E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni Evropian: Kuvendi serb në Kosovë, i paligjshëm

Komisioni Evropian e ka vlerësuar dje si të paligjshëm Kuvendin e ri të serbëve të Kosovës, duke mbështetur kështu deklaratën e mëparshme të UNMIK. 

Sipas KE, ky veprim i serbëve për të inauguruar parlamentin e tyre është “pa baza të qëndrueshme ligjore dhe pa efekt”. Kuvendi i Bashkësisë së Komunave të Kosovës përbëhet nga 45 përfaqësues serbë, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të Serbisë më 11 maj, të cilat nga institucionet vendore e ndërkombëtare u cilësuan ilegjitime. Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, tha se përkundër deklaratave të përfaqësuesve ndërkombëtar se ky kuvend është simbolik, ai do të ketë pushtet të vërtetë dhe do të përfaqësojë pushtetin e shtetit serb në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka deklaruar menjëherë pas formimit të Kuvendit serb, se ky parlament paralel do të ndikojë në acarimin e situatës dhe destabilizimin në rajon.  “Mbajtja e zgjedhjeve është nën kompetencat e UNMIK”, tha një zëdhënës i KE, duke cituar fjalët e komisionerit të zgjerimit, Olli Rehn. “UNMIK ka deklaruar se këto ‘zgjedhje lokale, rezultati i tyre dhe institucionet e bashkive serbe për të cilat ato organizohen për të zgjedhur përfaqësuesit, janë të gjitha pa baza ligjore dhe pa efekt në Kosovë”, tha ai duke shtuar se “Komisioni Evropian mbështet pozicionin e UNMIK”. Inaugurimi i parlamentit të serbëve të Kosovës është denoncuar menjëherë nga zv/kryeministri Ramë Manaj si “një përpjekje për të krijuar një parlament virtual, i cili do të vazhdojë në manipulojë serbët”. Jo të gjithë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës e kanë mirëpritur formimin e të ashtuquajturit “Kuvend të Bashkësisë së Komunave të Kosovës”. Kryetari i Këshillit të Partisë Demokratike në Kosovë, Goran Bogdanoviç, ka deklaruar se përfaqësuesit e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në të ashtuquajturin kuvend themelues serb. “Do ta presim formimin e Qeverisë së re në Serbi dhe që ajo të marrë vendim lidhur me atë se, vërtet ai kuvend kontribuon në ekzistencën e bashkësisë serbe në Kosovë, apo ndoshta edhe i bën dëm luftës për ruajtjen e Kosovës dhe prosperitetit të bashkësisë serbe”, tha Bogdanoviç. Edhe përfaqësuesi i Listës serbe për Kosovë, Oliver Ivanoviç, një veprim të tillë e quan të parëndësishëm, sepse formohet nga partitë opozitare për qëllime të një grupi të vogël njerëzish.

Sejdiu: Kosova mirënjohëse   

 “Republika e Kosovës do t’iu jetë përgjithmonë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin e jashtëzakonshëm të tyre në procesin e gjatë dhe të vështirë të çlirimit dhe të pavarësisë të vendit tonë”, theksoi Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi në Prishtinë me Rosemary di Carlo, zëvendës/ndihmës-sekretare amerikane e Shtetit. Në këtë takim, në të cilin morën pjesë edhe zj. Tina Kaidanow nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, u diskutua për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë në mes të dy vendeve. Zonja Di Carlo edhe njëherë ritheksoi përkushtimin e SHBA-ve për ta ndihmuar Republikën e Kosovës dhe zhvillimin e saj të përgjithshëm, ndërsa Presidenti Sejdiu i shprehu asaj falënderimin për rolin e SHBA dhe angazhimin e saj personal për Kosovën, sipas njoftimit të Zyrës për informim publik të Presidencës së Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›