Berisha rikthen konfliktin me Perëndimin si në vitin ‘96
Konflikti mes mazhorancës dhe misionit vëzhgues të ODIHR po merr formë të rrezikshme. Pasi u mbajt i fshehur për disa kohë, ai shpërtheu para dy ditësh. Dje ishte radha e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të refuzonte një takim me kryetaren e misionit vëzhgues, Audrey Glover.
Edhe pse kryetari Ristani, drejtues i një institucioni të pavarur që duhet të menaxhojë procesin zgjedhor, dha një arsye familjare për këtë gjë, sigurisht që arsyeja e vërtetë është kundërshtimi që po i bën kjo mazhorancë emrit të Glover. Vetë Ristani pranoi para dy ditësh për “Zërin e Amerikës” se ai po negocionte për ta zgjidhur këtë situatë, d.m.th., për të larguar Glover nga kryesimi i vëzhguesve.
Kryeministri, Sali Berisha, ka zhvilluar dje një takim madje me diplomatë të BE në Tiranë, të cilët kanë tentuar të negociojnë dhe njëherë pranimin e Glover. Por kryeministri ka qenë i prerë duke deklaruar se procesi do të dëmtohej, në rast se palët nuk do kishin një arbitër të ndershëm.
Zyrtarisht, Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Ferdinand Xhaferri, tha se nuk ka asnjë konflikt. Ai tha se mazhoranca ka kërkuar që të ketë sa më shumë vëzhgues për këtë proces zgjedhor.
“Nuk ka asnjë lloj konflikti. I vetmi deklarim i kreut të mazhorancës është që të jenë sa më shumë vëzhgues. Ne kemi investuar goxha për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Do të këmbëngulim që të kemi maksimumin e vëzhguesve”, - deklaroi Ferdinand Xhaferri.
Por ndërsa Xhaferri nuk thotë asgjë, konflikti po rrezikon imazhin e zgjedhjeve në sytë e ndërkombëtarëve. Bashkimi Evropian ka filluar që tani të hedhë dyshime për procesin zgjedhor.
ODIHR është treguar i prerë se nuk do largojë ambasadoren që drejton misionin vëzhgues, duke iu trembur faktit se një gjë e tillë do krijonte një precedent të rrezikshëm dhe shumë vende që kanë probleme me zgjedhjet mund të kërkojnë të caktojnë vetë gjykuesit e zgjedhjeve.
“Është detyra e ODIHR që të zgjedhë kryetarët e misioneve vëzhguese. Ne zhvilluam një proces të hapur përzgjedhës për postin në Shqipëri dhe ambasadorja Audrey Glover u caktua për këtë rol bazuar në përvojën e saj të shkëlqyer me vëzhgimin e zgjedhjeve. Ajo ka kryesuar misione të shumta vëzhgimi zgjedhjesh në vendet e ndryshme të OSBE dhe së fundi kryesoi misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka asnjë arsye përse të tërheqim ambasadoren Glover, pasi ajo është personi më i mirë për të bërë këtë punë. Ne shpresojmë gjithsesi se misioni ynë që ka shkuar në Shqipëri që javën e kaluar do të jetë në gjendje të kryejë detyrat e tij në përputhje me mandatin e tij. Ne besojmë se është në interesin e të gjithëve t’u japin vëzhguesve gjithë informacionin që iu duhet për të arritur në një vlerësim të gjithanshëm dhe objektiv të zgjedhjeve,’ tha për Zërin e Amerikës, Jens-Hagen Eschenbesher, zëdhënës i ODIHR në Varshavë.
I pyetur nëse kjo gjë do ndikojë në raportin përfundimtar, ai tha: “Vëzhgimin e zgjedhjeve ne e bëjmë sipas mandatit të hartuar nga vendet anëtare të OSBE, në bazë të një metodologjie tashmë të provuar mirë e të përdorur në shumë vende, për shumë vite. Kjo metodë do të përdoret edhe në Shqipëri. Pra, nuk duhet të ketë asnjë dyshim se vlerësimet tona nuk do të jenë objektive. Disa herë ndodh që qeveritë ose opozita nuk i pëlqejnë vlerësimet tona, por nuk bëhet fjalë që ne të mbajmë anë në punën tonë.
