Zgjedhjet, Berisha bllokon rrjedhjet brenda PD-së
Udhëzim për kandidimin vetëm nën siglën e PD-së
Deputetët nuk mund të kandidojnë për parti të tjera
Lideri demokrat Sali Berisha bllokon rrjedhjet brenda PD-së vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Askush nga deputetët aktualë nuk mund të kandidojë tek partitë e tjera. Gjithnjë, nëse ndonjëri prej tyre nuk do figurojë në listën e re të PD-së. Z. Berisha u ka bërë parapritë përmes një udhëzimi të shpërndarë të gjithë anëtarëve të grupit parlamentar, ku çdo deputet i PD-së ka firmosur kandidimin në zgjedhjet e 28 qershorit, vetëm nën siglën e kësaj partie. Në këtë mënyrë, “Dushku” i 3 korrikut të 2005-s nuk do të përsëritet më 28 qershor të 2009-s. Shembullin e parë e jep vetë kryetari i PD-së, Berisha, ku në rast të mospërfshirjes në listën e re të PD-së, deputetët e saj nuk do të mund të kandidojnë për parti të tjera. Kjo, për shkak se kanë firmosur një udhëzim, i cili u bën të qartë se më 28 qershor janë kandidatë të PD-së. Ky udhëzim u është shpërndarë të gjithë anëtarëve të grupit parlamentar të partisë në pushtet, mbi të cilin kanë firmosur kandidimin, pavarësisht se disa prej tyre mund të mos përfshihen në listën e kandidatëve të ardhshëm ose mund të jenë të fundit në listë në nivel qarqesh. Burime brenda grupit parlamentar demokrat bëjnë të ditur se një udhëzim i tillë ka si qëllim pengimin e kandidimit të tyre nën një sigël tjetër partie, nëse ata nuk janë pjesë e listës së re të 28 qershorit. Kjo, për faktin se një fenomen i tillë është vënë re gjatë zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, ku shumë demokratë pasi nuk u futën në listën e PD-së, kandiduan për parti të tjera aleate. Partia Republikane ishte subjekti politik që kandidoi më shumë demokratë në listën e saj të 3 korrikut. Në një farë mënyre, ishte “Dushku” që favorizoi e majta, atëherë në pushtet, që diktoi dhe këtë mënyrë kandidimi që tjetërsonte identitetet politike të partive. Por tashmë kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka vendosur që brenda të vetëve të mos përsëritet më një gjë e tillë. Berisha i ka bërë parapritë kësaj lloj gare pikërisht duke u shpërndarë deputetëve të PD-së udhëzimin përkatësi, i firmosur pa përjashtim nga i gjithë grupit parlamentar. Madje, në këtë udhëzim kërkohet jo vetëm emri dhe firma, por edhe adresa përkatëse e gjithsecilit deputet. Firma e hedhur në këtë shkresë i ndalon ata që të hyjnë në garën e 28 qershorit nën emrin e ndonjë partie tjetër. Pjesa dërrmuese e deputetëve të PD-së janë ende të pasigurt nëse do të përfshihen në listën e 28 qershorit, por prej ditësh brenda PD-së kishte zëra se shumë nga ata që nuk do jenë në këtë listë, janë gati të konkurrojnë për partitë e tjera të koalicionit. Por firma e hedhur mbi udhëzuesin më të ri pas seancës parlamentare të së premtes, ua ndalon atyre kandidimin jashtë Partisë Demokratike. Gjithsesi, enigma e përfshirjes ose jo në listën e re, do të zbardhet në mbledhjen e kryesisë së PD-së, forumi më i lartë i demokratëve që miraton emrat që do të garojnë përballë së majtës në zgjedhjet e 28 qershorit. Ditën e martë, në orën 12:00 skadon edhe afati i fundit ligjor për dorëzimin e listës së kandidatëve nga partitë politike. Pikërisht dy ditë para dorëzimit të emrave që do i konfirmojnë PD-së mandatin e dytë qeverisës, lideri i mazhorancës, Sali Berisha, ka mundur të bllokojë kandidimin e të vetëve tek partitë e tjera. Duket se PD-ja do të shfrytëzojë limitet e fundit të kohës, për të çuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve të saj për deputetë në Kuvendin e ri të Shqipërisë. Lideri i PD-së, Sali Berisha ka paralajmëruar se lista aktuale do të pësojë ndryshime, duke lënë të kuptohet qartë se do të ketë prurje të reja, gjë që do të rrisë dhe cilësinë e Parlamentit të ri shqiptar. Aktualisht të sigurt në këtë listë janë ministrat, anëtarët e kryesisë së PD-së, të cilët janë të shpërndarë në grupe pune në të gjitha qarqet e vendit dhe prej kohësh ata zhvillojnë takime me qytetarët shqiptarë, para të cilëve po prezantojnë arritjet e qeverisë “Berisha” dhe projektet për mandatin e dytë qeverisës.