Intervista e Berishës në '97, sulm ODIHR dhe SHBA për zgjedhjet e majit 1996: Prishën votimet
Gazeta “TemA” boton sot pjesë nga një intervistë e kryeministrit, Sali Berisha, dhënë për gazetarin e “Zërit të Amerikës” A. Fetahu, në dhjetor të vitit 1997. Intervista do të përdorej nga gazetari për të shkruar një libër mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1996-1997.
Sot gazeta boton vetëm pyetjet që lidhen direkt me procesin zgjedhor të majit 1996, ku kryetari i PD sulmon ashpër ODIHR, por nuk mjaftohet me kaq, por ngre gishtin dhe mbi shtete të caktuara për dështimin e procesit zgjedhor. Në ditët në vijim gazeta do ta botojë të plotë intervistën e zgjeruar
Akuzat më të ashpra për ju, si ish-president, kanë të bëjnë me procesin e destabilizuar zgjedhor të 26 majit. Si e shikoni tani këtë proces?
Unë personalisht kam qenë dhe jam kategorik kundër çdo dhunimi, manipulimi të votës
së lirë. Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk do të pajtohesha me falsifikimin apo manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve. Por çështja shtrohet nga kush vijnë këto akuza? Nga katër raporte ndërkombëtare, tri prej tyre i vlerësojnë zgjedhjet korrekte, të lira dhe të ndershme të krahasuara me zgjedhjet në vendet ish-komuniste. Vetëm një raport që i cilëson ato jo të lira, rreshton kritika të shumta për procesin zgjedhor. Këto akuza vijnë nga ata, të cilët organizuan procesin e bojkotit të zgjedhjeve dy orë para mbylljes së kutive të votimit, rast unik në historinë e demokracisë. Bojkoti i zgjedhjeve është tipik në historinë e luftërave civile (Greqia) dhe grushteve të shtetit të organizuara nga komunistët për të ardhur në pushtet. Këto akuza vijnë nga ata, të cilët e injoruan tërësisht në raportet e tyre bojkotin e komisioneve në qendrat e votimit nga ish-komunistët, si akt që cenon rëndë integritetin e procesit të numërimit të votave. Kjo, sepse ata vetë ishin faktori i destabilizimit të procesit zgjedhor dhe shumë prej tyre ishin nga ata që donin rikthimin e komunistëve në Shqipëri për shkaqe komplekse. Në të gjitha këto raste kemi të bëjmë me akuza të parafabrikuara dhe, në rast se do të hetonit, do të mësonit shumë për to. Çështja ndryshon, kur këto akuza vijnë nga ata që i besojnë votës së lirë dhe që mendojnë se integriteti i komisionit të numërimit të votave është kusht për një proces elektoral të rregullt. Këta të fundit kanë të drejtë, ndërsa të tjerët i përkasin mafies dhe jo politikës apo më mirë mafies politike që janë të verbëruar nga paratë e derdhura apo interesa të tjera, urrejtje të verbëta nacionaliste në dëm të një kombi tjetër.
Unë kam qëndruar pa u lëkundur ndaj çdo manipulimi apo falsifikimi të provuar apo të dyshuar, sikundër kam qenë i vendosur të mos përligj bojkotin e numërimit të votave, rast i paprecedent në historinë e Evropës, si një mekanizëm për shkatërrimin e demokracisë.
Por, në rast se shqiptarët do të ishin dakord me këto akuza, unë mendoj se ato nuk do të riprodhonin pothuaj të njëjtin rezultat në zgjedhjet e 20 tetorit në prani të 560 vëzhguesve evropianë dhe amerikanë, të cilët i konsideruan zgjedhjet të rregullta. Për zgjedhjet e 26 majit, gjer në momentin e bojkotit, 2 orë para nga ish-komunistët, nuk kishte ndonjë vërejtje substanciale. Në Shqipëri, ato ishin zgjedhjet e para në pluralizëm, gjatë fushatës së të cilave nuk pati të vrarë apo të plagosur. Instituti Republikan Amerikan në sondazhin e tij ditën e zgjedhjeve gjeti se Partia Demokratike kishte fituar 58% të votave kundrejt 22% të PS. Unë nuk mohoj se largimi i rreth 45% të anëtarëve socialistë nga komisionet padyshim ndikoi në integritetin e procesit të numërimit të votave dhe këtu përgjegjësi të padiskutueshme kanë të gjithë ata që i lejuan vetes, në rast se i lejuan, një numërim jo korrekt të votave në komisionet e votimit. Por, sa ka qenë ndikimi në rezultatet e zgjedhjeve i largimit të 45% nga qendrat e votimit të përfaqësuesve të PS, ndërkohë kur në të gjitha këto qendra mbetën mbi 2/3 e anëtarëve dhe vetëm 1/3 e tyre i përfaqësonte PD? Ripërsëritja e zgjedhjeve në 17 zona dhe zgjedhjet e 20 tetorit, që u konsideruan të rregullta nga ata që i vëzhguan, riprodhuan të njëjtin rezultat.
