Berisha, Ramës: Do ta bëj më zi se Skënderbeu otomanëve, jo me shpatë, por me votë
“Largohu nga bashkia dhe më dil ballë për ballë”
“Edhe socialistët e duan në shesh prijësin e tyre”
“Largohu nga bashkia dhe më dil ballë për ballë!” Ky është mesazhi i Kryeministrit Sali Berisha, drejtuar kundërshtarit politik, Edi Rama, të cilit i kërkon dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë. Sipas Berishës, edhe socialistët e duan në shesh prijësin e tyre. Madje, Berisha i kujtoi Ramës se më 28 qershor do t’ia bëjë më zi sesa ua ka bërë Skënderbeu otomanëve, jo me shpata, jo me topa, por me vota, me vota të lira dhe të ndershme. Nga Shënavlashi i Durrësit, Berisha ripërsëriti thirrjen që të largohet nga Bashkia e Tiranës përpara se të hyjë në fushatë si kandidat për Kryeministër. Gjatë ceremonisë së inaugurimit të një shkollë të re në këtë zonë, Berisha vuri në dukje se premtimet e mbajtura nga kjo qeveri gjatë mandatit të parë janë garanci e shpresa për mbajtjen e premtimeve edhe gjatë mandatit të dytë. “I kërkoj Ramës që të shkëputet nga karrigia e kryetarit të bashkisë dhe të përballet në garë me mua. I kërkoj Ramës që të mos fshihet pas karriges, por të dalë në shesh, pasi anëtarët e PS-së kërkojnë ta shohin prijësin e tyre”, - u shpreh Berisha. Në Shënavlash, ku inauguroi investimin prej 100 milionë lekësh në shkollën e re të komunës, Kryeministri Berisha bëri të qartë se në këto 4 vjet puna e tij ishte përmbushja e interesave më të mira të qytetarëve. Sipas tij, kjo është arsyeja e thjeshtë e fitores më 28 qershor përballë rivalit të tij, Edi Rama. Ashtu si në Krujë, Berisha përdori figurën e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. “Për mua dhe për ju, Skënderbeu është hyjni, është idhulli ynë, por unë atij do t’ia bëj më zi sesa ua ka bërë Skënderbeu otomanëve, jo me shpata, jo me topa, por me vota, me vota të lira dhe të ndershme”, - tha Berisha. Kryeministri e argumentoi këtë me faktin se qeveria e tij ka suksesin e reformave si çelës të fitores, kurse Rama, atë të shpifjeve dhe trillimeve. Duke përmendur si arritjen më të madhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, të cilën e quajti si pasaporta e re e shqiptarëve, Berisha foli dhe për lëvizjen e shpejtë të shqiptarëve pa viza në BE dhe integrimin e plotë në familjen evropiane. Kryeministri siguroi shqiptarët se gjatë mandatit të dytë do të ketë të tjera reforma të rëndësishme, teksa përmendi ato më të prekshmet për qytetarët, si rritja e pagave dhe pensioneve, barazimi i tyre mes të fshatit dhe qytetit pa ndërprerë rritjen e këtyre të fundit, rrugë të reja, furnizimin me energji dhe ujë 24 orë, hapje të reja për vende pune, strehim etj. "Rruga Durrës-Kukës-Morinë shkurton mbi 100 kilometra distancë, krahas faktit që parametrat e kësaj rruge janë për shpejtësi më të larta", - tha ai. E njëjta gjë, vuri në dukje kreu i ekzekutivit, do të bëhet me aksin Tiranë- Tepelenë, me “Rrugën e Arbrit” që afron Shkupin me Tiranën me 100 kilometra, me aksin Qafë Plloç-Qukës, që afron Korçën shumë ndjeshëm me Tiranën, me aksin Fierzë-Koman që shkurton distancën me 100 kilometra. Kryeministri nxiti nxënësit e kësaj shkolle, që të mos heqin dorë nga rruga e dijes. “Duhet të mësoni sa më shumë, pasi asgjë nuk përcakton më shumë shpejtësinë e zhvillimit të vendit sesa arsimimi juaj”, - u shpreh Kryeministri. Ai theksoi se zona e Shënavlashit është një zonë e zhvilluar nga dora dhe mendja e njeriut, e ndërtuar me vila dhe shtëpi të bukura. “Kjo është Shqipëria tjetër, jashtëzakonisht e ndryshme nga ajo që ne kemi pasur, jo 50 apo 30, por edhe 18 vite më parë. Kjo është, së pari, Shqipëria juaj, sepse ju keni në memorie vetëm këtë Shqipëri, jo atë të dikurshmen. Ju keni një start shumë më të fuqishëm, sepse e nisni jetën në një Shqipëri tjetër”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri siguroi vazhdimin e mbështetjes së gjithanshme të qeverisë për të nxitur garën e arsimimit në vend, garën e dijes, si promotor të zhvillimit të vendit.