Kryeministrit, Sali Berisha, pak i intereson një gjë e tillë. Tashmë kanë mbetur pak ditë përpara nisjes së fushatës dhe sinjalet nuk janë dhe aq pozitive. Listat e votuesve janë të mbushura me probleme të rënda. Mediet publike, por dhe ato private kombëtare po përdoren në mënyrë ekstreme nga partia në pushtet. Administrata është vënë e gjitha në funksion të partisë në pushtet për zgjedhjet. Opozita ka hedhur madje dhe dyshime se shpërndarja e kartave të identitetit po bëhet në funksion të abuzimit me votat.
Në këto kushte duket se kryeministri ka zgjedhur të krijojë një konflikt që përpara zgjedhjeve me misionin vëzhgues që do të certifikojë zgjedhjet për të pasur më pas një argument për të hedhur poshtë raportin e tyre, nëse ai do të jetë negativ.
Shkaku zyrtar i kundërshtimit të emrit të Glover është fakti se ajo ka vëzhguar dhe zgjedhjet e vitit 1996 dhe raporti i saj u kundërshtua dhe në atë kohë nga mazhoranca. Sipas saj, raporti nuk u kundërshtua vetëm nga ata, por dhe nga të tjerë ndërkombëtarë. Por ajo që është fakt, është se zgjedhjet e atij viti hapën siparin e një skene të shëmtuar të abuzimit të zgjedhjeve. Aty nisi kanceri i vërtetë i shkeljeve me procesin zgjedhor, kancer që nuk di të ndalet akoma.
Glover njihet si një mbrojtëse e rreptë e të drejtave të njeriut dhe si një person me mjaft eksperiencë në vëzhgimin e proceseve zgjedhore. Së fundmi ajo ishte në krye të misionit monitorues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, sido që të jetë përfundimi i këtij ngërçi, gjasat janë që njolla të mbetet. Edhe në rast se Glover do të largohej, kjo nuk do e ndihmonte aspak qeverinë që të zbardhte imazhin e saj për zgjedhjet.
Glover takon Ramën, mban shënim rezervat e opozitës për procesin
Ndërsa kryeministri, Sali Berisha, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha dhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë refuzuar të takojnë drejtuesen e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, Audrey Glover, kjo e fundit është takuar me kryetarin e Partisë më të madhe opozitare, Edi Rama.
Mësohet se Edi Rama ka shprehur mbështetje për misionin e ODIHR dhe ka rreshtuar para Glover disa nga shqetësimet e opozitës për procesin.
“Gjatë këtij takimi, Edi Rama ka shprehur mbështetjen e Partisë Socialiste për misionin e ODIHR dhe në të njëjtën kohë e ka njohur ambasadoren me disa nga shqetësimet e opozitës në lidhje me procesin e ardhshëm zgjedhor.
Procesi i pajisjes të votuesve shqiptarë me letërnjoftime elektronike ka qenë një nga problematikat e ngritura nga lideri i opozitës, sikundër edhe numri i madh i zyrave të aplikimeve, të cilat edhe sot mbeten të mbyllura në shumë komuna e bashki të vendit.
Kreu i Misionit Vëzhgues të ODIHR dhe kryetari i Partisë Socialiste shprehën interesin e tyre të përbashkët për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke nënvizuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për Shqipërinë, si një vend anëtar i NATO-s”, - thuhet në njoftimin e Partisë Socialiste.
Ndërsa Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, tha se kjo nuk është hera e parë që qeveria krijon të tilla incidente. Sipas saj, qeveria nuk ka të drejta mbi këtë misioni dhe i takon ODIHR të vendosë se kush do e drejtojë misionin.
Meta: Kundërshtimi i Berishës për Glover, një arsye më shumë që ajo të jetë në krye të misionit
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se fakti që kryeministri, Sali Berisha, kundërshton kryetaren e misionit vëzhgues të ODIHR, është një argument më shumë se pse ajo duhet të jetë në krye të këtij misioni.
