E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Reforma zgjedhore, peng i PS

 

ADI SHKEMBI

Kryerja e reformës zgjedhore do të kryhet në afatin më të shkurtër, por ajo po pengohet prej mëdyshjeve të opozitës. Kryeministri Sali Berisha, tha dje në një konferencë për shtyp se, maxhoranca është e angazhuar për miratimin në Kuvend të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Por sipas tij, gjithçka deri tani ka ngecur për shkak se PS-ja bën një hap para dhe dy hapa mbrapa. "Ai është një zotim i padiskutueshëm dhe do të realizohet në afatin më të shkurtër. Ne presim Partinë Socialiste, e cila bën një hap para dhe dy hapa pas, sot fton dhe nesër thotë s'kam kohë. Nëse ka diçka për të cilën interesi është absolut i njëjtë është Kodi Zgjedhor. Ne jemi të gatshëm dhe të përgatitur të procedojmë, sapo pala tjetër të jetë e gatshme. Ne nuk kemi asnjë vështirësi sa i përket Kodit Zgjedhor", u shpreh dje Kryeministri Berisha. I pyetur, pas një turi në disa vende evropiane, mbi afate konkrete të kryerjes së kësaj reforme Berisha tha se: "Në takimet që zhvillova nuk ma ngritën këtë çështje, por nuk kanë nevojë ta ngrenë, pasi ajo është një çështje për t'u zgjidhur". Pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese, ku sistemi zgjedhor u ndryshua nga maxhoritar i korrektuar me proporcional u ndryshua në proporcional rajonal, duhet të miratohet edhe ndryshimi në kodin zgjedhor për t'iu përshtatur ndryshimeve kushtetuese. Sipas kreut të qeverisë, pjesë e diskutimeve të tij në Bruksel ishte edhe çështja e statusit të Shqipërisë si kandidat për në BE. "Nuk mund të them se nuk e trajtova këtë problem gjatë takimeve që zhvillova Bruksel dhe e trajtova me të njëjtën transparencë që e trajtoj me ju. Kjo do të jetë një çështje e negociatave dhe ne do të negociojmë". Në vijim Berisha shtoi: "Unë e mirëkuptoj opozitën dhe kam mirëkuptim për çdo shqiptar që shtyn për të aplikuar për statusin si vend kandidat në Bashkimin Evropian, por gjykoj se nuk mund të jetë dhe nuk duhet të jetë një veprim i njëanshëm. Kur shkon e troket tek dera e tjetrit, mund të hysh dhe pa e njoftuar, por i mirëpritur je atëherë kur e ke njoftuar më parë. Kështu që edhe ne do të bisedojmë përpara dhe pastaj do të ndërmarrim aktin".

Kryeministri: Ftova Sarkozinë në Shqipëri

Kryeministri Berisha tha dje se, rrëzimi i Traktatit të Lisbonës përmes referendumit në Irlandë nuk do të ndikojë për integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duke folur në një konferencë për shtyp lidhur me samitin "Miqtë e Evropës", kreu i qeverisë u shpreh se: "Ky Samit mbahej siç e dini, pas jo-së së referendumit irlandez, "Jo", e cila natyrisht ka komplikuar ndjeshëm problemin e miratimit të Traktatit të Lisbonës. Në këtë samit, komisioneri për zgjerim i BE-së Olli Rehn dhe të pranishëm të tjerë u shprehën qartë se kjo "Jo", nuk prek procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe kjo kishte një rëndësi shumë të madhe". Më pas kreu i qeverisë mori pjesë në anëtarësimin me të drejta të plota të PD-së në grupimin e Partive të Bashkimit Demokratik Ndërkombëtar (IDU). Sipas kreut të qeverisë, ky përbën një moment historik për forcën politike që drejton vendin. Gjithashtu, kreu i qeverisë bëri të ditur se ftoi për një vizitë në Tiranë, Presidentin e Francës, Nikola Sarkozi. "Presidenti francez Nikola Sarkozi, dha një pritje në Elysée për liderët e partive të IDU. Në këtë pritje, unë pata rastin të përshëndetem shumë përzemërsisht me presidentin Sarkozi dhe ta ftoj presidentin të vizitojë Shqipërinë. Shpreh kënaqësinë time më të madhe se Presidenti e pranoi ftesën për të vizituar Shqipërinë. Ai më siguroi se do ta shohë me përparësi në axhendën e tij mundësinë për të vizituar vendin tonë", theksoi Berisha.

