E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Vlorë: Projekti ynë për Karaburunin



Lëvizja Socialiste për Integrim e ka vijuar fushatën e saj në Vlorë me prezantimin e “Planit për veprim”. Ilir Meta ka kërkuar votën e këtij qyteti, duke iu referuar planit të tij për një Karaburun turistik. Meta tha se “duke votuar për LSI dhe për Ilir Metën, vlonjatët do të votojnë për një nga projektet më të bukura dhe më përrallore që Ilir Meta dhe LSI kanë për Vlorën dhe për bregdetin tonë që është pikërisht shndërrimi i një gadishulli jashtëzakonisht të bukur, interesant dhe me potenciale të jashtëzakonshme turistike, që është ai i Karaburunit nga një gadishull që sot shërben vetëm për kullota në një nga perlat e Mesdheut për të zhvilluar turizmin”. Ai bëri të qartë se ndër planet e LSI–së për bregdetin është edhe bërja e një master-plani për shndërrimin e një gadishulli në një nga perlat e Turizmit. Meta theksoi se “Plani për veprim” i LSI-së synon të ofrojë perspektiva të reja për të gjithë shqiptarët, që sipas tij, është “një dinamikë krejt ndryshe nga ajo aktualja për ndryshimin e vendit, e cila nuk mund të vijë përmes fjalëve, deklaratave, përmes fjalimeve, por vetëm përmes “Kohës për veprim”. Kreu i LSI-së foli për objektivat e punësimit. “Së pari, për hapjen e 100 mijë vendeve të qëndrueshme të punës gjatë 4 viteve të ardhshme dhe, së dyti, një program i veçantë për të ndihmuar çdo familje që jeton në varfëri kritike dhe që nuk ka asnjë të punësuar të paktën përmes programit të punësimit jetik për një periudhë afatshkurtër t’i garantohet një punësim, i cili njëkohësisht do të japë mundësi për t’u kualifikuar për të hyrë në tregun e qëndrueshëm të punës në perspektivë”, - sqaroi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›