Pakti PS-PD, Kuvendi zgjedh 7 anëtarët e KQZ-së
bledar hoti
Kuvendi zgjedh me shumicë votash anëtarët e rinj të KQZ-së. Votimi i mbrëmshëm i Kuvendit ka konfiguruar të plotë këtë institucion, që do merret me administrimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit të këtij viti, duke zgjedhur Arben Ristanin si kryetar i KQZ-së. Shtatë anëtarët e rinj të KQZ-së janë Arben Ristani, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj të PD-së, Klement Zguri i PR-së. Ndërsa nga e majta parlamentare u votuan emrat e Pandeli Varfit të PSD-së dhe të Dëshira Subashit dhe Artan Lazaj të PS-së. Lëvizja Socialiste për Integrim, nëpërmjet kreut të grupit, Pëllumb Xhufi ka bërë publik qëndrimin, se nuk do të marrë pjesë në këtë votim. “Ashtu si dhe në votimin e 21 prillit të ndryshimit të Kushtetutës këto votime janë ditët e lumturisë bipartizane dhe ne nuk marrim pjesë fare. Nuk bëhemi pjesë një votimi, ku dominimin e KQZ-së do ta kenë vetëm PS dhe PD”, deklaroi Xhufi. LSI-ja ishte e vetmja parti, që nuk mori pjesë në këtë votim për krijimin e KQZ-së.
Shtatë
anëtarët e rinj
Votimi për propozimet e paraqitura për anëtarë të KQZ-së është zhvilluar i fshehtë dhe elektronik. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli hodhi të parin për votim kandidaturën e Klement Zgurit i propozuar nga ana e Partisë Republikane. Pro tij votuan 98 deputetë, ndërsa 15 votuan kundër dhe 1 vota ishte abstenim. Pas shpalljes si fitues të tij, Topalli hodhi në votim kandidaturën e paraqitur nga ana e PSD-së, të Pandeli Varfit. Pro tij votuan 96 deputetë, ndërsa vota kundër dhe abstenim ishin respektivisht të 11 dhe 6 deputetëve. Pas këtij votimi, emrat e tjerë të republikanëve dhe socialdemokratëve të Arben Braçes dhe të Pavli Zërit nuk u hodhën fare në votim, për shkak se emrat e parë morën numrin e konsiderueshëm të votave pro. Më pas, radha e provës i ka ardhur kandidaturave të socialistëve, ku e para ka qenë Dëshira Subashi, që ka marrë besimin e deputetëve të dyja kampeve me 100 vota pro. Tetë vota kanë qenë kundër, ndërsa 5 abstenuan për kandidaturën e saj. Ndërsa, Artan Lazaj u votua me 102 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenime. Hysen Osmanaj është kandidatura që ka marrë më shumë vota pro. Pro tij votuan 103 deputetë, ndërsa 9 votuan kundër dhe 2 abstenuan. Vera Shtjefni u votua me 100 vota pro, ndërsa 10 deputetë votuan kundër dhe katër të tjerë abstenuan. Votimi për kreun e KQZ-së është realizuar i fundit. PD-ja kishte paraqitur dy emra alternativë, Arben Ristanin dhe Albana Vokshin. Topalli hodhi emrin e Ristanit për votim. Ai mori 98 vota pro, 9 vota kundër dhe 7 abstenuese. Ai do të detyrohet të lërë postin e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës për të drejtuar këtë institucion. Kodi Zgjedhor parashikon, që 7 anëtarët e zgjedhur të kryejnë betimin përpara Parlamentit. Kryeparlamentarja bëri të ditur se betimi i tyre do të realizohet sipas ligjit dhe 7 anëtarët janë lajmëruar se ai do të bëhet brenda ditës së sotme. Fillimisht të 10 kandidaturat për anëtarë dhe kryetar KQZ-je u kaluan në komisionin parlamentar të Ligjeve. Emrat e paraqitur u kaluan me konsensus nga ana e anëtarëve të komisionit të Ligjeve. Arben Ristani, Klement Zguri, Pandeli Varfi, Dëshira Subashi dhe Hysen Osmanaj kanë qenë më parë anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa dy anëtarët e tjerë Shtjefni dhe Laze marrin këtë detyrë për herë të parë. KQZ-ja do të mbahet mend dhe si institucioni i parë që synon të realizojë barazinë gjinore, pasi për herë parë në KQZ do të ketë dy anëtare femra. Pas betimit, KQZ-ja duhet të nisë menjëherë përgatitjet për zgjedhjet e reja parlamentare. Gjithashtu, këtij institucioni i duhet të zgjedhë nënkryetarin, i cili sipas ligjit, i takon së majtës parlamentare. Për herë të parë KQZ-ja do të realizojë zgjedhje me sistemin proporcional rajonal.
votimi
Kreu i KQZ
Arben Ristani 98 vota pro, 9 kundër
dhe 7 abstenime
Anëtarët
Klement Zguri 98 pro, 15 kundër
1 abstenim
Pandeli Varfi 96 pro, 11 kundër
6 abstenime
Deshira Subashi 100 pro, 8 kundër,
5 abstenime
Artan Lazaj 102 pro, 8 kundër,
4 abstenime
Hysen Osmanaj 103 pro, 9 kundër,
2 abstenime
Vera Shtjefni 100 pro, 10 kundër,
4 abstenime