut të qeverisë lidhur me çështjen në fjalë. Rama deklaroi përmes një konference se është Kuvendi ai që nuk ka kryer detyrën e tij për të njoftuar KQZ-në që të plotësojë vendin ende bosh në radhët opozitës pas njohjes me refuzimin në rrugë zyrtare të Gjon Bardhit. Numri një i selisë rozë rrjedhimisht ka rrëzuar pretendimin e Kryeministrit se PS-ja duhet ti drejtohet gjykatës për zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Pretendimi i Kryeministrit për tu ankuar ndaj KQZ-së është kryekëput absurditet, sepse KQZ-ja në këtë rast thjesht ka bërë atë që duhej të bënte sipas ligjit duke ia lënë mandatin kandidatit të radhës. E në kushtet kur kandidati i radhës e refuzon mandatin, KQZ-ja thjesht duhet të vazhdojë sipas radhës me kandidatin tjetër pas njoftimit që merr nga Kuvendi”, - vijoi Rama. Rama vijoi se me sugjerimet e tij Kryeministri Berisha vetëm rikonfirmohet si shpërdorues i shfrenuar i pushtetit, duke arritur të cenojë këtë herë edhe vetë sovranitetin e popullit të materializuar në mandatet e Kuvendit. Në fund të fjalës së tij kreu i opozitës deklaroi mbi dështimin e kreut të qeverisë. “Kryeministri nuk e fsheh dot se e ëndërron të ketë justifikime për të thënë se po më bllokon opozita edhe kur opozita kërkon atë që i takon”, - përfundoi Rama.

Vendimi i KQZ-së për mandatin e Seserit dhe qëndrimi i Bardhit

Në mesin e muajit janar të këtij viti KQZ-ja votoi me 7 vota pro emrin e Gjon Bardhit si deputet të PS-së në vend të Rudina Seserit, e cila la mandatin e deputetes në fund të vitit të kaluar. Gjon Bardhi, aktualisht kryetar bashkie në qytetin e Fushë-Krujës, deklaroi publikisht po atë ditë se preferon të mbajë postin që gëzon aktualisht si qytetar i parë i Fushë-Krujës. Qysh pas këtij vendimi mandati i Seserit vijon të qëndrojë i pazëvendësuar, gjë e cila ka hapur debate mes PD-së dhe PS-së. Vetë protagonisti i saj, kryebashkiaku i Fushë-Krujës Gjon Bardhi, e ka cilësuar lojë politike tejzgjatjen e procesit të zëvendësimit të Seserit në Kuvend. Ai ka akuzuar mazhorancën se po e përdor këtë çështje për ta lënë opozitën me një votë mangët deri në zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. “Nuk e shqetëson shumë zonjën Topalli në do të jetë Gjon Bardhi apo Edison Konomi deputet i parlamentit, por mendoj se është një lojë politike, një zvarritje, tërheqje vëmendjeje apo një shfrytëzim që duan të bëjnë për ligje të rëndësishme apo për zgjedhjen e presidentit. Për mua është shkelje e Kushtetutës që bën zonja Topalli apo Kuvendi i Shqipërisë duke ushtruar detyrat e tyre, kur Kushtetuta thotë se parlamenti përbëhet nga 140 deputetë, ndërkohë që votohen, miratohen ligje apo vendime të rëndësishme me 139 të zyrtarizuar”, - ka deklaruar ai. Ndërkohë mazhoranca ka një tjetër këndvështrim për çështjen. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj thotë se Gjon Bardhi më parë duhet të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të kryebashkiakut të Fushë-Krujës dhe më pas të bëjë çtë dojë me mandatin e deputetit.

Kodi Zgjedhor

Kodi Zgjedhor në nenin 164, pika 2, ka përcaktuar se edhe sikur deputeti që është zëvendësuar të mos paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve, pa kryer asnjë procedurë tjetër, Kuvend duhet ta konsiderojë vakant vendin e tij. Këtë përcaktim ligjor e sjell nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi, e cila mendon se nuk është e nevojshme që çështja të dërgohet në Kushtetuese. Afati ligjor është shkelur me rreth një muaj e gjysmë qysh kur Gjon Bardhit iu dha mandati i deputetit nga KQZ-ja. Subashi thotë se KQZ-ja është organ administrativ dhe nuk ka funksionet e gjykatës dhe, si rrjedhojë, ia kalon postin e deputetit kandidatit pasardhës në listën shumemërore, konkretisht Gjon Bardhit.

