Berisha-Ramës: Tentove të rrethosh Kryeministrinë, do kesh fundin e banditit
TIRANË- Teksa po mbyllte fjalën e tij të gjatë në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Sali Berisha i drejtoi një mesazh publik kryetarit të opozitës, Edi Rama. “Këtë mesazh unë ia kam përcjellë edhe qeverive të vendeve partnere, se në një rast të dytë, do ta garantoj se kurrë më nuk do të mund ta mendojë. Ky është vendimi im përfundimtar. Çdo tentativë e tij për dhunë ndaj institucioneve, do të marrë ndëshkimin ekzemplar dhe askush tjetër përveç atij. Ky nuk është një kërcënim. Unë nuk kërcënoj njeri, por unë nuk jam kurrë ai që hedh gurin dhe fsheh dorën. Kjo është jashtë çdo lloj morali timin. Tentove më, të rrethosh Kryeministrinë do të gjesh vetëm atë që meriton banditi që të rrethon. Nuk do të merrem në mënyrë absolute me asnjë njeri tjetër. Paraprakisht ju them se cilido tjetër është i amnistuar përveç atij. Nuk rrethohet një kryeministër i zgjedhur me votën e lirë. E bëre njëherë, se je ky që je, e bëre për së dyti, do të kesh përgjigjen më totale që mund të jepet. Do të ketë zero tolerancë ndaj prekjes së çdo institucioni. Toleranca do të jetë zero”, - tha mbrëmë kryeministri i vendit. Pas takimit të zhvilluar me ambasadorët e akredituar në vendin tonë, gjithçka u duk se do të shkohej drejt toneve më të zbutura nga ana e kryeministrit Sali Berisha. Po mbrëmë, ai ka qenë më i ashpër së kurrë, duke iu drejtuar jo vetëm kreut të opozitës, por edhe Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Ai ka akuzuar Prokuroren e Përgjithshme se ka përdorur dy standarde, që kur është zgjedhur në këtë pozicion. “Kjo zonjë, që kur është emëruar me votën time dhe të gjithë mazhorancës, ka adaptuar dy standarde për të cilat unë në mënyrën më të hapur kam bërë deklaratën time. Kjo zonjë që kur është ulur në atë karrige deri më sot, nuk ka hapur qoftë edhe një çështje ndaj asnjë eksponenti të qeverisë së mëparshme, ndaj asnjë eksponenti të qeverisë vendore aktuale socialiste. Iu ka dhuruar imunitet të plotë. Kjo zonjë ka hapur me qindra dosje ndaj mazhorancës, administratës së saj”..., tha Berisha. Kryeministri përmendi edhe debatin që harxhoi jo pak politikë shterpë mes mazhorancës dhe opozitës. “Aferën e fundit, në të cilën zoti Rama u akuzua me kontratë, se kishte marrë 20 % për lejen e ndërtimit dhe planin e rregullimit, nëpërmjet lepurit të tij, po e ndiqja me vëmendje, e bindur dhe e sigurt se mikesha e avllajve do ta mbyllte. Prokurorja ka weekend- brenda dhe jashtë shtetit, nga Avllai tjetër dhe me lepurin ndonjëherë. Dhe e vërteta është, që ia kam thënë prokurores këtë. E mbylli për Avllain, apo e mbylli për Ramën, kjo nuk dihet, por nuk e thirri njëherë për t’i bërë një pyetje kryetarit të Bashkisë, i cili për atë zonë, një firmë holandeze kishte bërë një plan për pallate me 35 kate, si askund në territorin e këtij vendi”, - shtoi ai. Kreu i ekzekutivit ka bërë dje edhe një përmbledhje të korrespondencës mes ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha, Drejtorit të Policisë, Hysni Burgaj dhe Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. “Në orët më të para të mëngjesit, ministri i Brendshëm dje më informon se Prokuroria e shtetit, pa as edhe një hetim të vetëm, pa edhe një analizë balistike, lëshon urdhra arresti, për të gjithë zinxhirin komandues të gardës, nga Komandanti, gjeneral i gardës, tek ushtari, ndërkohë që garda funksionon me rregullore, ushtari që qëndron aty sipas rregullores ka urdhër që nëse hyn dikush, qëllohet në ajër dhe nëse nuk largohet, duhet asgjësuar. Ky është rregulli i mbrojtjes së çdo institucioni. Ministri i Brendshëm i thotë Prokurores së Përgjithshme: Zonjë e nderuar, kjo do të thotë të inkurajosh me këtë urdhër arresti, me dekapitimin e gardës, një sulm te dytë ndaj institucioneve. Garda është për mbrojtjen e institucioneve. Por, unë të garantoj që asnjëri prej tyre nuk do të largohet nga Shqipëria dhe secili prej tyre është i gatshëm që të vijë që tani për hetim të plotë të gjithanshëm, për t’u pyetur për çdo gjë, por mbi bazën e një hetimi. Prokurorja e Përgjithshme i shprehet ministrit, le të vijnë, por ne pak do i mbajmë me të tjerët, pra me një fjalë ishte një kapitull i dytë këtu. Po shpalosej një kapitull i ri. Specialistët thonë se nuk janë zbatuar nenet dhe se ka nene në Kodin e Procedurës Penale, se kur nuk zbatohet mandati i arrestit”, - tha Berisha, duke vijuar më tej. “Dje pasdite, zonja Ina Rama merr në telefon drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili më kishte informuar se në atë urdhër arresti që kishte lëshuar për të gjithë zinxhirin komandues të gardës kishte lapsuse të papranueshme, për të cilat zoti Burgaj i thotë: Zonjë, ju i keni prurë me lapsuse, prandaj rregulloni lapsuset dhe pastaj sillini, dhe i mbyll telefonin. Pas 30 minutash, Edvin Kristaq Rama del në media dhe denoncon drejtorin e Përgjithshëm të policisë se i thotë prokurores se urdhër arrestet janë me lapsuse. Cila ishte arsyeja që prokuroja i raportonte Ramës, kjo do të sqarohet”, - tha Berisha, duke vijuar se pikërisht për arsyet sa më sipër, ai do të mblidhte Kuvendin për të ngritur një komision hetimor parlamentar, për atë që ai e cilësoi “puç shteti”. Berisha bëri publike edhe skenarin që, sipas tij, ishte planifikuar: “Skenari ishte ky: do të merrej ndërtesa e Këshillit të Ministrave, do të merrej ndërtesa e Parlamentit, do të merrej ndërtesa e televizionit dhe e ndonjë ministrie. Në këtë skenar, rezistenca te Kryeministria bëri që skenari të dështojë”. Ndërsa gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, Berisha përmendi edhe një element të ri. Sipas Berishës, SHISH nuk i dha asnjë të dhënë Policisë së Shtetit, që nga dita para protestës e deri dje. “Çfarë e shtyu që të mbyllë veshët dhe sytë?”, - shtroi pyetjen Berisha.