Nuk mohoj se procesi i numërimit të votave ka pasur defektet e veta, por shumë e shumë më të mëdha qenë përpjekjet e një makinerie të tërë për ta instrumentalizuar atë. Ishin këto përpjekje dhe ata që qëndronin prapa tyre që imponuan ODIHR që në raportin përfundimtar prej 35 faqesh të mos gjendet asnjë fjalë apo fjali ku të dënohej largimi nga komisioni i votimit i anëtarëve socialistë të komisionit. Ky raport vinte në kundërshtim me tri raporte të tjera ndërkombëtare, të cilat i vlerësuan zgjedhjet “korrekte”, të lira dhe të ndershme për vendet ish-komuniste. Në një memorandum të ambasadorëve të vendeve perëndimore, firmosur edhe nga i Ngarkuari me Punë i SHBA, të cilët kishin vëzhguar vetë ditën e zgjedhjeve, raporti i ODIHR kritikohej për një seri pasaktësish dhe mungesë faktesh. Memorandumi i ambasadorëve perëndimorë në Tiranë arrinte në konkluzionin përfundimtar se raporti i ODIHR ishte i njëanshëm.
Për instrumentalizimin e këtij procesi ishin të interesuar ata që votonin në Stokholm, pa pasur të drejtën e votës në komision për rezolutën kundër Shqipërisë.
Për instrumentalizimin e tyre ishin të interesuar ata që të nesërmen e zgjedhjeve udhëzuan socialistët të njoftonin me megafona nga selia e tyre, se Shtëpia e Bardhë nuk do t'i njohë zgjedhjet.
Përgjegjësi për këtë proces patën edhe ata që nga Greqia, sipas liderëve të lartë socialistë, urdhëruan si variant të fundit largimin e anëtarëve të komisionit që përfaqësonin PS nga procesi i numërimit të votave. Unë sot nuk do të isha ky që jam, po të mos i thoja gjërat ashtu siç janë thënë lidhur me bojkotin. Organizatorë, sponsorizues të instrumentalizimit të procesit zgjedhor në Shqipëri u bënë eksponentë të lobit grek në SHBA dhe individë të tjerë të kooptuar prej tyre. Gage dhe Stefanopulos, në luftën e tyre të egër dhe primitive ndaj kombit shqiptar, nuk janë të vetëm. Nga disa burime socialiste dhe jo, lakohet emri i R. Shifterit që “rastësisht” ndodhej në Greqi, i cili, për interesa të përfaqësuesve të caktuar të lobit grek dhe jo të SHBA, ka ndihmuar haptas ardhjen në pushtet të ish-komunistëve. Ky zyrtar amerikan, pasi dështoi në një ndërmjetësim aprincipial për lirimin e katër minatorëve me veprimtari spiunazhi, bashkëpunëtorëve të shërbimit grek, që kishin marrë pjesë në armatosjen e mijëra qytetarëve shqiptarë me origjinë greke, ishte tejet aktiv në përpjekjet e tij keqdashëse dhe për të prishur marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA. Pas këtij dështimi, zemërimi dhe urrejtja e tij u bënë të papërmbajtura. Ai do të thërriste njëri pas tjetrit zyrtarë shqiptarë, drejtues të institucioneve të ndryshme, duke përfshirë prokurorë, gjykatës dhe u mbante ligjërata të tëra kundër Berishës “autoritar”. Për këto disponohen fakte të shumta dhe të pamohueshme, jo vetëm në Shqipëri, por besoj edhe në SHBA, në rast se do të autorizoheshit të studionit arkivat përkatëse.
A ndjeheni përgjegjës për dhunën e ushtruar mbi politikanët e opozitës më 28 maj dhe a ishit në atë kohë të ndërgjegjshëm për pasojat e atij veprimi?
Nuk ka patur asnjë urdhër për keqtrajtimin e opozitës dhe ripërsëris se keqtrajtimi i opozitarëve në sheshin “Skënderbej” ka qenë një akt i dënueshëm, i ndërmarrë direkt nga ata që komandonin policinë në operacion, pa asnjë urdhër nga zyrtarë më të lartë. Unë jam informuar rreth 1 orë pas kësaj ndodhie. Kam kërkuar sqarim të hollësishëm dhe e kam dënuar ashpër. Për këtë qëllim u shkarkuan 7 zyrtarë të lartë policie dhe u hap një çështje penale. Por, ish-opozitarët nuk ndoqën procesin.
