Vlorë, tkurret LSI, ikin 300 anëtarë
Pas largimit të tre këshilltarëve të LSI-së, braktisin këtë parti edhe 300 anëtarë
VLORË- Pas largimit të tre këshilltarëve bashkiakë nga grupi i LSI-së, dje, në ambientet e sallës së madhe të Pallatit të Kulturës "Labëria", janë mbledhur jo vetëm socialistë, por edhe dhjetëra anëtarë të LSI-së, të cilët nga dje kanë vendosur t'i bashkohen Partisë Socialiste. Këshilltari bashkiak që i është larguar LSI-së, Morand Hoxha, tha dje gjatë takimit se, rruga e duhur ishte pikërisht bashkimi me Partinë Socialiste. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ish-nënkryetarja e LSI-së, Albana Hodaj. "Ne besuam në një ëndërr, por ëndrrat tona i tymosi Gërdeci dhe i vetmi njeri i pagabueshëm, e që nuk ka kërkuar asnjëherë falje, është Kryeministri i vendit. Ky realitet nuk ka ngjyrime",- tha ajo. Ndërsa Kreu i Partisë Socialiste për qytetin e Vlorës, Eltar Deda, ka përgëzuar qëndrimin e mbajtur, duke e cilësuar lëvizjen si një akt qytetar, që tregon kurajë politike dhe ngrihet mbi interesin personal. Duke ju referuar anës organizative, Deda tha se tashmë ish- këshilltarët e LSI-së do të jenë edhe pjesë e strukturave socialiste. Ish- këshilltarët e LSI-së kanë folur dje për një numër mbështetësish, që shkon deri në 300 persona, të cilët do t'i bashkohen PS-së. Arsyeja kryesore e të larguarve është qëndrimi që dita ditës, LSI-ja po mban. Sipas tyre, politikat e LSI-së po shkojnë djathtas. Ky nuk është rasti i parë, por as i fundit, ku anëtarë të LSI-së po shkëputen nga kjo parti për t'iu bashkuar Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, vetë PS-ja është shprehur zyrtarisht se i ka dyert e hapura për të pranuar në strukturat e saj të gjithë ata që mendojnë se duhet mbështetur kjo forcë politike. Për largimin e këshilltarëve, por edhe mbështetësve të tyre, numri të cilëve varion deri në 300, nuk ka pasur asnjë koment nga Lëvizja Socialiste për Integrim.