E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Ramës: Lëri kutitë, ti vëmë bitum sheshit Skënderbej

Ruçi, Kryeministrit: Mos hidh shashka, bëj transparencë

Kryeministri Sali Berisha ka prishur traditën e tij në Kuvend, duke mos iu përgjigjur akuzave të deputetëve socialistë, të cilët kërkojnë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, por ia ka arritur në njëfarë mase ta zhvendosë debatin politik, për ta fokusuar në konfliktin e fundit për sheshin “Skënderbej” mes qeverisë dhe bashkisë. Pavarësisht përpjekjes së parlamentarëve të opozitës për ta mbajtur fort kartën politike të transparencës, Kryeministri Sali Berisha i ka dhënë një qëndrim politik, që në fakt përbënte një paralajmërim për aksionin e afërt të qeverisë. Kreu i qeverisë shqiptare, edhe pse kërkoi një dialog me kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për strategjinë e sheshit, ka bërë të ditur në fund të fjalimit: “Tani për tani t’i vëmë një shtresë bitum dhe më pas të vendosim për strategjinë afatgjatë të sheshit”. Duke marrë fjalën në Kuvend, menjëherë pas diskutimit të deputetit socialist, Ilir Beqja, i cili hodhi jo pak akuza ndaj qeverisë, duke përmendur disa herë kreun e saj, Berisha si rrallëherë nuk i është përgjigjur dhëmb për dhëmb, por ka përdorur “rrugën dytësore” për të bërë politikë. Duke iu rikthyer debatit të hapur për sheshin “Skënderbej”, Kryeministri deklaroi se nuk dëshiron të marrë kompetencat e bashkisë, por bëri të ditur se sheshi nuk i takon vetëm pushtetit vendor, por gjithë kombit. Berisha i ka vënë dy kushte kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama: “Zgjidh trafikun nëse sheshin e lë për këmbësorë dhe rihap tregun”. Kryeministri shqiptar ka deklaruar se kërkonte që të rikthehej struktura tregtare që ka pasur sheshi “Skënderbej” para Luftës së Dytë Botërore, të cilën shqiptarët e njohin si “Pazari i Vjetër” i Tiranës. Berisha ka deklaruar se është i gatshëm që qeveria qendrore të akordojë fonde shtesë për sheshin kryesor të kryeqytetit, me kusht që të kryhet një studim i qartë. Kryeministri e ka theksuar shkoqur se nuk pajtohet me projektin e Bashkisë së Tiranës, edhe pse ai është bërë me tender ndërkombëtar. “Le t’i hedhim njëherë një shtresë bitum dhe më pas të bëhet studimi”, theksoi Berisha. Pas Kryeministrit ka replikuar menjëherë kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili e ka akuzuar Berishën se kërkon të hedhë “shashka politike” për të shmangur vëmendjen nga kutitë. “Kush foli? Pse? Dhe Ku? Pyeti numri dy i socialistëve shqiptarë, i cili ka përdorur një anekdotë për të polemizuar me kreun e mazhorancës. “Një shkodran më telefonoi gjatë përmbytjeve dhe më tha që pse ju socialistët kërkoni të hapni kutitë, pasi Berisha nga inati hapi portat dhe na përmbyti”, deklaroi Ruçi, i cili më pas e akuzoi Kryeministrin që nuk po dëgjon mesazhin e opozitës për të arritur një zgjidhje të krizës politike. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste kërkoi nga kreu i Kuvendit që të respektonte rendin e diskutimeve të deputetëve të PS-së. Grupi parlamentar i opozitës ka marrë pjesë dje vetëm në seancën e diskutimeve të lira në Kuvend, ku thuajse të gjithë kanë kërkuar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe e kanë akuzuar mazhorancën për shkeljen e procedurave parlamentare. Deputeti socialist, Fatmir Xhafa, i cili duke iu referuar seancës së 19 marsit e cilësoi si “e premtja e zezë e Kuvendit të dhunuar është një provë tjetër dhe një arsye logjike e politike më shumë për opozitën që të deklarojë se marrëdhënia e saj me Kuvendin kalon vetëm dhe vetëm në një shtrat: transparencën e plotë dhe pa kushte të mashtrimit elektoral të 28 qershorit. Një transparencë që garantohet vetëm nëpërmjet hapjes së kutive që ende mbani peng! Si dhe shumë kolegë të mi, kam denoncuar politikisht dhe publikisht veprimin parapolitik të Kryetares së Kuvendit në momentin e hedhjes në votim të dy iniciativave tona ligjore: projektligjit dhe projektvendimit”. Ndërkaq, në diskutimin e tij, deputeti socialist, Alfred Dalipi, ka shkuar më larg kur ka shtruar 3 pyetje: 1. Më 28 qershor u bënë zgjedhje apo u bënë vjedhje?

2. Zgjedhjet apo vjedhjet mund t’i hetojë një komision gjysmak si ai që aprovoi ky Kuvend dy javë më parë? Dhe e treta nëse zgjedhjet nuk hetohen, a do të ketë përpjekje për marrje të pushtetit me dhunë? Deputetja Ermelinda Meksi deklaroi në fjalën e saj se “mungesën e transparencës ne e shohim sot si një fi lozofi të mazhorancës suaj, me kosto shumë të lartë për shqiptarët. Kjo mungesë transparence nuk mund të interpretohet ndryshe, por veç si një përpjekje për të fshehur korrupsionin, paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›