E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, Ramës, Plani urbanistik nuk është plaçka jote, por pronë e qytetarëve



Kryeministri viziton Shkodrën, akuza kreut të PS-së

Kreu i mazhorancës, Sali Berisha, u ndal kësaj here në Shkodër në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”. I pritur nga banorët e shumtë dhe studentët e universitetit, Kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve të mbarë vendit të zgjedhin alternativën e zhvillimit. Berisha akuzoi ashpër Ramën se po mban peng për interesa të ulëta planin urbanistik të kryeqytetit. “Plani urbanistik nuk është pronë as plaçkë e tij, por është pronë e qytetarëve të Tiranës dhe e mbarë shqiptarëve që kanë në Tiranë kryeqendrën e vendit”, - tha Berisha.

Kryeministri Sali Berisha në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, është ndalur në qytetin e Shkodrës, nga ku ka lëshuar akuza të ashpra për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Kreu i qeverisë i ka bërë thirrje Ramës të dorëzojë planin urbanistik të Tiranës dhe të mos mbajë peng zhvillimin e kryeqytetit. Ai i kujtoi Ramës se plani urbanistik është pronë e qytetarëve dhe jo e kryetarit të bashkisë, që sipas Berishës, po e përdor për interesa personale. “Nuk e dorëzon atë pasi nuk do që qytetarët e Tiranës të zhvillojnë qytetin e tyre në përputhje me një plan të miratuar, por do ta përdorë llokma për kompanitë e tij të mediave dhe kompani të tjera me të cilat ndan fitimin. Plani urbanistik nuk është pronë, as plaçkë e tij, por është pronë e qytetarëve të Tiranës dhe e mbarë shqiptarëve që kanë në Tiranë kryeqendrën e vendit”, - tha Kryeministri.

Takimi me studentët

Kreu i qeverisë u ndal në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, ku u takua me studentët e Shkodrës. Berisha u ndal në alternativën e mazhoranës dhe atë të opozitës së drejtuar nga Rama. “Një alternativë apo një hije po qarkon nëpër Shqipëri, - tha Berisha, - i cili nuk ka alternativë tjetër vetëm shpalljen e të vdekurve në aksident si të vrarë nga qeveria”. Kryeministri u bëri thirrje studentëve: “Mos harroni kurrë lakuriqësinë e tij, por mos harroni kurrë si i numëroi votat në bashki, mos harroni kurrë se si u ngrit dy metra, duke numëruar votat dhe duke i fabrikuar ato, është i biri i të atit nuk ka të ardhme, është e shkuara”. “Ndryshe nga Rama, - theksoi Berisha, - e djathta ka alternativë të qartë zhvillimi. Katër vjet më parë kam ardhur tek ju dhe kam qarkuar vendin kudo, duke shpalosur një program. Me ketë program unë u bëra thirrje shqiptarëve të më besonin”, - tha Berisha, duke shtuar se këto premtime u realizuan tërësisht. Duke bërë krahasim me të majtën, Berisha tha se alternativë në krahun tjetër është censura, antiliria. Berisha kujtoi se ish-lideri i së majtës, Nano, u censurua në publik nga kreu aktual i PS-së. “Ish-kryetari i tij për 15 vjet, i cili deklaroi se e mora nga Parisi me thonj pa prerë dhe e bëra ministër, dha një deklaratë dhe tre nga mediat që i kontrollon me leje ndërtimi, me sheshe ndërtimi dhe me lista deputetësh, nuk guxuan të transmetonin qoftë edhe një fjalë të vetme, ndonëse e dinë se ky vend ka 60 televizione dhe që nuk mund të vendosen kurrë censura. Shikoni sa primitive”, - tha Berisha. Duke u ndalur më tej në programin e qeverisë, Berisha u bëri thirrje studentëve të shkojnë në votime. Kreu i mazhorancës, më pas është takuar edhe me shumë qytetarë të shumtë të Shkodrës. Ai shoqërohej nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, si dhe nga deputetët e zonës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›