E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama: Prova nga SHBA-ja për çështjen e Gërdecit

Kryeprokurorja Ina Rama deklaroi ditën e djeshme se u është drejtuar institucioneve homologe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë në dispozicion prova në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Pas një raportimi të gjatë në Komisionin parlamentar të Ligjeve, Rama tha për median se prokuroria shqiptare nuk është vetëm në pritje të dëshmisë së shtetasit amerikan Efraim Diveroli në lidhje me dijeninë e tij për Gërdecin, por edhe për shumë materiale të tjera që do t’i shtohen grupit të hetimit prej 6 prokurorësh. “I jemi drejtuar shtetit amerikan, organeve homologe të drejtësisë amerikane për të marrë jo vetëm dëshminë e Diverolit, por për të marrë një sërë provash që ne i çmojmë të nevojshme për hetimin tonë për çështjen e Gërdecit dhe që mendojmë se mund të na serviren nga drejtësia amerikane, dhe shoqëruar kjo kërkesë bashkë me pyetjet konkrete për të cilat ne mendojmë se duhet të japë shpjegime Diveroli. Sigurisht që dëshmia e Diverolit është në funksion të kësaj piste hetimi të trafikimit të armëve, pastaj do të shohim nga të dhënat që ai mund të na japë dhe që mund të na shërbejë për hetimin tonë”, - tha konkretisht Ina Rama. Kryeprokurorja nuk i shpëtoi pyetjes në lidhje me përfshirjen e zyrtarëve të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, por përgjigjja e saj ishte e ftohtë duke thënë vetëm se “nuk kemi asnjë të dhënë për zyrtarët e ambasadës deri në këto momente”.

Gërdeci

Raportimi në Komisionin e Ligjeve ishte për punën e organit të akuzës gjatë vitit 2007, por nuk mund të lihej pa përmendur nga deputetët e majtë dhe hetimet e deritanishme mbi ngjarjen e Gërdecit. Përgjigjja e kryeprokurores Rama ishte më pak entuziaste se pyetja e deputetëve të majtë. “Nuk mund të publikoj në ç’fazë jemi me hetimet në lidhje me tragjedinë e Gërdecit dhe as pengesat që po hasim për këto hetime. Ajo që mund të them është që prokuroria është e angazhuar maksimalisht për të zbardhur ngjarjen. Mund të them që jemi në angazhim maksimal me çështjen. Për hetimet nuk mund të jap shpjegime tani. Do të jetë një tjetër moment kur të kemi rezultate edhe nga hetimet”, - tha Ina Rama. Në lidhje më këtë çështje, Rama tha se ka çekuilibruar punën e prokurorisë pasi 6 prokurorë nga më të mirët, janë në dispozicion vetëm të hetimit për Gërdecin. “Më duhet t’u them se për shkak të ngjarjeve të paparashikueshme që ndodhën në Shqipëri, siç ishte ngjarja e Gërdecit, e cila ka kërkuar që të angazhohen 6 prokurorë, e cila ka përmbysur të gjithë ekuilibrat e punës në Prokurorinë e Përgjithshme, ndoshta në organikën e prokurorisë duhet të konsiderohet edhe shtimi i numrit të prokurorëve”, - tha më tej Rama kur foli për gjendjen aktuale të prokurorisë.

Raporti

Raportimi në komisionin parlamentar ishte edhe për shumë probleme të tjera të organit të akuzës. Ina Rama foli mbi të gjithë problematikën që ka vendi si dhe atë që organi i akuzës kërkon për përmirësimin e punës. Ai renditi të gjitha problemet, arritjet si dhe sfidat, dhe e vetmja kërkesë ishte rritja e financimit me shpenzime operative për prokurorët. Një tjetër çështje e kërkuar nga deputetët e majtë ishte edhe ajo në lidhje me kontrollet e shumta që bën ekzekutivi në punën e prokurorisë, por këndvështrimi i Ina Ramës ishte krejt ndryshe në këtë pikë. Ajo u shpreh se ekzekutivi duhet të ketë të drejtë të rekomandojë çështje për punën e prokurorisë. “Mendoj se Këshilli i Ministrave duhet të ketë të drejtën të rekomandojë në prokurori në lidhje me çështjet e rëndësishme, si lufta kundër korrupsionit apo krimit të organizuar”, - tha Rama për deputetët. Prokurorja e përgjithshme tha më tej se paralelisht po zhvillohen hetime dhe për rrugën Durrës - Kukës. Kryeprokurorja kërkoi mbrojtje të veçantë për prokurorët, një ligj për mënyrën e promovimit të karrierës së prokurorëve, si dhe apeloi për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit. Raporti i saj u vlerësua nga deputetët dhe pse bënte fjalë për punën e paraardhësit të saj Theodhori Sollaku, i cili u shkarkua nga mazhoranca e djathtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›