Berisha, Ramës: Lëri traktet
Berisha vazhdon komunikimin në distancë me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Shefi i qeverisë, nga mbledhja e Këshillit të Ministrave ftoi kryesocialistin Rama për bashkëpunim, por edhe ironizoi qëndrimet e tij të fundit për zhvillimin e protestave. "Edhe një herë gjej rastin të ftoj opozitën për bashkëpunim, t‘i lërë praktikat të cilat i ka gjetur vetë si pemë pa kokrra. Po më kujton mitingun e datës 4 prill, kur vendi anëtarësohej në NATO, bënte miting proteste. Tani në vend që të festojmë, siç e ftova të dalim së bashku ta përshëndesim këtë akt, shpërndan trakte te Komuna e Parisit", tha Berisha. Sipas Kryeministrit, ky nuk është roli që duhet luajtur në shoqëri. "Komuna e Parisit është arkivuar në histori me Gavrosh dhe San Kylo e të tjerë. Tani është periudha e idealeve europiane dhe nuk ka ideale më të dëshiruara për çdo qytetar shqiptar", tha Berisha. Dje, Edi Rama zhvilloi takime me qytetarët "derë më derë", duke shpërndarë ftesat për pjesëmarrje në mitingun e madh të datës 20 nëntor.