E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafa: Pragu zgjedhor, çështje e mbyllur

Pragu elektoral është çështje e mbyllur për partitë e mëdha. Në zgjedhjet e 2009-s, pragu do të jetë natyral ose rajonal, i ndryshëm nga një qark në tjetrin. Një ditë pasi partitë e vogla parlamentare, e veçanërisht LSI, kërkuan prag kombëtar të njëjtë në të gjitha qarqet, reagoi sekretari për Çështjet Ligjore në selinë rozë, Fatmir Xhafa. Ai vlerësoi se me ndryshimet kushtetuese është e sanksionuar edhe kjo çështje, pasi proporcional-rajonali parashikon prag të ndryshëm nga një qark në tjetrin. “Sistemi zgjedhor rajonal proporcional i sanksionuar me ndryshimet kushtetuese e ka një përgjigje për këtë çështje dhe ky sistem zgjedhor përkon mirë me ndarjen e qarqeve aktuale”, - tha Xhafa. Në të kundër me LSI, e cila kërkoi dy ditë më parë që të ketë rikonfigurim të hartës elektorale, duke parashikuar numër të njëjtë zgjedhësish, çka do të shkonte në prag unik në të gjithë qarqet ose prag kombëtar. Këtë kërkesë e mbështesin jo vetëm partitë e vogla të majta, por edhe parti të djathta. Ndërsa sipas asaj çfarë parashikon sistemi zgjedhor i sapomiratuar, vendi është i ndarë në 12 qarqe, që konsiderohen zona elektorale dhe pragu elektoral nga një qark në tjetrin do të jetë i ndryshëm. Llogaritja e vlerës së saktë bëhet përmes numrit të zgjedhësve që janë në çdo qark. P.sh., qarku i Dibrës do të ketë një vlerë të ndryshme me qarkun e Fierit, që ka më shumë popullsi nëse nuk kanë një numër të njëjtë zgjedhësish. Shpresa e vetme për të vegjlit dhe plotësimin e kërkesave të tyre mbetet komisioni i posaçëm, që pritet të fillojë sa më shpejt nga puna. Veçse çështja e pragut zgjedhor është e mbyllur për dy partitë e mëdha që në datën 21 prill, ku u bë ndryshimi në Kushtetutë për sistemin e ri zgjedhor. Ndërkohë sekretari i Çështjeve Ligjor, i cili është duke u marrë me draftin e PS për reformën zgjedhore, deklaroi se ka mjaft probleme të tjera teknike që duhet të diskutohen me të gjitha partitë politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›