E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, i kërkoi ryshfet studentes, në qeli profesori

VLORE - Gjykata e Vlorës ka lënë në burg pedagogun që u arrestua pak ditë më parë, pasi i kërkoi studentes së tij 100 euro për ta kaluar në provim. 

Seanca në ngarkim të 32-vjeçarit Enertin Dheskali është zhvilluar dy ditë më parë. Trupi gjykues vendosi masën e arrestit “burg pa afat”, gjë të cilën e kërkoi edhe Prokuroria. Pedagogu i letërsisë në universitetin “Ismail Qemali” ka preferuar të heshtë në këtë seancë. Ndërsa mbrojtja i ka kërkuar gjykatës një masë më të lehtë, atë të “detyrim paraqitjes”, duke argumentuar se 32-vjeçari nuk përbënte rrezik për shoqërinë, dhe duke garantuar se pedagogu do të ishte i gatshëm për pjesëmarrje në të gjitha seancat, edhe në rast se do të ishte jashtë qelive. Por gjykata nuk e mori në konsideratë kërkesën e mbrojtjes, duke vendosur ta lërë pedagogun në paraburgim deri në hetimin e plotë të kësaj çështjeje. Policia e Vlorës e arrestoi pedagogun pas denoncimit të bërë nga një studente e tij. Ajo ka pohuar në polici, se fieraku Dheskali i kishte kërkuar 100 euro për provimin e letërsisë. Pas këtij denoncimi, blutë u vunë në lëvizje, duke e mbajtur pedagogun për 15 ditë në përgjim. Atij iu regjistruan të gjitha bisedat që bëri me studenten e tij. Ndërkaq, policia infiltroi edhe një agjente të saj, sikur ajo ishte studente. Pikërisht bisedat me agjenten e infiltruar e rënduan pozitën e pedagogut, i cili kërkoi para për ta kaluar në lëndën e tij. Prokuroria e Vlorës është duke e hetuar këtë çështje dhe në fund të këtij hetimi, gjykata do të vendosë për fatin e pedagogut që sapo kishte nisur karrierën.                       q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›