Panariti- Marcoullis: Shqipëria në rrugën e duhur për Statusin
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti zhvilloi dje një takim me homologen e tij qipriote, Dr. Erato Kozakou-Marcoullis, e cila viziton Tiranën në cilësinë e Presidencës së radhës së Bashkimit Evropian. Ministri Panariti vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë vizitë të Ministres Marcoullis, si tregues i drejtpërdrejtë i vëmendjes dhe angazhimit të vendeve anëtare të BE për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe rajonit.
Ministri falenderoi për mbështetjen që Qipro në vijimësi u ka dhënë proceseve integruese të Shqipërisë, si dhe informoi Ministren Marcoullis mbi ecurinë e reformave kyçe, sipas Planit Kombëtar të Veprimit për zbatimin e 12 prioriteteve të Bashkimit Evropian. Zoti Panariti e siguroi homologen për angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të vazhduar zbatimin e reformave, sipas masave dhe afateve kohore të parashikuara në Planin e Veprimit, duke shprehur bindjen se deri në vlerësimin e tetorit, Shqipëria do të ketë arritur masën bindëse të progresit për t’u kualifikuar si vend kandidat i Bashkimit Evropian. Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, reformës në gjyqësor dhe administratën publike, do të vazhdojnë të mbeten prioritare në agjendën e qeverisë, theksoi Ministri Panariti.
Nga ana e saj, ministrja Marcoullis shprehu kënaqësinë për zhvillimin e kësaj vizite në Tiranë gjatë ushtrimit të presidencës së BE dhe rikonfirmoi mbështetjen e plotë të vendit të saj, por edhe të Komisionit Evropian e vendeve anëtare, për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Znj.Marcoullis theksoi se është shumë e rëndësishme që klima pozitive politike të konsolidohet më tej, çka do të nxisë vazhdimin e reformave të rëndësishme për vendin të lidhura me perspektivën evropiane të Shqipërisë. Ajo siguroi se zgjerimi mbetet në krye të agjendës evropiane, ndaj dhe, në këtë drejtim, vëmendja kryesore është e përqëndruar drejt Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kuadër, ajo vuri në dukje se perspektiva evropiane e rajonit është e lidhur ngushtësisht me procesin e paqëtimit dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe se Presidenca qipriote do të mbështesë linjën e BE në raport me të gjithë vendet e rajonit, pavarësisht qëndrimit kombëtar të ndryshëm që ka në lidhje me Kosovën.
Znj.Marcoullis e ftoi ministrin Panariti të zhvillojë një vizitë zyrtare në Qipro brenda kohës së ushtrimit të Presidencës qipriote, gjatë së cilës pritet të merret vendimi për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, me bindjen se ajo do të ndikojë në një vendim pozitiv.
Panariti dhe Markuli i përgjigjen interesit të medias
A është i mjaftueshëm stabiliteti politik për marrjen e statusit të vendit kandidat?
Znj. Markuli- Stabiliteti politik nuk është i rëndësishëm vetëm tani, por ai do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm përgjatë këtij procesi. Bashkëpunimi ndërpartiak është një domosdoshmëri që të ecet përpara sepse duhet të arrihet adoptimi i legjislacionit duhet të vazhdohet me reforma mjaft të rëndësishme në bashkëpunim ndërpartiak dhe stabilitet politik e kësaj presidence. Me lejoni gjithashtu tu them se perspektiva evropiane e çdo vendi dhe mund të jap si shembull Qipron duhet të jetë një çështje kombëtare dhe jo një çështje partiake duhet të jetë mbi çdo parti, duhet të shihet si një situatë ku të gjithë dalin të fituar dhe kjo ishte motoja e Qipros gjatë procesit tonë dhe shpresojmë se të arrijë këtë synim me anë të bashkëpunimit ndërpartiak.
Ju përveç synimit për integrimin e Ballkanit perëndimor në BE, çfarë synimi do të keni për integrimin e Kosovës në BE dhe, a do të punoni për këtë?
Znj. Markuli- Unë jam këtu si presidente e Këshillit të Bashkimit Europian dhe flas në emër të Bahskimit Europian. Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë kombëtar si Qipro, por në kuadrin e presidencës së BE-së them se, BE e mbështet perspektivën europiane të Kosovës. Ne kemi nisur mbështetjen ekonomike në disa zona dhe programe të tjera të ndryshme për të mbështetur qytetarët kosovarë që janë një pjesë thelbësore e Europës. Qëndrimi BE-së pasqyrohet në të gjitha konkluzionet që ne adoptojmë çdo vit dhe të fundit janë ato të marra në dhjetor të 2011-s, të cilat përfshijnë gjithashtu edhe qëndrimin e BE-së për Kosovën.
Z. Panariti do ta marrim apo jo statusin e vendit kandidat në BE?
Z. Panariti- Unë jam optimist që Shqipëria është në rrugë të mbarë. Progres substancial është bërë në reformat që përmendi edhe znj. Markuli për sistemin elektoral. Shpresoj që, së shpejti, do të kapërcejmë reformën për heqjen e imunitetit. Ne po bëjmë progres të qenësishëm edhe për paketën e reformave të karakterit teknik, siç është lufta kundër krimit të organizuar, kontrollit të trafiqeve, hapat e rëndësishme që janë bërë edhe për respektimin e të drejtave të minoriteteve. Të gjitha këto prodhojnë pikërisht atë që kërkohet, atë masë politike në prodhimin e një opinioni pozitiv, që do të shërbejë në vendimmarrjen pozitive në marrjen e statusit të vendit kandidat në fund të këtij viti.