“Në zbatim të Kodit Zgjedhor Gjon Bardhit iu dha normalisht nga KQZ-ja mandati i deputetit duke ndjekur radhën në listë. Ai vendosi të zgjedhë qëndrimin në detyrën që ka, si kryetar bashkie dhe prandaj refuzoi me shkrim përpara Kuvendit marrjen e mandatit të deputetit duke dhënë praktikisht dorëheqjen nga ai mandat.”

Varianti i ri

“Sot kanë dalë me një variant të ri, që thotë se Gjykata Kushtetuese është shprehur, ndaj unë kërkoj ta shqyrtojmë atë vendim. Të bëhen këshillime me konstitucionalistë, Komisioni i Rregullores ti drejtohet Kuvendit, pasi nuk është ai që mund ta kthejë, as mund ta bllokojë. Janë të përcaktuara atributet e Komisionit të Rregullores.”

Bllokimi i reformave

“Zotëri, nuk është kjo mazhorancë që mund të pranojë ti diktohen rregullat siç i dikton ti në partinë e tënde. Kjo mazhorancë është e detyruar të respektojë ligjet e vendit. Nëse ti i bën, ose merr pjesë në reforma për hir të mazhorancës dhe e konsideron veten argat të mazhorancës, asnjë ditë mos bashkëpuno. Ne nuk e kemi opozitën argate.”

Aleanca Rama-Topi

“Gjithë beteja është se si të bashkojë aleatët me Bamirin dhe i la pa mend. I mbajti gjer tani me mashtrime, tani u thotë shkoni te Bamiri. Disa prej tyre, po të jetë puna për Bamirin, rrinë më mirë me Ramën. I del dhe Mefistoteli i PS-së, i cili i thotë se LMN-ja e përmbushi qëllimin e vet, paska qenë qëllimi i LMN-së të përjashtojë Kastriot Islamin?”

Deklarata: Në Turqi mbi 6 milionë shqiptarë

Berisha: Patriotët pa atdhe

janë fyer nga deklaratat e mia

Në mbledhjen e djeshme të ligjvënësve demokratë Kryeministri Berisha reagoi edhe për publikimin një ditë më parë në medie të deklaratës së tij në Turqi se shqiptarët kanë lidhje gjaku me turqit. “Meqenëse disa patriotë pa atdhe janë ndier të lënduar pse unë kam folur për lidhje gjaku, u them këtyre që shesin injorancën e tyre çdo ditë në shkrime se origjina e fiseve ilire dhe ajo e fiseve turke është qartësisht e njohur. Por të mendosh se vetëm gjaku i fiseve qenka lidhja e vetme e gjakut është qesharake, janë mbi 6 milionë shqiptarë në Turqi, me miliona martesa dhe është botërisht pasioni i turqve për të marrë shqiptare, e kanë këtë”, - theksoi Berisha. Sipas tij, janë të kota “pikëllimet” e historianëve, pasi në Turqi jetojnë më shumë shqiptarë se në Ballkan. “Në atë shtet ka më shumë shqiptarë se në Ballkan. Historia e dy vendeve është një histori që daton në shekuj. Shqiptarët ndihen krenarë me Skënderbeun, dhe kanë të drejtë, po nuk mund të injorojnë dhe Barbarosën, që ishte shqiptar, ishte zoti i deteve. Janë krenarë me Lekën, por nuk mund të mohojnë Sinan Pashanë, që zotëroi vendet nga deti Balltik në detet e Jemenit. Janë krenarë me Naimin, por nuk mund të injorojnë Samiun, ndër themeluesit e Turqisë moderne. Perandoria është në arkiv. Këto 100 vjet janë vitet e bashkëpunimit mes dy vendeve sovrane”, - tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›