Letra e PS-së, Pone jep të dhëna gjysmake
Në mënyrë krejt të papritur dhe të paargumentuar, Pone në letrën e tij sqaron se deri në 260.000 shkon numri i personave pa pasaportë që ndodhen jashtë
TIRANË- Ministria e Brendshme nuk e pranon dështimin e evidentuar prej socialistëve dhe e konsideron thuajse të realizuar procesin e pajisjes së shtetasve pa pasaportë me letërnjoftime elektronike.
Nuk kemi të bëjmë me një pohim të drejtpërdrejtë të kësaj ministrie, por me një rezultat matematikor që del nga krahasimi i shifrave zyrtare të vet këtij institucioni, të personave që nuk kanë pasaportë, atyre që kanë aplikuar dhe atyre që për arsye të ndryshme nuk gjenden brenda kufijve të Shqipërisë dhe që sipas këtij institucioni s'mund të bëhen pjesë e këtij procesi.
Letra
Në përgjigje të letrës së dërguar dy ditë më parë prej selisë rozë, Ministria e Brendshme ka informuar këtë të fundit, por edhe gjithë opinionin publik dhe atë ndërkombëtar se deri më datën 26 maj 2008, numri i shtetasve, që kanë aplikuar për kartë pranë stacioneve të aplikimit, është 1.1 milionë shtetas, nga të cilët pretendon se 450 mijë janë zgjedhës që nuk kanë një pasaportë, si mjet i nevojshëm për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
"Deri në datën 26 Maj 2009 kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 1 100 173 shtetas, nga të cilët 979 763 janë hedhur në sistemin e kontrollit të dokumenteve, prej të cilëve 404 956 janë identifikuar se i përkasin grupit të qytetarëve që janë pa pasaportë.
Duke pasur parasysh shumën e përgjithshme 1 100 173 të personave që kanë aplikuar, do të thotë se totali i përgjithshëm i personave pa pasaportë që kanë aplikuar deri në datën 26 Maj 2009 është rreth 450 000", - informon Ministria e Brendshme në materialin e saj përmbledhës që ia ka vënë në dispozicion si medias ashtu edhe Partisë Socialiste.
Ndërkohë, ky institucion i bënë me dije socialistëve se numri prej 450 mijë shtetasish pa pasaportë që kanë aplikuar përbënë një shifër të konsiderueshme që shkon drejt shterimit të të gjithë shtetasve që s'kanë pasaportë dhe që gjenden aktualisht në Shqipëri.
Kjo pasi për Ministrinë e Brendshme nga numri total prej 740 mijë shtetasish që gjenden pa pasaportë, rreth 260 mijë prej tyre nuk kanë mundësi të aplikojnë për shkak se gjenden në emigracion të paligjshëm në vendet fqinje.
"Ne besojmë thellë se një numër i konsiderueshëm i atyre që rezulton të mos e kenë një pasaportë udhëtimi, të jenë jashtë Shqipërisë si pasojë e emigracionit të paligjshëm të ndodhur prej më shumë se 15 vitesh.
Disa testime provojnë se ky numër luhatet nga 160 000 deri në 260 000", bënë të ditur zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni në letrën që i ka dërguar PS-së, dhe jo Ministri i Brendshëm.
Kështu duke zbritur nga numri total prej 740 mijë shtetasish pa pasaportë, 450 mijë që kanë aplikuar dhe 260 mijë shtetasit e tjerë që mendohet se gjenden në emigracion del se mbeten për të aplikuar edhe vetëm 30 mijë shtetas pa pasaportë që gjenden në Shqipëri.
Pritshmëria
Në përgjigjen që Pone i ka drejtuar Partisë Socialiste ka zbuluar edhe një fakt interesant që lidhet me pritshmërinë që kanë pasur dy partitë e mëdha për këtë proces.
Ai bënë të ditur se gjatë negociatave dy paleshe për kartat, por edhe në takimet që përfaqësues ndërkombëtar kanë pasur me drejtuesit socialistë për procesin e pajisjes së qytetarëve me karta, këta të fundit janë shprehur se nuk prisnin, që të aplikonin më shumë se 500 mijë shtetas pa pasaportë.
"Në korrespondencën e Partisë Socialiste drejtuar grupit negociator për çështjen e kartave, ju citoni se prisni që nga grupi i qytetarëve pa pasaportë të paraqiten për aplikim jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) të tillë. Shifër të cilën e kanë konfirmuar edhe diplomatë të huaj pas takimeve me ju.
Besojmë se në këtë përcaktim Kryetari juaj nuk ka nënkuptuar diçka tjetër përveçse mungesës në Shqipëri të rreth 260 000 personave nga ky grup", - thuhet në letrën e Pones.
Ndërkohë që lidhur me tre kërkesat e tjera që përmbante letra e socialistëve, Ministria e Brendshme ka kthyer një informacion jo të plotë, pasi ka vënë në dispozicion vetëm listën nominale të të gjithë shtetasve pa pasaportë që kanë aplikuar, ndërsa listën e personave, që kanë marrë letërnjoftimet ajo thekson se një informacion i tillë është duke u përpunuar.