Bojkoti nuk përkrahet as nga socialistët e Asamblesë së KiE-së
Deputetët e Partisë Socialiste, Arta Dade, Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj, morën pjesë në mbledhjen e grupit socialist të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku bënë një prezantim të qëndrimit politik të PS-së pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Nga ky takim kanë ardhur të dhëna kontradiktore. Ndërkohë që përfaqësues të delegacionit parlamentar shqiptarë, deputetë të PD-së, thanë se deputetët socialistë evropianë kanë dalë hapur kundër bojkotit, PS flet për një mbështetje të plotë nga ana e tyre për kërkesën e PS-së për hetimin e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive. Sipas njoftimit zyrtar të PS-së: “Në këtë takim deputeti britanik John Prescot, i cili theksoi se gjithçka ka ndodhur në Shqipëri me zgjedhjet dhe procedurat gjyqësore postzgjedhore është një kopje e Armenisë, pra nuk ka asnjë dyshim se ka pasur manipulime dhe ndryshim të vullnetit të zgjedhësve. Ne nuk duhet të lejojmë që kriza në Shqipëri të përshkallëzohet sikurse ndodhi edhe në Armeni, ku situata degradoi në konflikt dhe humbje jetësh njerëzore”. Ndërkaq, deputetja e PD-së, Mesila Doda, që ndodhet në Strasburg tha: "Nga sa mësuam nga kolegët mbi seancën dëgjimore, qëndrimi i PS-së ka qenë i rreptë. Mësuam se në këtë seancë kanë ndërhyrë deputetë britanikë, polakë, estonezë, duke u shprehur se bojkoti është i dëmshëm dhe kontradiktor, sepse nga një anë kërkohet komision hetimor dhe nga ana tjetër nuk hyn në Kuvend".
Edhe Kryeministri Berisha komentoi takimin e delegacionit të PS-së në Strasburg. Ai tha se “përfaqësuesi britanik u tha se Rama është tepër kontradiktor, kur thotë pranoj rezultatin dhe se nuk hyj në Parlament. Ky përfaqësues i lartë i Mbretërisë së Bashkuar u shpreh se nëse Rama është kaq i zoti, të hyjë në garën e ardhshme dhe të fitojë, sikurse bëri Berisha, pas 8 vitesh në opozitë”. Duke marrë shkas nga kjo Berisha shtoi: “Imagjinoni, ata (socialistët) më kanë përshkruar mua si diktatorin më të egër, Enverin e paraqisnin si lule para meje. Përfaqësuesi britanik u thotë se ai ishte në opozitë dhe erdhi në pushtet”.