Berisha: Raporti për Jalën mashtrim i PS, Edi Rama humbi fshatin turistik
Plani i bregdetit të jugut, në zonën e Jalës, ka qenë objekt i debateve të ashpra në sallën e Kuvendit. Një raport i botuar nga media si i Bankës Botërore ka shërbyer që të nxisë debatet ndërmjet nënkryetarit të grupit të PS-së, Erjon Braçe dhe ministrit të Transportit, Sokol Olldashi. Braçe akuzoi qeverinë se ka abuzuar me këtë plan duke prishur me dhjetëra ndërtime në zonën e Jalës, duke theksuar se në të është përfshirë edhe dhëndri i kryeministrit. “Qeveria familjare u shkatërroi në mënyrë të paligjshme shtëpitë, bizneset e tyre, duke i kthyer sërish në varfëri ekstreme. Faktet e treguara këtu në Kuvend zbuluan shtatë muaj më pas se shkatërrimi i atyre pronave qe i qëllimshëm, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një resorti turistik”, tha Erjon Braçe. Deputeti i PS-së theksoi se, “për herë të parë në këto 18 vite që një institucion i rëndësishëm si Banka Botërore mban një raport të tillë hetimi. Kërkoj që edhe organi i akuzës të hetojë mbi këtë raport”. Ndërsa ministri Olldashi ka ndërhyrë duke e cilësuar si të pavërtetë qëndrimin e Braçes. Nga podiumi ndërmjet tyre janë shkëmbyer fjalë jo etike. “Mbylle gojën, palaço i vogël. Ulu, shko ulu dhe pusho”, i është drejtuar ministri, Braçes. Sipas ministrit, “raporti i paraqitur nuk është i Bankës Botërore”. “Ka pasur realisht një plan klientele të vitit 2005, përpara zgjedhjeve të tre korrikut, dhe ky ka qenë plani i hartuar nga sekretari i Asamblesë së Partisë Socialiste, ish-zëvendësministri i Territorit. Një plan që në zonën e Jalës parashikonte ndërtimin e resorteve turistike për interesa të dy botuesve shumë të afërt me kryetarin aktual të Partisë Socialiste”, deklaroi Olldashi. Për këto akuza ka reaguar dhe Kryeministri Berisha, i cili i ka cilësuar si të pavërteta. “E vërteta është një raport që është i mbushur me trillime, të cilat vijnë si rezultat i një rivaliteti midis grupeve të ndryshme të Bankës Botërore. Nëse ne trashëguam një plan me njolla ndërtimi, në zona të caktuara ndërtimi, ku mafia shqiptare kishte vendosur të ndërtonte parajsën e saj. Kjo qeveri dhe ky projekt i fshiu të gjitha ato dhe u dha të drejtën autoriteteve lokale për t’i përcaktuar ata zonat e zhvillimit, ndërsa studimi përjashton apo përcakton vetëm kushtet ku nuk mund të ndërtohej”, tha Berisha. Kryeministri theksoi më pas se “mund t’ju them se si Edi Rama, bashkë me njërin prej atyre që e kontrollon televizionin nga mëngjesi deri në darkë dhe nga darka në mëngjes, kishte përcaktuar një njollë për ndërtimin e një fshati, por që nuk është më. Të tjerë, natyrisht kanë humbur fshatrat, “llokmat” që i kishin grabitur dhe, për këtë gjë ka fakte që ne do i paraqesim. Një ndër këta është zoti Rama, që ka humbur fshatin e tij”. b.h