Padyshim që ajo nuk duhej të kishte ndodhur. Por, kjo ngjarje nuk do të thotë se ka ekzistuar një politikë e caktuar shtypëse ndaj opozitës. Nuk mohoj se pas 28 majit veprime sporadike të pakontrolluara nga individë të veçantë mund të ketë pasur, por këto kanë qenë më të shprehura nga ana e komunistëve ndaj demokratëve. Udhëzimi ka qenë mbrojtja e drejtuesve të opozitës dhe për këtë ka pasur një plan të masave konkrete. Mbrojtja e saj, në të gjitha veprimtaritë e saj, ka qenë urdhër i pandryshueshëm. Kështu, që nga viti 1992 gjer në vitin 1997 asnjë aktivist, drejtues lokal apo qendror i opozitës nuk ka humbur jetën as dhe nuk është plagosur.
Ndërsa pas daljes së Fatos Nanos nga burgu dhe gjatë periudhës që socialistët erdhën në pushtet, është zbatuar njëlloj si në vitin 1991 platforma e likuidimit fizik të kundërshtarëve, janë organizuar një seri atentatesh ndaj drejtuesve lokalë dhe kryesore të Partisë Demokratike, janë qëlluar dhe janë vrarë me 6 janar, ditën në drekë, tre aktivistë të shquar të Partisë Demokratike, Matoshi, Kolbuçaj, Dizdari në Tropojë, është vrarë në Kavajë kryetari i komunës së Sineballës i Partisë Demokratike, është qëlluar në parlament deputeti Hajdari, është qëlluar me breshëri automatiku nga makinë policie anëtari i Këshillit Kombëtarë të Partisë Demokratike dhe gazetari i “Rilindja Demokratike” së bashku me familjen e tij në gusht. Për të humbur gjurmët e këtij krimi, policia njoftoi se kishte arrestuar një motorist, por, në të vërtetë, gjer sot nuk ka arrestuar asnjeri. Më 14 prill të këtij viti, në orën 01.00 të natës, u vra në shtëpinë e tij, para gruas dhe fëmijëve të tij, aktivisti i Partisë Demokratike, Bujar Suli, dhe ka pësuar djegie djali i tij 3-vjeçar, sepse është gjuajtur me flakëhedhës shtëpia. Krimi i vetëm i Bujar Sulit ishte se ai kishte shkruar në antenën satelit të TV së tij “PD do të fitojë në vitin 1998”. Vetëm këto dy javë janë vrarë dy nga aktivistët më të shquar të Partisë Demokratike: Bashkim Shkurti, drejtues i personelit të Bashkisë në Lushnjë dhe Frederik Shehu, njeriu që në vitin 1991 rrëzoi bustin e E. Hoxhës në Gjirokastër dhe për të gjitha këto vrasje, të gjitha në anën e opozitës dhe asnjë në krahun e koalicionit qeveritar, nuk është filluar asnjë çështje penale, sepse ato janë të organizuara nga policia sekrete. Për të riun Bujar Suli, Ministria e Brendshme njoftoi se ishte person shumë i kërkuar, në një kohë që ai ishte një person shumë i nderuar, roje shkolle sipas policisë së Fierit dhe asnjëherë i kërkuar. Ai kishte mbrojtur në shumë raste vajzat e shkollës së Levanit nga sulmet e trafikantëve. Policia e Fierit deklaron publikisht se ai nuk ishte një person në kërkim dhe se ajo polici nuk kishte kërkuar Forcat Speciale për të arrestuar këtë njeri. Në varrimin e tij mori pjesë e tërë komuna e Levanit, kurse nxënësit ndërprenë mësimin për disa ditë. Këshilli i komunës së Levanit e ka shpallur atë “Qytetar Nderi” pas vdekjes dhe ka propozuar që në nderim të tij, shkolla e mesme të mbajë emrin “Bujar Suli”. Për të gjitha këto ngjarje mbahet një heshtje e turpshme dhe asnjë zyrtar, ushtarak, polic apo civil i implikuar direkt në to, nuk është shkarkuar. Janë rrahur nga policia gazetarë të opozitës dhe jo vetëm që nuk janë ndëshkuar fajtorët, por përkundrazi, policët që i kanë rrahur janë ngritur në përgjegjësi, siç ndodhi në Librazhd me policin që rrahu dy gazetarë. Platforma e likuidimit fizik të kundërshtarëve është platformë që në Shqipëri është zbatuar pas pluralizmit, vetëm gjatë qeverive “Nano 1”, “Nano 2”, “Nano 3”.