“Jemi njohur me faktin se kryeministri Berisha ka refuzuar përfaqësuesen e caktuar nga ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, me argumentin se zonja në fjalë paska qenë vëzhguese gjithashtu edhe në zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996. Në fakt ky është një kundërargument për z. Berisha dhe një përforcim i argumenteve se pse kjo zonjë duhet të jetë në krye të misionit të ODIHR, sepse nuk e ka pasur fajin kjo zonjë, në rast se kjo ka qenë vërtet në ‘96 në ekipin e ODIHR për atë që ka ndodhur, por përgjegjësia ka qenë nga fillimi deri në fund e presidentit të asaj kohe, z. Berisha dhe prandaj kemi nevojë që në krye të ODIHR të jenë persona të përgjegjshëm dhe të provuar në integritetin e tyre, të cilët mbrojnë standardin e zgjedhjeve të 28 qershorit, që nuk janë të rëndësishme vetëm për Shqipërinë, por janë të rëndësishme dhe për NATO-n, se Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s. Njëkohësisht, janë të rëndësishme dhe për Bashkimin Evropian, se Shqipëria është në një nivel të ri të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian. Ndaj z. Berisha duhet të përqendrohet vetëm me arritjen e standardeve të zgjedhjeve dhe të heqë dorë nga çdo tentativë e mbrapshtë për të cenuar zgjedhjet në standardet e tyre me ndershmërinë dhe transparencën e këtij procesi, pasi deri tani ka punuar jo pak, pikërisht për të dëmtuar cilësinë e këtyre zgjedhjeve që janë përcaktuese për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, - tha Meta.
KE kundërshton autoritetet shqiptare për ODIHR
Komisioni Evropian ka reaguar pa humbur kohë ndaj qëndrimit jomiqësor të autoriteteve shqiptare kundrejt personit që pritet të drejtojë misionin vëzhgues (ODIHR) për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ambasadorja britanike Audrey Glover. Me gjestin e mospranimit dhe mostakimit të ambasadores Glover, kryeministri, Sali Berisha, dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, kanë shkaktuar reagimin e menjëhershëm të vetë misionit të ODIHR, por edhe institucioneve të BE.
“Ambasadorja britanike, Audrey Glover, është zgjedhur nga përfaqësuesit e misionit të ODIHR dhe është e drejta e këtij misioni për të zgjedhur përfaqësuesit e tij në misionet vëzhguese ndërkombëtare”, - është shprehur zëdhënësja e komisionerit evropian për Zgjerimin, Krisztina Nagy. Sipas Komisionit Evropian, autoritetet shqiptare nuk mund të tregojnë në parim pëlqimin ose mospëlqimin e tyre për personin që zgjidhet në krye të një misioni ndërkombëtar si ODIHR, pasi bëhet fjalë për një procedurë të brendshme të një institucioni ndërkombëtar, që nuk duhet të japë llogari mbi personin që zgjedh në drejtim të misionit vëzhgues të një vendi ballkanik si Shqipëria apo një vendi tjetër. Problemi është se ambasadorja britanike, Audrey Glover, ka drejtuar misionin vëzhgues të ODIHR në Shqipëri nga viti 1994-1997, në një moment tepër delikat për udhëheqjen e atëhershme të Berishës, nga ku bazohet dhe qëndrimi aktual i kreut të qeverisë.
“Është e drejta e ODIHR për të vendosur në mënyrë të pavarur kandidatin më të mirë për ta përfaqësuar atë, kjo është e drejtë themelore. Glover është përzgjedhur si përfaqësuese e misionit për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor në Shqipëri. Ky vendim është marrë nga vetë përfaqësuesit e ODIHR dhe ne e mbështesim plotësisht vendimin për të mos lejuar ndërhyrjen e asnjërit nga vendet fqinje në marrjen e këtij vendimi”, - ka deklaruar Krisztina Nagy.
Për Komisionin, qeveria shqiptare nuk mund të ketë rolin e përzgjedhësit, aq më tepër kur bëhet fjalë për një kriter jashtëzakonisht të rëndësishëm, siç është ai i zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit, nga i cili varet edhe marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian:
“Komisioni Evropian pret që Shqipëria të plotësojë zotimet e saj për të garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike në përputhje me standardet e vendosura ndërkombëtare. Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri është një faktor kyç në rrugën drejt integrimit në BE”, - ka përkujtuar ajo.
Vetëm me zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme, shtetet anëtare mund ta mbështesin kandidaturën e Shqipërisë.
Erisa Zykaj, Bruksel