Berisha: përgjimi i Ylli Pangos, kurth politik
Kryeministri Berisha mohon mundësinë e koalicionit me PS-në për të shmangur zgjedhjet, në rast se votat e qershorit nuk do mund të sigurojnë mazhorancën qeverisëse.
TIRANË- Kryeministri, Sali Berisha, ka qenë më i ashpër se kurrë në qëndrimin e tij ndaj Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, duke e akuzuar këtë të fundit se është përdorur nga politika për Gërdecin.
Po aq i ashpër, Kryeministri i vendit ka qenë edhe ndaj Kryetarit të opozitës, Edi Rama, të cilin e ka akuzuar se ka qenë ky që ka urdhëruar përgjimin e ish-ministrit Ylli Pango. Berisha ka deklaruar se shtëpia e një qytetari nuk mund të dhunohet pa procedurë ligjore. Kryeministri është pyetur dje në emisionin "Opinion" edhe për zgjedhjet e ardhshme.
Ai është pyetur nëse do të lidhte koalicion me PS-në apo me LSI-në në rast se rezultati i muajit qershor do të sillte pamundësinë për krijimin e një mazhorance absolute për të qeverisur, me qëllim shmangien e zgjedhjeve. Fillimisht Kryeministri është shfaqur i lëkundur.
Por, më pas, i pyetur sërish për këtë çështje, Berisha ka mohuar kategorikisht çdo mundësi koalicioni me Ramën apo edhe me Ilir Metën. Megjithatë, ai ka shtuar se do të gjente një zgjidhje për të shmangur zgjedhjet, por se cilat do të ishin, kreu i ekzekutivit nuk preferoi t'i zbardhte
Komenti juaj për tragjedinë e Gërdecit?
Gërdeci ishte një aksident i parandalueshëm plotësisht. Të gjitha përgjegjësitë, që më janë takuar të nxjerr, i kam nxjerrë në kohën e duhur. Përfundimisht, përgjegjësitë ligjore i takon t'i nxjerrë sistemi i drejtësisë, për të cilin, në mënyrë absolute jemi angazhuar me të gjithë potencialin si qeveri për ta ndihmuar. I jemi përgjigjur çdo kërkese. Kemi pasur një objeksion madhor.
Ky është një hetim që u mor nga premisa politike. Keqpërdorimi politik i atij institucioni (Prokurorisë) është fatkeqësia dhe kanceri i tij. Kur ti lëshon një akuzë për një aksident kaq të madh të paqenë, ti, faktikisht, përmbys hetimin, për qëllime më makabre. Ajo (Ina Rama) është keqpërdorur në shkallën më ekstreme.
Ajo që ndodhi ishte një akt i shëmtuar. Pse zonja nuk solli dokumente herën e parë, por u detyrua kur e çoi Topalli? Ia kam thënë në zyrë. Zonjë, çdo lloj lehtësire që të kërkosh.... Nuk ka qenë njeri më i interesuar sesa ne për hetim. Por, t'i thuash që ke shmangur ushtrinë, kur janë 32 dokumente...
Si mund t'ia bësh një kombi një gjë të tillë?
Ti i bën gjëmën një kombi. U hetua një vit në atë pistë dhe tani kthehet në atë që kemi thënë ne në fillim. Çdo pistë mund të hetohet, por nuk mund të thuash që janë shmangur ata që nuk janë shmangur. Gërdeci ishte aksident tragjik i parandalueshëm dhe këtu rrjedhin të gjitha përgjegjësitë.
Nga kush po përdoret organi i akuzës?
Se kush po e përdor është evidente. Të ngresh një akuzë duke pasur 32 dokumente me 7 firma, është falsitet....A janë disa qindra tonelata barut aty? A kishte një ndërmarrje ushtarake që punonte aty?
A kishte ajo përgjegjësi, meqë e dinte se çfarë është baruti, çfarë është gjylja. Të thuash që i ke shmangur, kur ata kanë qenë në çdo urdhër, ti përpiqesh të shkatërrosh hetimin.
A ka paralelizëm rasti "Mediu" dhe rasti "Pango"?
Ky i fundit u shkarkua për katër minuta, siç u tha, ndërsa Mediu shumë kohë më vonë..
.
