E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtari Taljavento: Pejiç një sulmues për Serinë A

Ndonjëherë nuk janë vetëm trajnerët, menaxherët, apo specialistët e futbollit, ata që japin vlerësime për lojtarët pas një ndeshje, pasi këtë gjë e bëjnë edhe gjyqtarët, ndonëse në biseda konfidenciale. 

Jetmir Halilaj

 Paolo Taljavento, gjyqtari italian që drejtoi ndeshjen Dinamo-Partizani 2-1 të shtunën ka mbetur i mahnitur nga sulmuesi i Dinamos Pero Pejiç. Më tepër për penalltinë që fitoi, italiani e kishte cilësuar sulmuesin kroat si një lojtar i cili mund të luajë fare mirë edhe në skuadra të nivelit të lartë. “Kisha kohë që nuk shikoja që një sulmues të tërhiqte gjithnjë pas vetes katër lojtarë kundërshtarë. Ai (Pejiç) ishte vërtet një futbollist i aftë, sepse arriti të mbante nën presion të gjithë prapavijën. Mendoj se është një lojtar që mund të luajë fare mirë edhe në skuadra të Serisë A”, mësohet të ketë thënë gjyqtari italian. Lajmin e bënë të ditur burime zyrtare pranë FSHF-së. Taljavento akordoi një 11-metërsh për Dinamon të fituar nga Pejiç që në minutën e katërt, por disa minuta më pas ai nuk ka kursyer një karton të verdhë për kroatin e bluve, kur ai është përpjekur të fitojë një tjetër 11-metërsh duke simuluar. Arbitrit italian i ka bërë shumë përshtypje numri i pakët i tifozëve në stadium. “Mendoja se do të ishin 10 fishi i tifozëve – ka thënë ai pas ndeshjes – Duke qenë se ishte një ndeshje ku përcaktohej titulli, prisja që të kishte shumë më tepër tifozë. Mëkat që nuk ishin lejuar tifozë prapa portave”. Në mënyrë konfidenciale Taljavento mësohet të ketë thënë se pas minutës së 90-të, nuk ishte luajtur më futboll. “Në minutat shtesë nuk u luajt më futboll, sepse skuadra që fitoi titullin kishte për qëllim vetëm vonesat e lojës”, ka thënë Taljavento. Para fillimit të ndeshjes ai u ka bërë të qartë dy kapitenëve të skuadrave, Beqirit dhe Pishës se nuk do të toleronte në asnjë rast dhe se lojtarët e të dyja skuadrave duhet të ishin të kujdesshëm. Në fakt ashtu ndodhi, sepse gjithçka ishte korrekte që nga penalltia e akorduar në favor të Dinamos deri te ndëshkimi me karton të kuq i dy lojtarëve të bluve. Taljavento mësohet të ketë thënë se do të kishte qenë një mëkat nëse Dinamo do ta humbiste ndeshjen në minutat shtesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›