E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Reforma në drejtësi, institucionet që do preken

Reforma në drejtësi, konsensusi i dytë i madh mes maxhorancës dhe opozitës, pritet të prekë një sërë institucionesh. Kryeministri Sali Berisha tha dje në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar të maxhorancës, se një sërë institucionesh të drejtësisë do të jenë objekt i paktit që, sipas të gjitha gjasave, do të marrë shumicën absolute të votave në Kuvend. 

ADI SHKEMBI

Sipas Berishës, "në proces e sipër të reformimit janë institucioni i Prokurorisë, administrimi i gjykatave dhe profesionet e lira, Përmbarimi si dhe institucione të tjera, të cilat duhet të vendosin në bazën e tyre legjislacionin e standardeve më të mira. Është e domosdoshme që një legjislacion i standardeve më të mira të vendoset mbi bazën e këtyre institucioneve, legjislacion që ka dy qëllime themelore, të konsolidojë pavarësinë e tyre, t'i bëjë ato më transparente ndaj publikut në të gjithë veprimtarinë e tyre dhe më të përgjegjshme". Kreu i qeverisë vlerësoi vullnetin e deputetëve të maxhorancës dhe opozitës për të proceduar me reformat në fushën e drejtësisë dhe fusha të tjera. Kryeministri i cilësoi reformat në sistemin e drejtësisë si reforma themelore për çdo shtet, të cilat kanë të bëjnë me pavarësinë e këtij sistemi, transparencën dhe miradministrimin e tij. Duke vlerësuar hapin e bërë me ligjin e organizmit të drejtësisë, Kryeministri u shpreh se ky ligj u jep një përgjigje të përshtatshme problemeve të ndryshme. "Një hap shumë i madh është bërë me ligjin e organizmit të drejtësisë, i cili siç faktohet në raportin e Komisionit Evropian, është një ligj që u jep përgjigje të përshtatshme problemeve më madhore me të cilat përballet ky sistem".
Heqja e imunitetit
Pjesë e pandarë e paketës për reformimin e sistemit të drejtësisë, do të jetë edhe ligji për heqjen e imunitetit të deputetëve. Sipas Berishës, vota e deputetëve për heqjen e imunitetit është një arritje e madhe e 16 viteve të fundit. "Përmbysja e murit të imunitetit i bën nder këtij Parlamenti, i bën një nder të madh çdo deputeti, çdo politikani. Kjo shënon realisht një kapitull të ri në përpjekjet e këtij vendi për transparencë, përgjegjshmëri ligjore, barazi para ligjit, jo vetëm të politikanëve, por të të gjithë imunitarëve", u shpreh kreu i qeverisë. Kryeministri theksoi se imuniteti për korrupsionin dhe krimin e zakonshëm nuk duhet të ekzistojë për asnjë person në Republikën e Shqipërisë, i çfarëdo rangu apo pushteti qoftë ai. "Nuk bëjmë gjë tjetër këtu vetëm se instalojmë një model që demokracia më e konsoliduar dhe më e madhe në botë e ka instaluar 200 vjet më parë në kushtetutën e vet. Jemi të hapur absolutisht për të gjitha mendimet e opozitës, si dhe për të gjitha mendimet e grupeve të interesit dhe të gjitha institucionet e tjera, të cilat kanë bërë punë serioze në këtë drejtim, natyrisht lokomotiva e reformave është ligjvënësi, është Parlamenti dhe çdokush tjetër do ta ketë të qartë se reformat legjislative janë atribut pothuajse i lindur i Parlamenti, i cili merr mendimet e të gjithë institucioneve dhe të grupeve të interesit", tha Kryeministri. Pak ditë më parë, kreu i qeverisë dhe ai i opozitës u shprehën të hapur për të diskutuar lidhur me heqjen e imunitetit të deputetëve, ndërkohë që vetëm një ditë më vonë, kreu i PS-së, Rama, u shpreh se ky ligj duhet të jetë pjesë e paktit për drejtësinë që propozoi partia e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›