E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli tek "Durrës-Kukës"

Tiranë - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cilësoi autostradën Durrës-Kukës, si kolosin infrastrukturor më të madh që ka njohur Shqipëria. Burime zyrtare nga Kuvendi, bëjnë të ditur se Topalli, gjatë inspektimit të punimeve në aksin rrugor Rrëshen- Kalimash, u takua me drejtues të këtij projekti, me të cilët bisedoi mbi ecurinë e punimeve në këtë vepër. Menaxheri i projektit, Michael Suinford, e cilësoi veprën Durrës-Kukës, projektin më sfidues në eksperiencën e tij 30-vjeçare në ndërtim.

"Puna që është bërë këtu në Shqipëri është mahnitëse. Ky është projekti më i madh i këtij lloji i ndërmarrë në këtë vend dhe në mbarë botën", u shpreh Suinford. Ai theksoi se "projekti do të ishte i pamundur pa mbështetjen e qeverisë. Pa pjesëmarrjen 100% të saj ne nuk do të kishim përfunduar atë që kemi bërë në këto 2 vjet. Këtu punojnë 3 800 njerëz, nga të cilët 60 % janë shqiptarë, që punojnë 24 orë në ditë dhe 30 ditë në muaj".

Duke e cilësuar këtë rrugë si një mrekulli infrastrukturore dhe një projekt kolos, Kryetarja e Kuvendit tha se ai "është një gjigand që bashkon kombin tonë. Është një gjigand me perspektivë zhvillimi ekonomik të Shqipërisë, të porteve të rajonit, për të cilin nuk gjej dot fjalë për ta përcaktuar realisht". "Ndërsa për drejtorin e projektit kjo vepër ka qënë një sfidë profesionale, për ne shqiptarët ishte një objekt që mund të mendohej se mund të bëhej pas 20 viteve.

Ndërkohë që është bërë në një periudhë kaq të shkurtër dhe me një intensitet kaq të lartë për t'u bërë e mundur të mbyllet në qershor", tha Kryeparlamentarja Topalli. Kryetarja Topalli, njëkohësisht nënkryetare e PD-së, duke iu referuar akuzave të opozitës për rrugën Durrës-Kukës, tha se ajo "po ndërtohet megjithë helmin që hedh kryetari i bashkisë së Tiranës, me llumin që përpiqet të lëshojë e me duart që i ka bërë gjithë baltë, sepse hedh baltë çdo ditë mbi këtë rrugë, që ka sjellë zhvillim ekonomik dhe rritje të ardhurash".

Autostrada Durrës-Kukës, që pritet të inaugurohet në muajin qershor, ka një gjatësi prej 170 kilometrash, ka 2 tunele me nga 5.5 kilometra gjatësi secili, 27 ura, ku më e gjata është 360 metra dhe më e larta 80 metra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›