E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers në Gërdec: Zona vazhdon të jetë e rrezikshme



Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Uidhers është shprehur dje se zona e Gërdecit vazhdon të mbetet e rrezikshme dhe pa siguri për jetën e familjeve që jetojnë pranë materialeve ushtarake. Këtë deklaratë diplomati amerikan e bëri gjatë një vizite që zhvilloi dje në Gërdec me ministrin shqiptar të mbrojtjes Gazmend Oketa. Gjatë kësaj vizite ambasadori Uidheres dëgjoi shpjegime nga përfaqësues ushtarakë shqiptarë dhe përfaqësues të Kompanisë Amerikane EOD mbi statusin e operacionit të pastrimit. Ai gjithashtu zhvilloi takim me banorë të zonës të cilëve u shprehu shqetësimin për sigurinë e atyre që kthehen dhe jetojnë shumë pranë zonës së sigurisë. “Unë mendoj se kjo zonë nuk është ende e sigurt dhe mendoj se ndërtesa jote kaq afër përbën rrezik”, kështu i është drejtuar një banori ambasadori amerikan. Ndërsa fshatarët e Gërdecit duke iu drejtuar dhe ministrit Oketa janë shprehur se kanë marrë garanci nga qeveria për të rindërtuar shtëpitë e tyre. Por dhe ministri Oketa është gjendur në vështirësi për të dhënë një përgjigje të prerë për sigurinë apo rrezikshmërinë që paraqet zona e Gërdecit. Kjo për faktin se ekspertët shqiptarë dhe amerikanë që operojnë në Gërdec ndajnë mendime të ndryshme mbi situatën në këtë zonë. kështu ushtarakët shqiptarë mendojnë se zona është e sigurtë, ndërsa përfaqësuesi i Kompanisë Amerikane EOD, është shprehur dje se zona paraqet rrezikshmëri për banorët. “Këto janë materiale të rrezikshme dhe duhet të largohen menjëherë nga zona dhe të pastrohen. Këto municione janë përfshirë në një shpërthim i cili ka ndryshuar dhe lëndën e tyre kimike, ndaj përbëjnë rrezik”, është shprehur ushtaraku amerikan në prani të ambasadorit Uidhers dhe ministrit të Mbrojtjes Oketa. Ky i fundit garantoi banorët e Gërdecit se nuk do të ketë shpërthim tjetër në këtë zonë. “Përsa i takon Gërdecit është deklaruar se ekziston një rrezik. Ka opinione të ndryshme teknike. Unë nuk mund të hyjë në diskutime teknike por jam i vendosur të zbatoj masat e sigurisë. Unë garantoj se këtu s’ka shpërthime të tjera”, është shprehur Oketa.

2 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›