E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ramës po i afron pensioni politik – librin do t’a ketë si kujtim

26-10-2011 / Gazeta 55

Buxheti 2012, destinacionet kryesore janë rritja e rrogave dhe pensioneve, si dhe avancimi i projekteve në ndërtimin e infrastrukturës në gjithë vendin. "Dinamizmi i ekonomisë shqiptare, bën të mundur mbajtjen e premtimeve"- tha Berisha

Kryeministri ironizon përsëri librin e Edi Ramës, “Kur hidheshin themelet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, një elegji për humbjen e pushtetit korruptiv pas 11 vitesh, në bashkinë më të madhe në vend

Shefi i ekzekutivit, Sali Berisha, ka folur sot në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave, për buxhetin e vitit të ardhshëm, duke përcaktuar objektivat dhe destinacionin kryesor të tij.
Sipas Berishës, buxheti 2012, është buxheti më i madh në histori, i cili i përgjigjet synimeve të qeverisë në rritjen e rrogave, pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, si dhe në avancimin e investimeve infrastrukturore. “Dinamizmi i ekonomisë shqiptare na bën të mundur të qëndrojmë sërish në premtimin tonë dhe objektivin tonë të rritjes së rrogave dhe pensioneve. Viti i ardhshëm do të shënojë sërish rritjen e ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, si edhe atë të ndihmës ekonomike. Por në të njëjtën kohë, buxheti i tij do të mbështesë fuqishëm të gjitha projektet e Shqipërisë dixhitale”- u shpreh Berisha. Kryeministri tha se një zë të rëndësishëm në buxhetin e ardhshëm zë dixhitalizimi i shërbimeve publike, ndërsa paralajmëroi reformë të thellë në sistemin e shëndetësisë. “Viti i ardhshëm do të shënojë reformën më të thellë në sistemin e shëndetësisë dhe shërbimeve publike, ndaj është e domosdoshme që të rishqyrtohen edhe njëherë nga ana e ministrive përpraësitë, duke shpallur përparësi të parë “Shqipërinë dixhitale”. Viti i 100 vjetorit të pavarësisë së vendit, duhet të jetë viti i Shqipërisë dixhitale, pasi ky vend nuk k a mënyrë më të mirë për të festuar shekullin e vuajtjeve dhe sakrificave, sesa një Shqipëri dixhitale”- tha ai, duke shtuar se “kjo do të ishte një kurorë e shkëlqyer dhe një nderim i madh për një komb që iu deshën dekada të tëra përpjekje”. Ndërkaq, Berisha tha gjithashtu se të rëndësishme do jenë edhe projektet në infrastrukturë, të cilat do të ecin me shpejtësi.
“Ne që kemi bërë kilometra të tëra rrugë në gjithë vendin, nuk mund të ndalemi në miljen e fundit. Prioritet do të ketë edhe ndërtimi i sistemit të ri rrugor. Të konsolidojmë sistemin e qëndrueshëm në vend. Ne rrugët do t’i bëjmë. Kjo është motoja jonë. Do të përqendrojmë fondet më të mëdha në përfundimin e rrugëve të nisura dhe në ndërtimin e rrugëve në tërësi. Akoma kemi dhjetëra komuna që nuk janë të lidhura me akset kombëtare me rrugë të asfaltuara, madje shumë prej tyre nuk kanë pasur aks kombëtar, ku të lidhen. Infrastruktura do të ecë më shpejtësi drejt të gjitha maleve të vendit. Ato janë një pasuri e jashtëzakonshme e gjithanshme. Potencialet e vargmaleve të Shqipërisë janë mijëra herë më të mëdha se këto që shfrytëzohen sot dhe fatkeqësisht janë krejt të panjohura”- theksoi Berisha.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Berisha ka ironizuar përsëri kreun e PS-së, Edi Rama, duke theksuar se po i kushton vetes një libër, në prag të daljes në pensionin politik. Sipas Berishës, libri i Ramës, është një tregues i qartë, se ai po ndjen fundin politik.  
“Politikanët e vetmja gjë që mund të bëjnë është të shkruajnë kujtimet përpara se të dalin në pension. Kjo po ndodh dhe është bërë dukuri e zakonshme. Edhe libri i fundit “Kur hidheshin themelet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës” është i kësaj gjinie, i kujtimeve në prag të pensionit politik”- tha Berisha. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat dy ditë më parë, kryeministri e cilësoi vëllimin e Ramës një vajtim për humbjen e pushtetit korruptiv në bashkinë e Tiranës. Sipas Berishës, Rama ka mbetur te dera e bashkisë së Tiranës. “Libri i vajeve për humbjen e bashkisë së Tiranës”- tha Berisha. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›