E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet miku i “ujkut” dhe Emiljano Shullazit

09/04/2012  Me akuzën e pengimit në zbulimin e të vërtetës pas atentatit

Fshehu gjurmët e plumbave, përgatiti hakmarrje

Me akuzën e pengimit në zbulimin e të vërtetës u arrestua dje nga policia e Tiranës shtetasi Pajtim Serjani, 30 vjeç, i njohur si mik i ngushtë me Emiljano Shullazin dhe “ujkut” të “kafazit të artë”, person me precedentë të shumtë penalë. Ndalimi i Serjanit është bërë nga policia, pasi është mësuar se ai ka fshehur gjurmët e plumbave në makinën e tij pas atentatit të ndodhur të enjten. Pas ngjarjes, në tentativë për të fshehur krimin, Serjani ka mbyllur gjurmët e plumbave në makinën e tij, ndërsa zbulimi i këtij fakti nga policia ka sjellë edhe ndalimin e 30-vjeçarit që dyshohet se po përgatiste hakmarrje. Ngjarja është shënuar në orët e para të mëngjesit të së enjtes në rrugën “Tre Dëshmorët”, ku dy persona ende të paidentifikuar nga policia kanë qëlluar në drejtim të Serjanit, i cili ishte në makinë me një mikun e tij. Serjani nuk ka pësuar dëmtime. Nga ekzaminimi i vendit të ngjarjes janë gjetur 5 gëzhoja të një arme zjarri, ku dy prej plumbave kanë kapur makinën e 30-vjeçarit. Hetimet për zbardhjen e ngjarjes vijojnë. Më 29 dhjetor 2009 në Selitë 4 persona iu përgjigjën me breshëri armësh automatike shenjës për ndalesë nga një patrullë policie. Pak orë pas ngjarjes, si autorë të dyshuar të saj u arrestuan “ujku” Alban Rexha, Pajtim Serjani, 26 vjeç, Shamet Mejdani, 21 vjeç dhe E. Gega, 24 vjeç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›