E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksportet, vijon kriza e fasonistëve

Punëdhënësit më të rëndësishëm në Shqipëri vijojnë të përballen me mungesë porosish nga jashtë

Gjetja e tregjeve të reja, përveç atyre tradicionale, nga ana e kompanive shqiptare që prodhojnë veshje dhe këpucë me porosi për tregjet europiane, duket se nuk i ka ndihmuar ato të kapërcejnë vështirësitë e krijuara nga kriza. Statistikat e detajuara mbi tregtinë e jashtme të publikuara dje, tregojnë se eksporti i grupit “Tekstile dhe këpucë” gjatë muajve janar-shkurt, pati rritje statistikore prej 11 për qind, por që pasqyron vetëm ndryshimin e kursit të këmbimit. Rritja reale e eksporteve në krahasim me vitin e kaluar është pothuajse zero, ndërsa mbeten ende 25 për qind më të ulëta se sa në vitin 2008.

Kriza goditi eksportet shqiptare që në tetor të vitit 2008 dhe shënoi kulmin në shkurt të vitit 2009, kur pjesa dërrmuese e kompanive të sektorit filloi shkurtimin e vendeve të punës e një pjesë e tyre shpallën falimentin. Shkaku kryesor ishte rënia e kërkesës për veshje dhe këpucë nga Italia. Fasonistët në Shqipëri importojnë lëndën e parë dhe modelet nga porositësit në Europë dhe i eksportojnë produktet e gatshme ose gjysmë të gatshme. Ekzistenca e këtij tregu varet nga kostoja e ulët e krahut të punës në Shqipëri, si dhe afrimësia me tregjet europiane në krahasim me Kinën e Vietnamin.

Industrialistët e kësaj fushe u përpoqën të përshtaten me kushtet e reja, duke kërkuar porositës të rinj në vende të ndryshme nga tregjet tradicionale, si Italia dhe Greqia. Vitin e kaluar, kontrata të reja u siguruan në Spanjë, Zvicër e Holandë dhe kjo strategji rezultoi e suksesshme. Gjatë periudhës janar-shkurt të këtij viti, drejt Zvicrës u eksportuan 1.1 miliardë lekë mallra, ndërkohë që një vit më parë, eksportet patën qenë praktikisht zero. E njëjta gjë ndodhi edhe me Spanjën, ku u eksportuan 778 milionë lekë mallra. Megjithatë, këto përpjekje thjesht sa ndalën rënien e mëtejshme të eksporteve të këtij sektori, por nuk arritën ta kthejnë industrinë në rrugën e rritjes.

Eksportuesit shqiptarë të këpucëve kanë përfituar këtë vit edhe nga fakti që Bashkimi Europian ka vendosur një taksë doganore ekstra prej 20 për qind për këpucët që prodhohen në Kinë dhe Vietnam. Fasonët janë punëdhënësit më të mëdhenj në Shqipëri. Një shoqatë që përfaqëson interesat e tyre, vlerëson se ky sektor ka arritur të punësojë deri në 100 mijë veta me kohë të plotë apo të pjesshme para krizës së fundit botërore, ndërsa mbi 10 mijë vende pune janë mbyllur pas fillimit të krizës.

Bum eksportesh tek energjia

Ndërsa fasonët kanë ecur keq ose shumë keq, eksportet energjetike të Shqipërisë kanë pësuar një rritje marramendëse prej 242 për qind. çmimi gati dy herë më i lartë i naftës bruto të Patos-Marinzës që eksportohet në Itali, si dhe shirat e rrëmbyeshëm të fillimit të këtij viti, sollën eksporte të përgjithshme prej 38 milionë eurosh vetëm për dy muajt e parë të vitit. Korporata Elektroenergjetike shqiptare ka qenë përgjegjësja kryesore e rritjes së eksporteve. Por për fat të keq kjo rritje nuk ka shkaktuar shtim të vendeve të punës për shqiptarët dhe nuk ka pasur impakt social.
Eksportet totale të Shqipërisë për këtë periudhë qenë rreth 151 milionë euro, nga 114 milionë që patën qenë një vit më parë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›