Ajo ishte një situatë lufte e vërtetë dhe, nëse kishte një anë tragjike, ajo që thashë, mund të them që operacioni i shpëtimit ishte i shkëlqyer, me të gjitha standardet. Nëse unë filloja një operacion të tillë, kur gjylet eksplodonin, me kë do punoja unë? Ajo ishte e kuptueshme. Mediu asnjëherë s'ka menduar se s'do japë dorëheqjen.
Në një vend ka ligje dhe rregulla, por jo linçimin që u ndërmor. Dhe pse? Çfarë ndodhi?
Sepse ai organizoi kurthin. Ai që organizoi kurthin, ai organizoi linçimin. Ka vetëm një emër. Ai censuron çdo ditë tre media dhe ai është kryetari i PS-së, i cili shkruan skenarin e "Fiksit" me katër persona të tjerë.
Pango, për mua, ka marrë atë që meriton. Shtëpia është shtëpi. Nuk dhunohet dhe përdhunohet shtëpia e tjetrit. Asgjë më të keqe s'mund t'i bësh njeriut pas ekzekutimit, sesa ta përgjosh në shtëpi. Ku janë këto shoqata të të drejtave të njeriut, ku e kanë maskën? Si ka mundësi të shkelet në këtë mënyrë të tmerrshme...
Nëse pranojmë të dhunojmë shtëpitë e këtyre qytetarëve, këta bëhen qytetarët më të pasigurt të globit dhe ne nuk mund ta pranojmë kurrë. Pango e meritoi plotësisht masën që unë mora.
Është denoncuar një akt i korrupsionit. Vetë qeveria e ka kërkuar një gjë të tillë. Dhe ky ishte një rast i tillë.
Pango e ka merituar plotësisht dënimin. Por edhe njëherë them, shtëpia e një qytetari, e një shqiptari, e një njeriu të lirë, nuk mund të dhunohet në mënyrë kategorike, pa procedurë ligjore.
Z. Berisha, por, të njëjtën gjë bëtë, pak a shumë, edhe ju me Edi Ramën në zgjedhjet lokale, ku mazhoranca publikoi fotot e tij. Edhe gjuha që përdorni ju, jo orgji, etj..., është e njëjta lojë.
Të jesh i bindur se fotografitë e tij lakuriq kanë qarkulluar në katër anët e botës dhe nuk është Berisha që e ka fotografuar dhe nuk është ai që ka e çuar që ta fotografojë ministrin e Kulturës në plazhe nudo.
Nuk do ta bëjë kurrë. Ai filloi orgjinë kolektive gjashtë muaj rresht. Se ka mohuar asnjëherë ai. PD-ja ia numëroi të gjitha atij, pasi përdori një media për të dhunuar një shtëpi.
Çfarë përgjegjësie keni ju për rastin "Pango"?
Gjërat nuk mund t'i shohim bardh e zi. Të them që Ylli Pango nuk ka pasur merita në politikë, këtë nuk mund ta them, se ka qenë që në vitin '90-të aty. Për atë qëndrim që mbajti, unë i dhashë atë që meritonte.
Sepse ai nuk mundet në asnjë rast, në asnjë rrethanë, të bënte prova në shtëpi, nëse je për panaire apo nuk je. Nëse përzgjidheshin vajza për panaire, ai krijonte një komision në Ministri.
Ju e besoni që është procedurë e punës, që një ministër duhet të shikojë vajzat me rroba banje?
Për këtë është shkarkuar.
Mazhoranca, gjithë këtë periudhë, i qahet vetvetes për prokuroren që e zgjodhi vetë, për Presidentin që e zgjodhi vetë. Si e shikoni këtë dukuri? Çfarë po ndodh me këtë mazhorancë?
Marrëdhëniet e kësaj mazhorance janë institucionale. Nuk ka idilizma. Marrëdhëniet ndërtohen mbi bazën e institucioneve. Me Presidentin janë marrëdhënie institucionale, korrekte. Kaq. Kur tentoi të krijonte pakicën bllokuese, mori përgjigjen që meritonte. Pas asaj, marrëdhëniet kanë qenë institucionale.
Me Prokuroren e Përgjithshme marrëdhëniet janë institucionale, por nuk pajtohem kurrë unë me qëndrimin që mbajti ndaj Tom Doshit. E shtriu në tokë gazetarin, desh e vdiq dhe nuk i hyri gjemb në këmbë.
Ish- pronarët s'kanë zgjidhje...
Problemi i pronave mbetet problemi më i madh, por u përballëm me një mal Dajti falsifikimesh.
