Topi dekoron Garden ne 80 jetorin e krijimit te saj
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kërkon profesionalizëm në radhët e Gardës së Republikës. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë përmbushet misioni i gardës për të qenë në shërbim të vendit të tyre dhe të interesave të shtetit. Kreu i shtetit u shpreh se një personel thelbësisht profesional do të ndryshojë jo vetëm imazhin e frikshëm të trashëguar nga vitet e diktaturës, por do ta bëjë këtë strukturë cilësisht të denjë për të përballuar sfidat që ka shoqëria shqiptare, rajoni dhe mbarë bota. Presidenti i Republikës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bamir Topi, mori pjesë dje në ceremoninë e organizuar me rastin 80-të vjetorit të krijimit të Gardës së Republikës. Pas paraqitjes së forcës nga Komandanti i Gardës dhe nderimit të himnit kombëtar, Presidenti Topi i është drejtuar me një përshëndetje efektivave të Gardës së Republikës dhe të ftuarve në këtë ceremoni, duke i uruar me rastin e 80-vjetorit të krijimit të kësaj strukture. Në mënyrë të veçantë në fjalën e tij kryetari i shtetit ka theksuar “domosdoshmërinë e përzgjedhjes dhe përgatitjes profesionale të të gjithë personelit të Gardës së Republikës, e gjithashtu provën ndaj qytetarëve të Shqipërisë se misioni i tyre është në shërbim të vendit të tyre dhe të interesave të shtetit”. Duke vënë në dukje se “Shqipëria ndodhet sot më afër se kurrë anëtarësimit të saj të plotë në NATO”, Presidenti Topi u shpreh se “ky vlerësim nga ana e partnerëve tanë të aleancës është edhe një vlerësim ndaj jush dhe misionit tuaj të deritanishëm”. Në shenjë vlerësimi të lartë për arritjet e rëndësishme të Gardës së Republikës në përmbushjen e detyrës së saj të vështirë dhe me përgjegjësi të lartë, gjatë ceremonisë solemne, Presidenti i Republikës nderoi Gardën e Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes”. Gjithashtu, për përkushtimin dhe ndjenjën e përgjegjësisë në realizimin me sukses të detyrave të vështira dhe delikate në shërbimin për ruajtjen dhe sigurimin e personaliteteve të larta, Presidenti Topi dekoroi me medaljen e “Artë të Shqiponjës”, Kolonel Frank Dod Prengën dhe Kolonel Dashamir Sherif Shehun, si dhe me medaljen “Për Shërbime Ushtarake” Major Kastriot Xhevit Koçin (pas vdekjes), Major Astrit Sulejman Osmanin dhe N/Kapiten Altin Nazim Kollçinakun. Dekretet përkatëse u lexuan nga sekretari i Përgjithshëm i institucionit të Presidencës, Aleksandër Flloko, i cili po ashtu bëri me dije për dekretimin e dhënies së gradës “Gjeneral Garde”, Kolonelit Ndrea Pjetër Prendi, me detyrë Komandant i Gardës së Republikës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Fatos Beja, ministri i Brendshëm, z. Bujar Nishani, ministri i Mbrojtjes, z. Gazmend Oketa, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, përfaqësues të Trupit Diplomatik në vendin tonë, si dhe personalitete të tjera të larta. Aktiviteti vijoi me një demonstrim të Njësive të Gardës së Republikës. Më pas, Presidenti Topi dhe të ftuarit e tjerë në këtë veprimtari vizituan Muzeun e Gardës së Republikës, Shtabin e Gardës, si dhe ambientet e tjera të rikonstruktuara të saj.