E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Reforma e inspektorateve lufton arbitraritetin

TIRANE- Kryeministri Berisha drejtoi sot mbledhjen e Task-Forcës për reformën e inspektorateve, e cila iu kushtua hapave për fazën përfundimtare të kësaj reforme. Duke theksuar rëndësinë e sistemit të inspektorateve, si një sistem themelor për funksionimin e tregut dhe garantimin e standardeve, kryeministri vlerësoi ecurinë dhe arritjet e deritanishme të reformës.

Kryeministri theksoi se implementimi i plotë i kësaj reforme është i domosdoshëm për të luftuar arbitraritetin dhe çdo praktikë abuzive, e cila dëmton në mënyrë të pamerituar biznesin dhe zhvillimin e tij.

“Ne kemi përzgjedhur sistemin e inspektoratit dixhital, në kuptimin që një regjistër kombëtar i inspektorëve shtetëror mbahet ne Inspektoratin Qendror te vendit dhe ky regjistër është regjistri i gjurmës së çdo inspektimi. Asnjë inspektor pas vendosjes së këtij sistemi nuk do të mund të inspektojë pa lënë gjurmë elektronike se ishte, pastaj do jenë të tjerët që do të vlerësojnë duhet të shkonte apo jo, motivet që e shtynë të shkojë, agjenda e tij dhe me rradhë, por lënia e gjurmës është një kusht i domosdoshëm”, u shpreh kryeministri.

Më pas, në mbledhje u diskutua për procedurat e përzgjedhjes së kryeinspektorëve te ministrive të linjave, si dhe emërimin e tyre, pajisjen e tyre me dokumentat përkatëse , ngritjen e nje komiteti Ad-Hoc që do të ketë si detyre implementimin me saktësi, vendosmëri të reformës së inspektimit, etj.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›