E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i hashashit drejt Italisë, pranga grekut në portin e Vlorës

Agjentët e antidrogës bllokojnë 34 kg hashash gjatë kontrollit të makinës së 23-vjeçarit grek që udhëtonte drejt Italisë. Droga ishte blerë në Shqipëri

Vlorë Një sasi lënde narkotike tenton të trafikohet nga porti i Vlorës, por bllokohet nga punonjësit e policisë. Një 23-vjeçar grek ka përfunduar në pranga, pasi në makinën e drejtuar prej tij, e që priste të nisej drejt Italisë, u bllokuan 34 kilogramë hashash, fshehur në derën e makinës. Përmes një njoftimi për shtyp, policia e Vlorës njoftoi se droga ishte fshehur në një automjet të llojit KIA, me targa greke dhe është bllokuar teksa po kalonte në pikën e kalimit kufitar të portit, me destinacion Italinë. Ekspertët e seksionit antidrogë kanë nisur menjëherë vlerësimet për sasinë e lëndës së sekuestruar, ndërsa policia e Vlorës ka dalë më pas në një konferencë për shtyp, ku bëri me dije se bëhej fjalë për një sasi prej 34 kg kanabis, ndërsa në drejtimin e mjetit ishte i riu grek Jordanis Panajotis Savvoulidis. “Rreth orës 13:00, në Pikën e Kalimit Kufitar të Portit të Vlorës është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip autoveturë e markës KIA “Shuma” me targa greke YHZ 6400 dhe më pas i drejtuesit të këtij mjeti, me të cilin dyshohej se do të trafikohej lënda narkotike, ndaj të cilit është kryer një kontroll i imtësishëm. Nga kontrolli i ushtruar ka rezultuar se brenda në automjet, në pjesën e prapakolpit, në pjesën e bagazhit dhe në veshjet e brendshme të dyerve të tapicerisë ishin fshehur 242 pako me lëndë të dyshuar narkotike e presuar, të mbështjella me natriban të bardhë. Nga peshimi i pakove të gjetura kanë rezultuar rreth 34 kg lëndë narkotike e ngjashme me atë të llojit “Cannabis Sattiva”. Menjëherë u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit, Jordanis Savvoulidis, banues në Athinë, Greqi, me shtetësi e kombësi greke. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 23-vjeçari grek kishte ardhur në Shqipëri për të siguruar lëndën narkotike, të cilën kishte më pas qëllim për ta trafikuar drejt Italisë, vend drejt të cilit edhe po udhëtonte. Agjentët e antidrogës në policinë e Vlorës janë duke hetuar edhe me burimin e kanabisit, pra vendin ku ai është blerë.

Vetëm pak ditë më parë, një shtetas shqiptar tentoi kalimin e drogës, shoqëruar nga bashkëshortja, me destinacion Italinë, por edhe kjo sasi u bllokua gjatë kontrolleve rutinë në portin e Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›