Fatos Nano: PS të ndalë spekulimet, s’mund të mbledhë vota me emrin tim
Aristir Lumezi
Ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i përgjigjet sekretarit për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj. Në një prononcim për “Panorama”, Nano kërkon që të mos spekulohet me emrin e tij në bazën socialiste. “Njeriu i fundit që mund të bënte një deklaratë të tillë nga PS-ja është Xhafaj, dhe ai që më pak nga të gjithë të tjerët e kupton këtë realitet është Xhafaj”, u shpreh Nano. Pak ditë më parë, sekretari socialist për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, në një intervistë për ALSAT u shpreh se, tashmë në Partinë Socialiste ka një realitet të ri, duke nënkuptuar që tashmë PS-ja drejtohet nga Edi Rama, ndërsa të tjerët duhet të japin kontribut në këtë parti. Sipas Xhafajt, ky realitet i ri duhet të pranohet dhe njihet nga të gjithë. Ish-kryetari socialist e ka cilësuar këtë deklaratë spekulim. “Natyrisht që spekulime të tilla do të ketë dhe asnjë nga tipa si ky s’do të munden të mbledhë vota në emër të Fatos Nanos, edhe në të ardhmen”, tha Nano. Pak ditë më parë ish-kryetari socialist u shfaq në sallën e Parlamentit, me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Por kjo vizitë e tij nuk kaloi pa shkaktuar reagimet e radhës. Në kafen e Parlamentit, mësohet se Nano nuk ka kursyer replikat me drejtues të PS-së, të cilët kanë shprehur interesim për shëndetin e tij dhe mungesën e gjatë, por dhe pozicionimin e tij gjatë fushatës së ardhshme elektorale. Burime pranë ish-kryeministrit të fundit socialist pohojnë se qëndrimi i tërhequr i tij që prej zgjedhjeve të korrikut 2005, kanë pasur si qëllim mos përzierjen e tij në përvojën e re të kreut të ri të PS-së, Edi Rama, i cili ka hedhur shumë teza të reja për të majtën e re dhe politikën e re që duhet të ndiqet në PS. Mësohet se Nano do të shprehë në ditët në vazhdim një pozicionim të qartë lidhur me rolin që do të luajë në zgjedhjet e qershorit. Deri tani nuk ka një ftesë nga ana e kryetarit aktual socialist Edi Rama në adresë të paraardhësit të tij për të bashkëpunuar apo konsultuar në momente të vështira politike që e majta dhe PS-ja ka kaluar. Pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme, korrik 2005, sipas premtimit që kishte dhënë, Nano dha dorëheqjen nga drejtimi i PS-së, duke e lënë të qetë terrenin politik të majtë, deri në negociatat me rastin e zgjedhjes së presidentit të republikës në korrik 2007. Por edhe pse Nano arriti të marrë firmat e deputetëve për të qenë kandidat për kreun e shtetit, Nano nuk u mbështet nga kreu aktual socialist Edi Rama, ndërsa deputetë mbështetës të tij dhanë votën e tyre për kandidaturën e Bamir Topit, duke e zgjedhur president të vendit. Por Nano u vu dhe në drejtim të një lëvizje katharsisi brenda PS-së, e cila u ndal pak para zgjedhjeve vendore 2007-ës. Kjo lëvizje pas takimeve që zhvilloi në disa qytete kryesore të vendit, arriti të krijonte frymë dhe mbështetës të rëndësishëm, socialistë të njohur, të cilët ishin shpërfillur nga drejtuesit aktualë të PS-së dhe mënjanuar nga forumet drejtuese të saj.
Xhafaj: Nano faktor, por në PS ka një realitet të ri
Sekretari socialist për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, gjatë një interviste televizive në televizionin ALSAT me gazetaren Eni Vasili tha se, Fatos Nano është faktor historik në PS, por duhet njohur realiteti i ri që tashmë ekziston në këtë parti. “Fatos Nano është deputet i PS-së. Është një faktor i rëndësishëm në PS për shkak të historisë së tij dhe PS-së, por është edhe një realitet brenda PS-së, i cili nuk ka nevojë për negocim, ka nevojë thjesht për kontribut; dhe nuk ka arsye pse të mos ndodhë kështu”, u shpreh Xhafaj. Ai tha se në betejën e ardhshme elektorale partia e tij do të fitojë mandatet e mjaftueshme për të krijuar qeverinë e re pa nevojën e LSI-së. “PS-ja i ka të gjitha shanset që të kapë numrin minimal të domosdoshëm për të formuar qeverinë”, tha Xhafa.
Zgjedhjet
Zgjedhjet e qershorit do të aktivizojnë të gjithë aktorët dhe faktorët socialistë. Por pozicioni i deritanishëm i paqartë i kryetarit socialist, Edi Rama, në lidhje me faktorë të rëndësishëm brenda PS-së, si Nano, Pëllumbi, Meidani, Agolli, të cilët janë lënë në hije, pritet të jenë kosto për zgjedhjet e ardhshme.