Rama: Më 28 qershor kthejmë faqen e historisë
Kryetari i PS-së, Edi Rama, premtoi dje politikë të re dhe një qeverisje të qytetarëve e për qytetarët
"Kryeministri ynë është, padyshim, i vetmi në Europë që nuk e di detyrën e tij"
TIRANË- "Është koha që ndryshimi të ndodhë, jo për të fituar përsëri politikanët, po për të mos humbur përsëri qytetarët". Kështu e ka nisur fjalën dje, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë Konferencës Kombëtare për Programin. Rama ka theksuar se prej 18 vjetësh politika e vjetër e ka kthyer qeverisjen në një lojë, që mund ta luajnë vetëm politikanët, ndërkohë që këtë lojë e paguajnë vetëm qytetarët.
"Unë kam hyrë në këtë garë për t'i ndryshuar rregullat e kësaj loje bashkë me qytetarët dhe për t'i dhënë bashkë me ju në 28 qershor Shqipërisë një qeverisje të qytetarëve, me qytetarët, për qytetarët", - tha ai. Rama shtoi se, Shqipëria është e etur për një politikë të re, që ka përmasën e ëndrrave dhe të shpresave të njerëzve. Kryetari i PS-së ka premtuar se ai do të jetë Kryeministri i ardhshëm i vendit.
"Unë do të jem Kryeministri i njerëzve që kanë nevojë prej 18 vjetësh për një shtet në shërbim të tyre dhe për një politikë të ëndrrave e të shpresave të tyre, e cila nuk bëhet në kutinë e televizorit për arsyet që na ndajnë në emër të së shkuarës, por mes njerëzve për zgjidhjet që na duhen në drejtim të së ardhmes",- tha ai
Fshati
Kryetari i PS-së theksoi se është koha që t'i kthejmë faqen e historisë fshatit shqiptar, duke ndryshuar rrënjësisht konceptin e zhvillimit të hapësirës rurale. "Më 28 qershor do të nisë një histori e re, historia e një aleance strategjike mes bujkut e fermerit shqiptar dhe shtetit të tij",- tha ai. Rama citoi se PS-ja do të ngrejë një ministri të posaçme për fshatin, që do të quhet Ministria e Zhvillimit Rural dhe do dyfishojë menjëherë buxhetin e bujqësisë, ndërkohë që të gjitha fondet që do të shpenzohen për hapësirën rurale do të menaxhohen si fond i integruar për ekonominë rurale.
Kryetari i PS-së i është drejtuar edhe Kryeministrit të vendit, Sali Berisha. "Ndërkohë që bredh fshatrave me gërshërë në dorë për të inauguruar copëra rrugësh komunale, gjë që është i vetmi Kryeministër në botë që e bën, Kryeministri ynë është padyshim i vetmi në Europë që nuk e di detyrën e tij", - tha Rama. Ai shtoi se Kryeministri s'ka për të bërë asgjë për kostot marramendëse të prodhimit bujqësor e blegtoral. "Madje është i vetmi Kryeministër në botë që ka taksuar naftën për peshkimin. Është koha të kthejmë faqen e historisë së keqqeverisjes së tokës e të detit shqiptar, duke i kthyer bujqësinë, blegtorinë e peshkimin në prioritete që do të rrisin sovranitetin ushqimor të vendit dhe të familjeve shqiptare",- tha ai.
Për këtë arsye, Rama shtoi se, 28 qershori do të jetë fillimi i fundit të kësaj përpëlitjeje 18-vjeçare. "Asnjë bujk dhe fermer nuk do të jetë pa certifikatën e pronësisë mbi tokën. 18 vjet pas ligjit 7501, ne do të sigurojmë zbatimin përfundimtar të këtij ligji, duke i dhënë fund ankthit, talljes e poshtërimit 18-vjeçar të qindramijëra bujqve e fermerëve që janë dhe s'janë zotë të tokës së tyre",- tha Rama, fjala e të cilit u mbështet nga delegatët e ardhur nga 12 qarqet e vendit.
Kryetari i PS-së u ka kushtuar rëndësi edhe nënave të reja. "Çdo nënë e re që sjell gëzimin e lindjes së një fëmije në një familje të varfër, do të përfitojë nga barrëlindja njësoj si çdo grua tjetër në këtë vend, duke gëzuar mbështetjen tonë gjatë gjithë vitit të lejes së lindjes", - tha ai.
Shëndetësia & Arsimi
Sa i përket sistemit shëndetësor, Rama premtoi një shërbim shëndetësor universal. "Jo më sigurime shëndetësore, po financim publik i shëndetësisë sipas një modeli të suksesshëm dhe gjithnjë e më të përhapur evropian",- tha ai. Kryetari i PS-së, Edi Rama, foli gjatë dje edhe për arsimin në vend. Rama theksoi se qeverisja aktuale nuk e qeveris arsimin, ndaj dhe shkolla shqiptare, sipas tij, ka mbetur vetëm përballë problemeve të saj.
"Mbi Shqipërinë tonë, në shekullin XXI, është rikthyer e po zgjatet përditë hija e turpshme e analfabetizmit. Numri i fëmijëve në moshën e arsimit të detyrueshëm që nuk dinë shkrim e këndim është sot, në vitin 2009, më i larti i gjithë viteve të tranzicionit, ndërkohë që 12% e popullsisë mbi 15 vjeç identifikohet analfabete",- tha Rama, duke shtuar se, numri i nxënësve që nuk e mbarojnë arsimin e detyrueshëm ka arritur deri në 50%. Por, ndryshimi i 28 qershorit, sipas Ramës, do të shënojë kthesën e madhe në arsimin shqiptar.
Gërdeci
"Vullkani i korrupsionit që shpërtheu në Gërdec, duke vrarë 26 shqiptarë të pafajshëm, po nxjerr përditë mbi sipërfaqe blozën e oxhakut familjar që qeveris Shqipërinë. Për ta mbuluar këtë blozë nga fytyra e qeverisë së tij, Sali Berisha nxin përditë me zhargonin vulgar të politikës së vjetër modelin tonë të suksesit, Bashkinë e Tiranës dhe derdh përditë mbi Partinë Socialiste baltën e mllefin e dëshpërimit të tij",- tha Kryetari i PS-së, Edi Rama.
"E ka marrë përgjigjen tre herë nga populli i kryeqytetit. Do ta marrë këtë radhë nga populli i gjithë Shqipërisë",- shtoi ai. Kryetari i PS-së tha se Tirana nuk mund të lihet peng edhe një herë tjetër "në duart e njeriut që i hapi rrugë Gërdecit, duke u mbyllur sytë e lidhur duart 11 institucioneve të shtetit, për hesap të një biznesi familjar, që është biznesi i tij, i Sali Berishës". Rama ka ftuar shqiptarët që ta ndërmarrin së bashku rrugën e re. "Kjo është koha jonë dhe ne do të fitojmë, sepse Shqipëria nuk mund të humbasë", - përfundoi Rama.