Kroatët, më të mirët e "Aulona International Folk Festiva"

Grupi kroat “Zeljezniçar” u nderua dje në mbrëmje me Kupën e Festivalit “Aulona International Folk Festival”, që u zhvillua në skenën verore pranë stadiumit të qytetit të Vlorës. Juria e kryesur nga prof. Fatmir Hysi vlerësoi performancën e këtij grupi, vallet e interpretuara nga djemtë dhe vajzat të cilat reflektuan traditat folklorike të kësaj zone. Shfaqja e ansamblit “Zeljezniçar" u ndoq me mjaft interes dhe u pëlqye nga artdashësit vlonjatë. Ky vlerësim për grupin kroat pason atë të vitit 2006 në Kinë, kur ai meritoi disa çmime në "Champion of the ëorld choir games", ndërsa ka fituar dhe mjaft trofe në festivale të ndryshme si në Britaninë e Madhe, Austri, Norvegji, Gjermani , "Argjiro 2008” (Gjirokastër). Ndërkohë, me çmimin e parë u nderua grupi i Shkupit (Maqedoni), me çmimin e dytë Ansambli “Tirana” dhe të tretin Ansambli “Meçovo”(Greqi). Çmimin special të bashkisë së Vlorës e meritoi Ansambli “Shote Galica” nga Drenasi i Kosovës, ndërkohë që çmimin special të Qendrës Kulturore “Bilbilat e Jugut”, organizatore e festivalit, ansambli “Burimet e Sharrit" nga Maqedonia. Nata e fundit e këtij aktiviteti u ndoq prej mëse 2 orë nga qindra qytetarë dhe drejtues të pushtetit vendor. Të parët në skenë u ngjitën artistët e “Meçovo”, më pas vallja çame e shoqëruar nga vallëtarët e Gumenicës, ndërkohë që grupi i Malit të Zi u prezantua me vallen e traditës. Vallja kosovare, ku tingujt e dhimbjes ndërthureshin me lëvizjet burrërore të ringritjes përcolli emocione të veçanta tek spektatorët. Motivet e gëzuara të vallëtarëve të Shkupit vazhduan me vallen tiranase, ndërsa “Tetovarja” mbylli natën festive që u shoqërua me fishekzjarrë të shumtë. Festivali Foklorik Ndërkombëtar “Aulona International Folk Festival” u zhvillua për tre netë me radhë në qytetin e Vlorës, me pjesëmarrjen e 9 grupeve nga vende të ndryshme. Ky aktivitet i dimensioneve ndërkombëtare vlerësohet si një risi për jetën kulturore në qytetin e Vlorës dhe organizatorët synojnë ta shndërrojnë atë në një traditë. Festivali “Aulona International Folk Festival" i bashkohet dy aktiviteteve të tjera të ngjashme që zhvillohen në Vlorë, mes të cilave Festivali Foklorik Mesdhetar dhe Festivali Kombëtar i Isopolifonisë. Në ndryshim nga dy të tjerat, ky festival promovohet në kuadrin e ditëve të çeljes së sezonit turistik dhe ka dimensione më të gjera të grupeve pjesëmarrëse.
...