Nëse ka vend ku prodhohen dokumente falsifikimi të shkallës më të lartë, këtu mund ta gjesh. Vendosëm ligjin që, për të gjitha privatizimet, 10% t'u jepet pronarëve. U identifikuan 4 mijë ha tokë në bregdet për t'ua dhënë pronarëve. Ligji për të përndjekurit është bërë. Ka pasur vështirësi në dokumentacion.
Ose do ta bënim procesin mbi dokumente zyrtare, ose mbi bazën e dëshmive. Procesi po vazhdon. U dhanë 1 miliard janë dhe 2 miliardë.
Po shpërbleni kolaboracionistët?
Asnjë kolaborator nuk do marrë. Janë të gjitha nga '44-ra e këtej. Qëndrimi ynë ndaj kolaboracionizmit është si në gjithë botën. Ata që përfitojnë janë qytetarë që vuajtën nga ky regjim.
Çfarë do të bëni nëse ditën e zgjedhjeve, qytetarët nuk do të jenë të pajisur me karta?
Çdo njeri do të ketë mundësi të marrë kartë.
Do të pranoni ju një debat me Kryetarin e PS-së, Edi Rama dhe Kryetarin e LSI-së, Ilir Meta?
Me kënaqësinë më të madhe, por me një kusht, që ata të dy të bëjnë një debat me Fatos Nanon.
Dështimi më i madh i kësaj mazhorance?
Çfarëdo që mund të ketë ngelur pa realizuar, do jetë çështje kryesore e programit që vjen. Ka një reformë në arsim. Por ka një komponent shumë të madh që do ridimensionohet në mandatin e dytë, aksesi i universitetit privat.
Kush do jenë deputetët e rinj të PD-së?
Grupi i ardhshëm i PD-së dhe i mazhorancës, do ketë një ndryshim të madh. Së pari, do respektohet ligji për zonjat, e konsideroj të rëndësishme praninë e 30% të zonjave në Parlament. Së dyti, lista do të ketë njerëz të politikës.
Me emra konkretë nuk mund të futem. Unë kam një kabinet, me një pjesë prej të cilëve kam qenë kundërshtar dhe funksionoj sot sikur s'kam pasur asnjë kundërshti me ta. Por do ketë edhe figura të reja.
Do ketë koalicion PD-PS apo me LSI-në?
A e dëshiroj unë një koalicion të tillë? Nuk e dëshiroj. Por a mund ta çoj unë vendin prapë në zgjedhje, këtë e kam të vështirë ta bëj. Nuk bëj koalicion, por nëse e shoh vendin se nuk ka asnjë alternativë tjetër, o zgjedhje, o këtë (koalicionin)... E kam thënë atë: Mollë e kalbur e ndarë më dysh janë ata.
Zgjedhjet në PD do të shtyhen?
S'mund të ketë zgjedhje pa kongres përpara. Do bëjmë kongresin.
Z. Berisha, nëse nuk siguroni mazhorancën absolute për të qeverisur mandatin tjetër, prioritet në formimin e koalicionit qeverisës ka LSI-ja apo PS-ja?
Të harrohet nëse do të ketë koalicion, kështu siç e imagjinoni juve. Kjo nuk mund të ndodhë.
Po nëse ju dhe z. Rama, dilni para shqiptarëve dhe thoni se nuk e çoni vendin në zgjedhje?
Koalicion me Ramën nuk ka dhe nuk do të ketë. Nuk ka koalicion me PS-në, e theksoj edhe njëherë
Po me LSI-në?
Po jo pra. Njëlloj janë ato. Ajo është mollë e ndarë më dysh. Por, theksoj, edhe këtë tjetrën, se politika është arti i zgjidhjes së problemeve. Atëherë do të ketë një zgjidhje, që vendi të mos shkojë në zgjedhje.
Do shkoni me këtë ekip, apo do keni surpriza?
Këto zgjedhje shkojnë më gjerë. Edhe Ceka është bashkuar. Janë me dhjetëra, me qindra që kanë mbaruar shkollat më të mira, të cilët përbëjnë një potencial të madh për këtë qeveri. Pra, kësaj here, shkojmë me gjerë se asnjëherë në zgjedhje.
Slogani elektoral në këto zgjedhje?
"Shqipëria po ndryshon"
Marrë me shkurtime nga emisioni "Opinion"