E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti “Fratini”, BE të heqë vizat me Ballkanin



Ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Sllovenisë, letër homologëve të BE-së

Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, si dhe ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Samuel Zbogar, u kanë drejtuar një letër homologëve të tyre evropianë, ku theksojnë rëndësinë e zgjerimit të mëtejshëm të bllokut drejt Ballkanit Perëndimor. Në letrën e tyre, diplomatët kërkojnë liberalizimin dhe heqjen sa më të shpejtë të vizave

Në kushtet e një krize ekonomike që ka prekur Bashkimin Evropian, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, i ka bërë thirrje komunitetit të hapë dyert për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një letër dërguar të gjithë ministrave të Jashtëm të BE-së, Franko Fratini, i mbështetur nga homologu i tij slloven, Samuel Zbogar, bëjnë thirrje që Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur. Fratini dhe Zbogar kërkojnë nga BE edhe përshpejtimin e liberalizimit dhe heqjes së vizave. Në letër theksohet se këto vende, si Shqipëria, kanë ecur para në reformat e tyre si në fushën e sigurisë, ashtu edhe në fushat e tjera politike dhe ekonomike. Fratini shprehet në këtë letër së bashku me Zbogar, se liberalizimi i vizave është jetik për vende si Shqipëria, pa harruar edhe realizimin e reformave. Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, ka deklaruar se procesi i liberalizimit të vizave për shqiptarët është drejt fundit. Ai e bëri këtë deklaratë në vizitën e tij të fundit në Tiranë, pasi është njohur me përpjekjet e autoriteteve e qeverisë shqiptare për të plotësuar kushtet e vendosura nga BE. Franko Fratini tha se Kryeministri Berisha i kishte mbajtur premtimet e dhëna Evropës. “Kryeministri Berisha i mbajti premtimet e dhëna Evropës. Dhe kjo i hap rrugën arritjes së atyre rezultateve që do të jenë të prekshme, të dukshme për të gjithë qytetarët shqiptarë”, - tha ministri i Jashtëm italian, Fratini, në vizitën e tij në Tiranë. Ministrit italian iu dorëzua publikisht edhe një model i pasaportës biometrike dhe kartës shqiptare të identitetit, një nga kushtet e vëna nga BE për të nisur procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë. “Do të jetë një proces që i afrohet përfundimit dhe plotësimit të tij”, - u shpreh i bindur Fratini. Ai premtoi më shumë ndihmë në këtë drejtim, ndërsa të dy palët vlerësuan maksimalisht marrëdhëniet midis tyre, veçanërisht në fushën ekonomike. Letra drejtuar vendeve të BE-së është një nga përpjekjet e Fratinit në përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë. Ndërkohë në Tiranë pritet të mbërrijë edhe ekipi i ekspertëve të BE-së, i cili do të vlerësojë nga afër reformat e arritura në Shqipëri. Raporti i tyre do të vlerësojë në rast se në Shqipëri janë kushtet teknike si dhe të sigurisë, për liberalizmin e vizave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›