Berisha: Reformat na përafrojnë me BE-në
Kryeministri Sali Berisha bind Brukselin se reformat e qeverisë së tij e kanë përafruar edhe më tepër Shqipërinë me BE-në. Z. Berisha, një nga referuesit kryesorë në samitin e nivelit të lartë në Bruksel, për rolin e BE-së në Ballkan, bëri dje prezente reformat e gjithanshme të qeverisë dhe angazhimin për luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit. Arsimimi, lufta kundër korrupsionit, mbrojtja dhe përkrahja e minoriteteve dhe procesi i zgjerimit të BE-së ishin katër shtyllat kryesore të diskutimeve në samit. Kreu i qeverisë pohoi dje se Shqipëria është një vend i vogël në hartë, por me potenciale të mëdha. Ai evidentoi se tashmë ky vend është i sigurt për qytetarët e tij dhe shtetasit e huaj që duan të investojnë në Shqipëri. Berisha iu përgjigj edhe interesit të auditorit në lidhje me privatizimin e shpërndarjes së KESH-it në Shqipëri. Sipas tij, "procesi i privatizimit po vazhdon, por kjo do të kërkojë edhe një procedurë parlamentare". "Nëse procesi do të përfundojë me sukses, javën e parë të shtatorit Parlamenti do të votojë kontratën", - tha Kryeministri Berisha. Duke iu referuar procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, Kryeministri Berisha u shpreh se "portat janë të hapura plotësisht, nuk janë të mbyllura". "Natyrisht, procesi është i bazuar në meritën dhe performancën", - tha zoti Berisha. Kryeministri u ndal dhe në fushën e arsimit, të cilën ai e quajti një prioritet të qeverisë që drejton. "Gjatë qeverisjes sime është dyfishuar buxheti për këtë sektor, janë rritur pagat e mësuesve, është rritur numri i studentëve, dhe është krijuar Fondi i Ekselencës", - tha z. Berisha, duke vënë në dukje përpjekjet e qeverisë për bashkëpunim me privatët në drejtim të zhvillimit të arsimit. "Ne jemi fokusuar tek arsimimi i komunitetit rom dhe për këtë na duhet një mbështetje nga Komuniteti Evropian", - evidentoi kreu i qeverisë shqiptare. Berisha ishte një nga referuesit kryesorë në samitin e nivelit të lartë të politikës evropiane mbi Ballkanin, i organizuar nga “Miqtë e Evropës”. Ky samit i përvitshëm nxit debatin mbi situatën politike në rajon, i cili kohët e fundit po njeh një zhvillim shumë të shpejtë. Samiti i këtij viti mbahet pas disa zhvillimeve si zgjedhjet në Serbi dhe Maqedoni, vota kundër Kushtetutës së Bashkimit Evropian në Irlandë dhe i ndikuar nga fakti se veçanërisht Presidenca sllovene e BE-së e ka vendosur perspektiven evropiane të Ballkanit shumë lart në agjendën e saj. Komisioneri evropian për zgjerimin Olli Rehn mbajti fjalën e hapjes. Ai u ndal në rëndësinë e mosndaljes së procesit të zgjerimit, në vendosmërinë që duhet të ndjekin të 7 vendet e Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar dhe implementuar reformat dhe përmbushur kriteret e Kopenhagenit, si dhe në mbështetjen që BE-ja do të vazhdojë t’i japë këtyre vendeve, të cilat në të ardhmen do të jenë në BE. Në samit mori fjalën edhe kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Doris Pack, e cila, në fjalën e saj, u shpreh se çdo zgjerim është një sfidë për të dyja palët, ndaj duhet pasur parasysh se probleme dhe diferenca kanë si vende që aspirojnë të futen në BE, ashtu edhe vendet anëtare të BE-së. Znj. Pack u shpreh se BE-ja nuk është e plotë pa aderimin në të edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.