Ndeshjet e “Taçi Oil”, si koncertet e Alimuçës në zgjedhjet e ‘96
Flamuri e kaloi ditën dje duke ndarë bileta falas për ndeshjen e Milanit me kombëtaren B, të sajuar me rastin e fushatës. Zonja e atij burrit më në fund vendosi të bëjë një biznes tamam. Duke qenë se zgjedhjet po afrojnë dhe s’ka shumë besim se do jetë sërish pas zgjedhjeve e favorizuar të mbledhë pará për fondacionin e saj, i shkoi mendja te Taçi. Gruaja e Taçit është në bordin e fondacionit të zonjës së atij burrit dhe kështu paratë duket sikur sponsorizohen, por futen në familje. Kjo skemë e kishte mahnitur Flamurin, i cili në fillim besoi vërtet se fondet do t’i shkonin UNICEF-it. Pastaj, pak nga pak u modifikua për fondacionin “Fëmijët Shqiptarë”, derisa më në fund në tribunë bashkë me Taçin doli dhe zonja e atij burrit.
Sidoqoftë, Flamuri u nda i kënaqur. I kishin dhënë 20 bileta për militantët dhe Flamuri ishte goxha i pushtetshëm në protokoll. Në fillim thirri Qukapin dhe i dha 4 copë për kryesinë e Forumit.
- Më jep dhe një për Bogdanin, - i tha ai.
- Po ke katër copë, - i tha Flamuri.
- Këto i kam për Rrahmanin, Shkëlzenin dhe një tjetër që s’ta them dot, - i tha. - T’i japim dhe një Gertit se gjynah.
- Merre dhe një, - i tha Flamuri. - Po më thuaj pak ç’thonë të rinjtë?
- Janë të gëzuar shumë, - tha Qukapi. - Ishin disa nga këta shokët tanë të Forumit mbi 30 vjeç sot te zyra. Iu mbushën sytë me lot. “Po përsëritet viti 1996, - tha një prej tyre. - Të gjitha shenjat janë njësoj. Të kujtohet Vehbi Alimuça që na sillte ato grupet muzikore nga Brazili për koncertet Vizion 2000? Ata që këndonin “kokoxhamboo”. Eh, njësoj më duket. Tani na vjen Milani. Ku u gjet ky Taçi, qenka i madh fare! Hallall atë ARMO-n, hallall të gjitha! Na ka nderuar fushatën”. Kështu thonë shumica, - e mbylli Qukapi.
- Kohë e bukur ka qenë ajo, - tha Flamuri, - më kujtohet. E kam akoma atë fotografinë e Ardit Gjebresë me një fjongo blu të lidhur në ballë, ku shkruhej “Berisha, hero”. Paguante Vehbiu i shkretë, po ky qenka i paparë. Ky paguan gjithçka. Dhe del me fitim thonë, se i rrotullon përsëri lekët në atë mënyrë që del i fituar. I paparë është. Po dhe ai burri ishte i kënaqur shumë. Më tha në telefon: “Flamur, për herë të parë po më shijon futbolli.” Më mori dhe gjatë ndeshjes. Më thoshte: “Pas 5 minutash ka gol” dhe bëhej gol. Ishte e pabesueshme se si i dilte parashikimi. I kishte parashikuar gjithë golat. Madje dhe lojtarët. Ishte i paparë dje. E kam parë shumë të gëzuar.
- Na ka dhënë shumë shanse kjo ndeshja e Milanit. Milani dy herë s’ka qenë kurrë në asnjë vend në kohë kaq të ngjeshur. Hallall e ka ARMO-n ai! Dhe ia bëri mirë atij Bamirit dhe Edi Ramës që nuk i ftoi. Vetëm zonjën e atij burrit. Ashtu e meritojnë ata. Se bëjnë si qytetarë ata, sikur vetëm ata marrin vesh nga futbolli. E çfarë futbolli me Tirana, Dinamo, ne me Milanin, - e mbylli Qukapi.
- Mua po më kujtohet prapë ’96, - tha Flamuri. - Ore janë të gjitha shenjat njësoj, koncertet si të Vehbiut, paratë për koncerte dhe ndeshje lumë, këta të ODIHR po njësoj, kjo Gloveri po e njëjta, që do të na prishë zgjedhjet. Të gjitha njësoj. Vetëm në vend të Alimuçës që është kot në burg i shkreti, është ky Taçi që do t’i zërë vendin më vonë me sa duket. Të gjitha njësoj janë. Vetëm se unë atëherë s’futesha dot brenda godinës së PD, tani jam zot i gjithë gjërave. Shumë e bukur ka qenë ajo kohë. Pale zgjedhjet. Fantastike! Asnjë sherr. Merrje vota sa të doje. Tri herë e ktheva kutinë në Kukës, se dilte njëri në Pukë me më shumë vota se ai yni në Kukës. Ia mbusha tri herë. Askush s’të thoshte gjë. S’kishte zgjedhje më të qeta. Dhe këta plehrat e opozitës ikën që në drekë dhe na lanë rehat.
- Dhe mua më duket kohë e artë, - tha Qukapi. - Rrofsh për këto biletat! Po shkoj t’i marr ata e të shkojmë në tribunë. Se është hap llafi sikur jemi trembur nga kjo dosja e Gërdecit. As e rruajmë hiç, se i kena prishë gjithë provat. Le të lehin kot rrugës ata. S’më kishte shkuar kurrë mendja që do vinte prapë ky viti i artë ‘96. Ky burri i bën të gjitha. Mëshirëploti i dhëntë kohë të na e rikthejë dhe një herë tjetër!