E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Reformat e integrimit, bëmë të gjitha lëshimet për imunitetin - opozita të votojë në 6 gusht

31-07-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha pret ministren e Jashtme të Qipros, zonjën Erato Kozakou - Markoulli

Përmbushja e rekomandimeve të Brukselit lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë, ishte tematika e trajtuar dje nga kryeministri Sali Berisha në takimin e zhvilluar me ministren e Jashtme të Qipros, znj. Erato Kozakou – Markoulli, vendi i së cilës kryeson presidencën e radhës të BE. Ministrja Kozakou - Markoulli shprehu vlerësimet për reformat e arritjet e mëdha të Shqipërisë. Ajo u shpreh e inkurajuar nga progresi i bërë, veçanërisht realizimin, në sajë të dialogut politik, të reformës zgjedhore dhe miratimit të ligjeve me shumicë të cilësuar. Ne presim, tha ministrja Kozakou - Markoulli, që para tetorit, në frymën e dialogut e bashkëpunimit, të jenë bërë hapa substancialë në drejtim të 12 prioriteteve të Bashkimit Evropian dhe e rëndësishme në këtë drejtim është vazhdimi i dialogut dhe konsensusit midis mazhorancës dhe opozitës.

Kryeministri Berisha tha se duke e përcaktuar integrimin në BE projektin e saj më madhor, Shqipëria po punon fort për këtë projekt. Ndonëse kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë, pasi ne e nisëm atë si vendi i tretë më i varfër në botë, me 204 dollarë për frymë, sot - theksoi Kryeministri, - jemi vend me të ardhura mesatare të larta dhe kemi arritur disa nga treguesit e vendeve të zhvilluara. Arritje të mëdha janë shënuar gjithashtu në ndërtimin e një rrjeti rrugor tërësisht të ri e modern, në krijimin e një klime gjithnjë e më të favorshme për biznes e investime, në ruajtjen e rritjes ekonomike, ndonëse në një periudhë të vështirë të krizës financiare e ekonomike evropiane e botërore, në fushën e turizmit dhe veçanërisht në fushën e ICT-së. Domethënës është niveli i investimeve të huaja në vend, ndër të më lartat për frymë në rajon. Por të gjitha këto, - theksoi Kryeministri, - ne i konsiderojmë vetëm si stacione në projektin tonë për ta shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar, për të cilën ne jemi angazhuar ta përmbushim dhe shqiptarët e meritojnë.

Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e plotë të mazhorancës qeverisëse për vazhdimin në frymën e dialogut e të bashkëpunimit me opozitën, të përmbushjes së 12 rekomandimeve të Komisionit Europian. Në këtë frymë, tha Kryeministri, u arrit edhe drafti i përbashkët për kufizimin e imunitetit për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë të lartë, për të cilin mazhoranca bëri të gjitha lëshimet dhe pranoi kërkesat e Partisë Socialiste. Pas kësaj, mbetem me shpresën se opozita do të pranojë miratimin e kufizimit të imunitetit më 6 Gusht, si dhe të vazhdojë bashkëpunimin edhe për ligjet e tjera me shumicë të cilësuar.

Ministrja Kozakou - Markoulli tha se në takimet e saj do të inkurajojë opozitën për të vazhduar në frymën e dialogut politik, bashkëpunimin për arritjen e rezultateve të tjera të pritshme edhe në kuadër të 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›