Vizat, tani nuk mund të flitet për një datë
Kreu i Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin pranë Komisionit Europian, Luigi Soreca, ka deklaruar dje se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina, me gjithë progresin e rëndësishëm, ende kanë punë për të bërë për të plotësuar standardet e caktuara për heqje të vizave. Duke folur në një intervistë për BBC në "Shqip", Soreca tha se "Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina, me gjithë progresin e rëndësishëm të bërë, ende kanë punë për të bërë për të plotësuar standardet e caktuara". Duke përmendur këto standarde, Soreca tha se "duhet bërë ende punë dhe ne jemi në kontakt me autoritetet shqiptare çdo ditë që të përmirësojnë aftësinë e zbatimit të ligjit, shkëmbimin e të dhënave midis tyre, si dhe të përmirësojnë kapacitetin e menaxhimit të kufijve, nga njëra anë". Nga ana tjetër, vijoi ai, në fushën juridike, natyrisht aftësia e autoriteteve juridike të Shqipërisë që të hyjnë në asistencë të dyanshme ligjore me autoritetet e shteteve anëtare, ka gjithashtu rëndësi. Ndërkaq, ajo që është më e rëndësishme është se zyrtari i Brukselit nuk ka dhënë asnjë datë të mundshme, pasi kjo varet nga Shqipëria. "Është e qartë se tani është shumë herët të flasim për data, pasi çdo gjë varet nga progresi që duhet të bëjë Shqipëria në realizimin e standardeve", ngulmoi ai.