Xhafaj: Berisha në hotelet e Parisit, i painformuar për reformën zgjedhore

Sekretari socialist për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, hodhi poshtë deklaratat e Kryeministrit Berisha për reformën zgjedhore. I kontaktuar nga gazeta "Panorama", Xhafaj u shpreh se udhëtimet e fundit jashtë shtetit të Kryeministrit Berisha nuk e kanë lejuar atë të informohet realisht për propozimet tona në lidhje me reformën zgjedhore. "Ajo ç'ka ligjëroi kryeministri në konferencën e tij të shtypit, është fund e krye e pavërtetë. Në vlerësimin tim ka dy shpjegime për këtë deklarim më të fundit të tij. Kryeministri mund të mos e dijë se çfarë ka ndodhur në këtë aspekt, pasi ka një javë që e ndjek në distancë vapën e nxehtë të politikës së Tiranës, nga freskllëku i hoteleve dhe restoranteve të Montekarlos e Parisit dhe s'ka dijeni se çfarë është debatuar gjatë kësaj kohe brenda e jashtë Parlamentit shqiptar, ose e bën në mënyrë të qëllimshme për të justifikuar faktin që në mungesë të tij s'bëhet asgjë nga PD-ja dhe askush nuk pranon të flasë e veprojë sa s'ka marrë urdhrin e komisarit të saj politik. Gojët e këqija brenda maxhorancës shkuan deri atje sa, në mungesë të tij hapën dhe fjalë se AI nuk ka dëshirë ta bëjë brenda këtij sesioni miratimin e kodit", tha Xhafaj. Sipas tij, "Kodi Zgjedhor është një punë shumë e rëndësishme që kërkon angazhim e jo batuta. Ka rreth dy javë që PS-ja ka kërkuar publikisht e në mënyrë të përsëritur ngritjen e komisionit ad-hoc parlamentar për Kodin Zgjedhor, por është maxhoranca ajo që s'vepron". "Ne kemi kërkuar në mënyrë publike në konferenca shtypi, në seancë plenare dhe në konferencën e kryetarëve ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar, i cili do të mundësonte fillimin e procesit, ngritjen e grupit të ekspertëve, prezantimin e propozimeve të palëve, debatin rreth tyre ç'ka do të sillte si rezultat një dokument pune për miratim brenda këtij sesioni", tha Xhafaj. Sekretari socialist i kërkon maxhorancës shpejtimin e bërjes së reformës zgjedhore, gjë që është kërkuar dhe nga përfaqësuesit e SHBA-së dhe të BE-së në Tiranë, por dhe nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian. Xhafaj i kërkoi kryeministrit veprime konkrete në drejtim të realizimit të zgjedhjeve me standarde. "Lidershipi politik i maxhorancës nuk është që të deklarojë (edhe paksa me ligësi politike) thjesht e vetëm "jemi dakord me PS", por të shfaqin propozimet e projekte konkrete dhe për më tepër të veprojnë konkretisht në funksion të një qëllimi unik për të gjithë - normalizimin e procesit elektoral në elementët kryesorë të tij: kodin zgjedhor, infrastrukturën zgjedhore, kartat e identitetit, regjistrin e gjendjes civile, listat e zgjedhësve etj. Ata kanë maxhorancën parlamentare, kanë drejtimin e Kuvendit e të Komisionit të Ligjeve dhe kanë përgjegjësinë të veprojnë në shprehje të vullnetit politik të deklaruar, ta angazhimeve të premtuara, në respektim të ligjit e rregullave në fuqi", u shpreh sekretari socialist. Sipas tij, vetë propozimet e socialistëve tregojnë për seriozitet të tyre për realizmin e kësaj reforme.
"Ne kemi deklaruar në mënyrë publike, që kemi gati propozimet kryesore sipas vlerësimit tonë, për amendimet që ne çmojmë se i duhen bërë kodit aktual. Kjo do të thotë se jemi të gatshëm të shkojmë në komision për të kontribuar dhe jo për të penguar. PS-ja është e gatshme që në cilëndo formë, me apo pa komision, të sjellë për këtë çështje propozimet e saj dhe të kontribuojë për hartimin e miratimin e Kodit të ri Zgjedhor", tha Xhafaj. Përfaqësuesi i lartë i selisë rozë i kërkoi maxhorancës angazhim real dhe jo retorik për të përmbushur një nga standardet integruese të vendit, siç janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. "I kërkojmë maxhorancës ta marrë seriozisht këtë punë e me më shumë përgjegjshmëri. Ne jemi të gatshëm që në çdo formë që do të vendoset për procedimin parlamentar në këtë proces, të bashkëpunojmë në mënyrë shumë konstruktive për të mundësuar miratimin pa vonesë brenda mbylljes së këtij sesioni, pra brenda muajit korrik, ligjin e ri zgjedhor si një ndër detyrimet më të rëndësishme në funksion të procesit të pritshëm elektoral", tha Xhafaj.                 a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›