E Shtunë, 31 Tetor 2026

Numri 5000 i “55”-s, si një stacion që shënjon perspektivën

31-07-2012 / Nga Ilir Nikolla

Prej 15 vitesh, me një prani të përditshme tek lexuesit, “55”-a është një testatë që ka shenjuar historinë e tranzicionit të shtypit shqiptar, pas traumës që pësoi media me rebelimin e 1997-s. E lindur si një gazetë e qëndresës ndaj përpjekjeve për restaurimin e një regjimi që kërkonte metastazën e vet edhe në sektorin e medias, sot “55”-a sjell para lexuesit numrin e saj 5000. Është një numër rrumbullak, por i zakonshëm në rutinën e përditshmërisë. Jemi tashmë në vitin e 15-të të komunikimit me lexuesit dhe e kemi fituar qoftë betejën e zanafillës, qoftë përballjen me strukturat paramilitare të pushtetit të ’97-s për të mos na e lejuar këtë komunikim, qoftë edhe tentativat e pseudo-elitave më vonë, për të unifikuar qëndrimet e mediave e për të dëmtuar pluralizmin e ideve. 

S’është vendi për të numëruar shfaqjet e kësaj qëndrese e as për t’iu dorëzuar vanitetit për suksesin që kemi regjistruar në konsolidimin, jo vetëm të testatës, por edhe të mënyrave të komunikimit me lexuesit. Faqja e internetit e gazetës shndërrohet përditë në një forum të madh, ku lexuesit anekënd botës japin kontributin e tyre në mbrojtje të këtij pluralizmi qëndrimesh dhe kanë pasur ndikimin e tyre inkurajues edhe në konsolidimin e jetëgjatësisë së besnikërisë së lexuesve ndaj një tribune mediatike, që u themelua me idealizëm prej publicistit Fahri Balliu në vitin e vështirë 1997 dhe që s’mendon sot për mbijetesë, por për zhdërvjelltësimin e komunikimit të saj me lexuesit. Shtëpia Botuese “55” është krijesa e fuqishme, është ish-sythi i atij forumi intelektualësh që u mblodhën rreth gazetës që kishte shpallur si synim të vetin shpërfaqjen e qëndrimeve kombëtare e thellësisht perëndimore, pavarësisht nëse ato do të ishin të modës apo demode.

Sot këto dilema nuk janë më në rendin e ditës të gazetës “55”, siç janë për shumë testata të tjera, të cilat ndër vite, kanë notuar në ujërat e neutralitetit apo të pangjyrshmërisë. 5000 numra të “55”-s janë një leksion se mediat mbijetojnë kur angazhohen, kur mbështesin kauza e kur përpiqen (me sa kanë në dorë) ta mbrojnë publikun e tyre nga bjerrja e vlerave që i mbrun ata si komunitet. 

Numri 5000 është një numër rrumbullak dhe më pëlqen ta etiketoj si një numër të perspektivës. Është njëfarë stacioni që mbyll periudhën e tranzicionit, jo veç si pasqyrë ekonomike e financiare, por para së gjithash, si një ekzistencë tradicionale. Numri 5000 është një numër që konfirmon se suksesi s’arrihet veç në mënyrë tradicionale, por tashmë gjithmonë e më shumë, me të tjera shenja jokonvencionale. Prej disa kohësh, sprova ka qenë e suksesshme edhe në këtë fushë dhe interaktiviteti do të jetë fusha e fortë, ku gazeta “55”, do ta konfirmojë praninë e vet, jo veç me numërimin e numrave fizikë të gazetës (versioni i printuar), por edhe me dialogun dhe praninë 24-orëshe me lexuesit, jo me kosto e jo pse janë të detyruar, por pse ata së bashku përbëjnë një komunitet të madh e vullnetar, që e gjejnë veten tek njëri-tjetri. Prej disa kohësh, edhe pse jozyrtarisht, ata janë komuniteti i lexuesve të një medieje që s’resht së mbështeturi ritmin e afrimit të vendit me Bashkimin Evropian, që s’resht së paralajmëruari për çfarëdolloj tentative për restaurimin e nomenklaturës komuniste (edhe me breza) dhe që është entuziast që këtë interaktivitet e ka me një staf që prej 4999 ditësh kanë treguar se janë konfidentë dhe të besueshëm. Më shumë sesa mijëra numrat e besnikërisë, në numrin rrumbullak 5000 na gëzojnë qindra numrat e fundit, një tregues se para vetes kemi një autostradë të gjerë bashkëpunimi (digjitale a jo) me lexuesit tanë... Tek ky numër rrumbullak, më pëlqen të lexoj më së shumti gurin kilometrik të perspektivës së interaktivitetit të përditshëm të intelektualëve që bashkëpunojnë e japin çdo ditë mendimet e tyre tek gazeta “55” (dhe faqja e saj online www.gazeta55.al) me mijëra lexuesit e tyre, të rinj a jo, konvencionalë (të versionit print) a jo.   

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›