E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maroni: Luftoni krimin e organizuar dhe mafien

Shqipëria e meriton plotësisht heqjen e regjimit të vizave "Shengen", me gjithë burokracitë që paraqet ky proces nga Bashkimi Europian. Një fakt të tillë e ka pohuar në Tiranë, ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, pas një takimi që ka zhvilluar me homologun e tij, Lulzim Basha. Maroni zhvilloi edhe një takim me kryeministrin Sali Berisha ku mbështeti nevojën e rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit të policive dhe agjensive të vendeve tona në goditjen e krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe në veçanti koordinimit në masat shtrënguese kundër pasurisë të fituar në mënyrë kriminale. Maroni u shpreh se mënyra me efikase e luftës kundër mafies është konfiskimi i te ardhurave kriminale. Në fjalën e tij ai ka shprehur sigurinë maksimale se gjatë vitit të ardhshëm nga Bashkimi Europian do të hiqen vizat edhe me Shqipërinë, ashtu siç u bë pak ditë më parë me tre vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. "Burokracia e Brukselit është ca e ngadaltë, - pranoi ai, - por nuk shoh më asnjë pengesë në vendimin e Komisionit Europian për Shqipërinë". Ndër të tjera, ministri italian tha se futja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian rrit sigurinë për të gjitha vendet anëtare të tij. "Impenjimi i Italisë për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë proces është një fakt natyral që duhet të çojë në integrimin e të gjithë rajonit në strukturat e Bashkimit Europian", tha më pas ai. Kurse lidhur me marrëdhëniet mes dy vendeve tona, tha se Italia është e kënaqur me raportet e bashkëpunimit që ekzistojnë mes nesh. "Dhe janë pikërisht këto raporte të cilat kanë shtuar nivelin e sigurisë në të gjithë rajonin. E njohim Shqipërinë si një partner strategjik dhe të rëndësishëm në aspektin e sigurisë", përfundoi ai. Ndërsa ministri Basha premtoi se Shqipëria do të eksportojë vetëm siguri drejt Italisë dhe vendeve të BE-së. Maroni takoi dje edhe ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›