E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Ramës: Të përmbyllim reformat

 Në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij, Berisha u shpreh se deri më tani është bërë puna më e madhe në këtë drejtim.

“I bëj thirrje zotit Edi Rama, të vendosim interesat evropiane të shqiptarëve si përparësi të çdo përparësie. Nuk është konsensusi për t’u përdorur për bllokim. Është proces në të cilin palët duhet të bëjë lëshime. Kemi punuar muaj të tërë në reformën zgjedhore, e kemi sjellë pothuajse në përfundim të plotë. Është bërë një punë serioze. Nuk duhet që në momentet e fundit të përdoret fuqia politike e drejtuesit për të bllokuar procesin”, tha Berisha.

Kryeministri shtoi se Rama kërkon që reformat t’i përmbyllin vetëm për interesa të tij. “Pse nuk u bllokua tre, dy, një muaj më parë. Pse ekspertët e dy grupeve arritën dakortësinë në të gjitha çështjet? Sepse ne pranuam çdo propozim të tyre. Tani si e ka konsensusin ky? 100% për vete asgjë për kundërshtarin. Gjithçka ose asgjë! Nëse thua unë të gjitha e ti bërrylin, atëherë t’i nuk je për konsensus. Unë i bëj thirrje të përparsojmë interesat evropiane të qytetarëve shqiptarë, të përfundojmë reformën zgjedhore, duke lënë mënjanë praktikat e kokës së turkut. Koka e turkut na u bë ne helmi në tepsi që servirte diktatura çdo 6 muaj çdo vit për të nakatosur shpirtrat e njerëzve. Politika nuk bëhet me koka turku”, vijoi.

Ai tha se opozita duhet të vendosë vetë se cilën reformë dëshiron ta përmbyllë më shpejtë. “Të fillojmë më cilën të dojë. Të fillojmë me imunitetin që të mos tregojë që është i vetmi opozitar në planet që e do qeverinë me imunitet. Të ngrihet mbi këshillin e miliarderëve. Ata janë 15, por qindramijëra socialistë shqiptarë nuk duan imunitet për askënd. Muri i vërtetë për heqjen e imunitetit është këshilli i miliarderëve. Koha është të finalizojmë reformat në të cilat PD ka lëshuar shumë”, u shpreh kryeministri. /Start/

                                                                                             2012-06-18 14:07
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›