Topi, Delevoje: Bashkëpunim mes institucioneve të pavarura
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në Presidencë Avokatin e Popullit të Republikës së Francës, Zhan Pol Delevoje, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. Kreu i shtetit theksoi vlerën e vizitave të tilla të nivelit të lartë për zgjerimin e marrëdhënieve tradicionalisht shumë të mira mes dy vendeve tona dhe vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të përvojës mes institucioneve të pavarura dhe bashkërendimin e punës me Avokatin e Popullit shqiptar, Ermir Dobjani. Presidenti Topi, pasi përshkroi rrugëtimin integrues të Shqipërisë për në Bashkimin Evropian dhe NATO me kryerjen e reformave thelbësore, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si edhe ruajtjen e konsolidimin e institucioneve të pavarura si ai i Avokatit të Popullit, një institucion që ka bërë një punë të vlerësueshme për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme dhe i cili gëzon mbështetjen e plotë dhe inkurajimin e Presidentit. Kreu i shtetit shqiptar në këtë takim shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmesën e vazhdueshme të Francës dhënë vendit tonë, si edhe për njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës. Në këtë pikë Presidenti Topi i kërkoi z. Delevoje t’i përcillte përshëndetjet më të përzemërta Presidentit francez, Sarkozi, së bashku me ftesën për ta takuar së afërmi në Shqipëri gjatë një vizite të mundshme zyrtare. Në takim mori pjesë edhe ambasadorja e Republikës së Francës, Mariz Davje.