Rama nuk bën dot pa të vjetrën, hap fushatën me Meidanin
Rifiton besimin e ish-presidentit, shmang Fatos Nanon
Ekipi i fushatës me shumë teknikë, pak socialistë
Trumbeton një politikë të re, duke akuzuar politikën e vjetër. Afirmon njerëz të rinj, duke anashkaluar të vjetrit. Por Edi Rama, kryetar i ri i Partisë Socialiste, e ka kuptuar që s’bën dot pa të vjetrën, duke zgjedhur të hapë fushatën elektorale pikërisht me një nga njerëzit më të vjetër në këtë parti, Rexhep Meidanin. Ish-presidenti është rikthyer sërish në krah të Ramës pas kritikave të shumta ndaj tij për politikat jo të qarta që po ndjek në drejtimin e partisë. Por dje, Meidani ka qenë krejt i lumtur që ishte në tribunën e Konferencës Kombëtare të PS-së, ku ka shërbyer si një urë lidhëse mes imazhit të ri që kërkon të ndërtojë Rama dhe organikës së vjetër të partisë. Ka qenë një hap pas ky i Ramës në pranimin e kontributeve të paraardhësve. Por dukej se ishte më shumë një gjest për fushatë sesa një kthesë e vërtetë mendimi e kryetarit të ri drejt pranimit të kujtesës politike të partisë që drejton. Pavarësisht pranisë së Meidanit, ai nuk ka arritur akoma të pranojë ish-liderin historik të kësaj partie, paraardhësin e tij, Fatos Nano. Ai nuk ka pasur një ftesë në çeljen e fushatës së majtë, duke dhënë shenja të qarta për moskandidimin e tij në këto zgjedhje.
Konferenca
Por pavarësisht daljes publike dhe fjalëve të mira të thënë nga Meidani, takimi i djeshëm është dominuar sërish nga prurjet e Ramës në parti. Paneli i prezantimit të programit politik ishte i përbërë nga teknikë, njerëz të afërt të Edi Ramës që kanë ardhur së fundmi në PS dhe të cilët ai i paraqet si ministrat e ardhshëm të tij. Të vetmit deputetë aktualë socialistë në këtë panel ishin Arben Malaj dhe Andis Harasani dhe gjithashtu rikthimi në këtë parti i ish-guvernatorit Shkëlqim Cani. Një qeverisje ndryshe: në shërbim të qytetarit, garant të pronës, pa centrale bërthamore, gjyqësor të pavarur, media të çliruar nga zinxhirët, ristrukturim policisë dhe një epokë të re universitare - kjo është çka programi i Partisë Socialiste do të ofrojë pas fitores së zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetari socialist, Rama, bëri premtime për disa sektorë jetikë të vendit, si arsimi, shëndetësia etj. Ai ka bërë të qartë ambicien për t’u bërë Kryeministër, paçka se nuk do të garojë vetë në zgjedhje, duke mos hequr kështu dorë nga Bashkia e Tiranës.
Ekipi që prezantoi programin
Ekonomia: Arben Malaj, Rudina Seseri, Shkëlqim Cani, Andis Harasani
Mjedisi: Besnik Bare, Anxhela Xhindoli
Kohezioni social: Eglantina Gjermeni, Shega Ligori
Zhvillimi rural dhe bujqësia: Bizena Bio, Rezear Kola, Ervin Bushati
Shëndetësia: Ilir Beqja, Silva Bino
Integrimi: Ditmir Bushati, Genti Tare
Edukimi: Ledi Shamku, Alma Shazi
Shanset e barabarta: Shega Ligori
Konferenca e PS, Rama: Koha të qeverisim ndryshe jo si Gërdeci, por si Tirana
Meidani i jep Ramës librin e “Rekomandimeve”
Ish-presidenti Rexhep Meidani i dorëzoi dje kreut të PS-së, Edi Rama, librin e re komandimeve me mendime nga ekspertët që kanë marrë pjesë në tryezat e debatit të organizuar nga PS. “Partia jonë Socialiste është më shumë se vetëm një parti politike. Ajo që ne besojmë është shumë më e madhe se vet politika. Ajo që na bashkon ne socialistëve e progresistëve është më shumë sesa vetëm tradita. Besimet tona janë të forta dhe të bazuara në vlerat themeltare të demokracisë, lirisë, solidaritetit dhe të drejtave për të gjithë njerëzit”, - tha Meidani, i cili flet në një podium të PS-së pas shumë vitesh largimi prej saj. Ai tha më tej se “ne të gjithë dëshirojmë që Shqipëria të ecë në rrugën e përparimit e progresit, duke ndërtuar shkolla më të mira për fëmijët tanë, duke siguruar një sistem pensionesh që mundëson kujdes dhe demonstron respektin që të moshuarit meritojnë, një sistem të kujdesit shëndetësor të arritshëm dhe të mundshëm për të gjithë shqiptarët etj.”.