E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Sfida ime, pavarësia e sistemit të drejtësisë

Presidenti i Republikës zhvilloi dje një vizitë pune në qytetin e Burrelit


TIRANË - Sfida më e madhe e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, është vendosja e një sistemi drejtësie të pavarur nga të gjitha ndikimet politike, apo edhe ato ekonomike. Kreu i shtetit ka qenë dje në qytetin e Burrelit për një vizitë njëditore pune, ku gjatë takimit me banorët e këtij qyteti, ka folur edhe për institucionet e drejtësisë. "Unë ruaj kontakte të shpeshta, të drejtpërdrejta nëpërmjet letrave dhe informacioneve dhe me popullin e zonës suaj, dhe, natyrisht që është një shqetësim i madh çështja e drejtësisë. Ka qenë objekt i diskutimit gjatë gjithë kësaj periudhe dhe, sfida më e madhe ajo që unë po mundohem të përballoj, së bashku me aktorët e tjerë institucionalë dhe politikë, është vendosja e sistemit të drejtësisë në pozicionin kushtetues, që i takon, dhe i pavarur totalisht nga të gjitha influencat, qofshin këto politike apo ekonomike dhe, ky institucion kaq i rëndësishëm, duhet të jetë në funksion të qytetarëve të thjeshtë, në mënyrë që ai të bindet, se ne do të ndërtojmë në mënyrë definitive shtetin e së drejtës, shtetin që të jetë në funksion të qytetarëve, pavarësisht ku ato jetojnë, nëse jetojnë në Tiranë, në kryeqytet, nëse jetojnë në Burrel, nëse jetojnë nëpër fshatrat e Matit, pra kudo që ata jetojnë, të kenë bindjen që janë të mbrojtur nga shteti ligjor",- tha dje Topi. Gjatë takimit më banorët e qytetit të Burrelit, Presidenti i Republikës bëri thirrje që të gjithë të votojnë e, për pasojë, të aplikojnë paraprakisht edhe për kartën e identitetit. "Duhet patjetër që të merrni pjesë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë me administrimin e fateve tuaja, pastaj gjithsecili ka bindjet e veta politike. Unë ju falënderoj për këtë mikpritje dhe, natyrisht që do të jem në një bashkëbisedim nga afër me përfaqësues të pushtetit vendor, por për të trajtuar problemet e drejtpërdrejta që ju keni dhe që keni nevojë t'ia transmetoni dhe Presidentit të Republikës", -tha Topi. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u prit dje nga Kryetari i Bashkisë, Skënder Lleshi, Kryetari i Këshillit të Qarkut, Besnik Murati, prefekti i Dibrës, Xhaferr Seiti, deputetët e zonës, Ndue Shpani, Sali Shehu, Idriz Gjumara dhe Rasim Kaleci, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, intelektualë dhe personalitete të jetës kulturore dhe shoqërore të këtij qytetit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›