E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Ramës: Të zgjedhim Presidentin, pastaj reformën

Kur na ndajnë disa orë nga mbajtja e raundit të parë për zgjedhjen e Presidentit, Kryeministri i vendit, njëherësh lideri i Partisë demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje dhe njëherë lidershipit të selisë rozë të jetë realist dhe të mos kapet pas retorikave boshe. Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, duke shprehur gadishmërinë e mazhorancës per çdo kërkesë të PS, ai ftoi Ramën ta testojë këtë mazhorancë pastaj të drejtojë gishtin drejt fajtorit. Ndërkaq ai ka sjellë dhe njëherë në vëmendje se një takim Berisha-Rama nuk do të kishte asnjë produkt përvecse një show televiziv.
 

“Ne patëm parasysh dhe krijuam gjithë mundësinë që Kryetari i Shtetit të gëzojë mbështetjen më të madhe të mundshme, aty ku mund të arrihet. Por ky proces ka nisur me deklarata e akuza ndaj Qeverisë, që sot u shtri edhe te KQZ. Sot në fjalën e tij kishte killer, armiq dhe krizë. Nëse Rama dëshiron ta heqim imunitetin, që nesër e votojmë me të gjitha ndryshimet e mundshme. Shqiptarët nuk kanë nevojë për ligjerata boshe, kanë nevojë për vepra dhe reforma konkrete që u hapin dyert drejt marrjes së statusit, kanë nevojë për një President sa më konsensual, nuk kanë nevojë për parade negative televizive, por për realizimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR. E ka parashikuar Kushtetuta që edhe po nuk u votua quhet votim, raund i kaluar. Nëse ju dëshironi, testoje vullnetin e kësaj mazhorance dhe pastaj thuaju shqiptarëve që këta nuk duan President me 3/5. Edhe njëherë thirrja ime është të vlerësosh kërkesën e sinqertë që kjo mazhorancë i bën opozitës, të zgjedhim një President konsensual. Ja u ula unë me të, do të më mbushë mendjen mua se ai njeh më mirë se Damiani formulën elektorale, nuk e bën dot. Kjo njihet më mirë nga ekspertët që merren me të, që kanë vite që njohin këtë fushë. Ulemi bashkë, po punën kush do e bëjë, nenet i shkruajnë ata që njohin doktrinën. Ne jemi për zgjidhje, jo për të bllokuar as për të bërë show” tha ai.
 

Më tej Berisha ka bërë një raportim të dy ditëve të fundit lidhur me ecurinë e negociatave dhe diskutimeve me aletatët, ku theksoi se dominon mendimi për të pasur një President konsensual. Sipas tij i vetmi problem mbetet opozita shqiptare, dhe vetë kreu i PS që po kërkon të bllokojë procesin.
 

“Në të gjitha takimet me aletatët spikat dëshira për ti dhënë vendit një President me vlera. Në rast se ne po përpiqemi që të kemi një President me vlerat, cilësitë, po përpiqemi ti japim vendit një President të besueshëm dhe në shkallën e duhur të integritetit. Kjo nuk qëndron te opozita, Rama kërkon ta shndërrojë në cështje pazaresh, e ftuam na erdhi me kushte dhe ultimatume, e ftuam po prapë sot dhe vjen me killera, duke dhënë një shembull të papranueshëm për këtë kohë. Të ngrihesh kundër gjithë anëtarëve të KQZ, ti shpallësh armiq dhe të kërkosh ti heqësh në një kohë që ne kërkojmë të zgjedhim Presidentin me një konsensus sa më të madh të mundshëm, tregon se zoti.Rama të gjitha përpjekjet tona për bashkërendim të punës për të zgjedhur Presidentin me mbështetje të gjerë po i përgjigjet me një tiradë akuzash që fshehin vullnetin e tij të palëkundur për të bllokuar procesin. Ne sëbashku me Ramën kemi vendosur që tre raundet e para të jenë me 3/5” u shpreh ai.
 

Ndërkaq edhe aletatët qeverisës, LSI, PDIU, PR kanë mbledhur kryesitë e tyre, për të dalë më pas në një qëndrim lidhur me këtë cështje, ndoshta edhe ndonjë emër konkret për votimet e ditës së nesërme.
 

Ora 18:00 do të mbledhë krerët e partive të mazhorancës në ambjentet e Kuvendit.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›